Radojeviq: Marrëveshja për zbatimin e Ligjit për të Huajt - një hap në drejtimin pozitiv

Milan Radojević
Burim: Kosovo Online

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, tha se marrëveshja në lidhje me zbatimin e Ligjit për të Huajt është një hap në një drejtim pozitiv, por se ata presin që bashkësia ndërkombëtare të monitorojë zbatimin e Ligjit në mënyrë që të shmangen pengesat e mundshme në terren.

"Sot është një ditë normale pune në Mitrovicë të Kosovës, Universiteti po funksionon, ashtu si edhe QKS, mjekët janë në punë. Do të ishte më mirë nëse ky ligj nuk do të ekzistonte fare, por meqenëse kjo nuk është realiste, duhet të kërkojmë zgjidhje në kuptimin diplomatik. Zbatimi i plotë i Ligjit për të Huajt në formën e tij origjinale do të thoshte vërtet spastrim etnik administrativ, kështu që këto lehtësime janë një drejtim pozitiv. Ne presim që bashkësia ndërkombëtare të parandalojë disa manovra nga Prishtina. Shpresojmë që Bashkimi Evropian do të parandalojë pengesat e mundshme në terren nga Prishtina", tha Radojeviq për Juronjuz Srbia.

I pyetur nëse ka frikë se mund të lindin vështirësi të caktuara në zbatimin e zgjidhjes së dakorduar, Radojeviq thotë se Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës njoftoi dje miratimin e një udhëzimi administrativ që do të rregullonte këtë çështje.

"Ekziston frika se si do të duket ky udhëzim. Në periudhën e kaluar, ishte shumë e vështirë të merreshin dokumente të Prishtines. Ndodhi që një grua nga Serbia qendrore, e cila është grua dhe nënë dhe ka jetuar në Kosovë për dhjetë vjet, nuk mundi të merrte dokumente, edhe pse burri dhe fëmijët e saj i kanë ato. Shpresojmë që Bashkimi Evropian të përfshihet në zbatimin e këtij ligji në mënyrë që të parandalohen problemet e mundshme", tha kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Ai shpjegoi gjithashtu se cili do të jetë roli i kryetarëve të komunave serbe ku serbet janë shumicë.

"U ra dakord që kryetarët e komunave me shumicë serbe do të marrin listat e punonjësve që do t'ua përcjellin autoriteteve në MPB në mënyrë që këta njerëz të mund të marrin leje pune dhe të jenë në gjendje të punojnë dhe të shkojnë në punë pa pengesa", tha Radojeviq.

Ai shtoi se Mitrovica e Kosovës gjithmonë ka qenë krenare që është qendra administrative për serbët në veri të Kosovës, veçanërisht sepse Universiteti dhe Qendra Klinike Spitalore ndodhen atje.

"Ky është problemi për Albin Kurtin dhe Prishtinën, sepse ata po përpiqen t'I ngulfatin ato institucione në çdo mënyrë, pasi e dinë se në këtë mënyrë do të ngulfatnin edhe të ardhmen e serbëve në Kosovë dhe Metohi. Ekzistenca e Universitetit të Prishtines dhe QKS në Mitrovicë të Kosovës janë vija të kuqe dhe garantues i mbijetesës sonë në Kosovë dhe Metohi", përfundoi Radojeviq.