Nikolliq: Është parandaluar pogromi administrativ ndaj serbëve në Kosovë

Danijela Vujičić
Burim: Kosovo Online

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Kosovën dhe Metohinë, Danijella Nikolliq, deklaroi sot se me zgjidhjen lidhur me zbatimin e ligjit të Prishtinës për të huajt është parandaluar një pogrom administrativ ndaj serbëve në Kosovë, transmeton RTV.

Nikolliq, duke folur për zgjidhjen lidhur me zbatimin e ligjit të Prishtinës për të huajt, tha për Tanjug se ajo paraqet sukses të diplomacisë serbe dhe theksoi se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, drejtori i Zyrës për Kosovën dhe Metohinë Petar Petkoviq dhe Lista Serbe kanë punuar ditë e natë për të gjetur një zgjidhje që në këtë moment është e mirë për popullin serb në Kosovë.

“Ajo që është fakt është se me këtë zgjidhje kemi ruajtur statusin e institucioneve tona, sepse nuk ka hyrje në sistemin e Kosovës dhe asnjë integrim të arsimit apo shëndetësisë në sistemin kosovar”, theksoi Nikolliq.

Ajo tha se kjo zgjidhje ka rëndësi të madhe për serbët që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, sepse “sot ata punojnë pa pengesa dhe studentët shkojnë normalisht në fakultetet e tyre”.

Nikolliq tha se detyra e ardhshme e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në Kosovë është që të dorëzojnë listat e të gjithë atyre që punojnë në shëndetësi dhe arsim, në mënyrë që të marrin leje qëndrimi për 12 muaj. Ajo shtoi se ata që nuk kanë dokumente të Kosovës do të kenë mundësi që t’i nxjerrin ato gjatë tre muajve të ardhshëm.

“Nëse ky ligj do të zbatohej në kuptimin juridik, sot – 22 vjet pas pogromit të marsit – do të kishim edhe një pogrom dhe një ‘stuhi’ pa u shkrepur asnjë plumb”, theksoi Nikolliq.

E pyetur se sa është kjo zgjidhje rezultat i presionit të Evropës ndaj Prishtinës për të shmangur një krizë të re, Nikolliq tha se Evropa këtë herë tregoi se mund të ndikojë te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe pse deri më tani për shumë gjëra dhe situata që ishin të këqija për popullin serb në Kosovë kanë heshtur dhe kanë kthyer kokën në anën tjetër.

Ajo theksoi se me këtë zgjidhje është dhënë përgjigje edhe për shumë kritikë dhe opozitën në Serbi, të cilët thoshin se shëndetësia dhe arsimi “i janë dhënë Albin Kurtit për menaxhim”, jashtë Asociacionit të Komunave Serbe.

“Edhe Bislimi edhe Nenad Rashiq kanë thënë se rezultat i marrëveshjes është integrimi i shëndetësisë dhe arsimit. Asnjëherë nuk është folur për shëndetësinë dhe arsimin jashtë Asociacionit të Komunave Serbe dhe Marrëveshjes së Brukselit. Kjo është pjesë e AKS-së që do të financohet nga buxheti i Serbisë. Kjo është një e vërtetë e madhe dhe fitore e kësaj të vërtete, se ekipi ynë negociues kurrë nuk ka bërë apo marrëveshje prapa skenave, siç pretendon opozita jonë për pikë të lira politike”, tha ajo.

Nikolliq theksoi se të gjithë këta kritikë dhe opozita në Serbi nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen, kanë marrë përgjigje për pretendimet e tyre se diçka është marrëveshur prapa skenave.

Ajo theksoi se është shumë e rëndësishme edhe reagimi i Kishës Ortodokse Serbe (KOS), e cila kërkoi pezullimin e zbatimit të ligjit të Prishtinës për të huajt, sepse KOS gjithmonë ka qenë vend bashkimi për popullin serb në Kosovë sa herë që ka qenë e vështirë.

“Sot është përvjetori kur në vitin 1981 separatistët i vunë zjarrin konakëve të Patriarkanës së Pejës. Ne e kujtojmë atë ditë – gjithçka në këtë mars ka në njëfarë mënyre simbolikë për popullin tonë”, tha kryetarja e Komisionit Parlamentar për Kosovën dhe Metohinë.