Osmani: Shpresoj që Kosova të bëhet sa më parë anëtare e OSBE
Ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesi aktual i OSBE Bujar Osmani ka thënë sot se shpreson që Kosova të bëhet anëtare e OSBE.
Osmani në përfundim të Këshillit të Ministrave të OSBE, është përgjigjur pyetjes se çfarë ka bërë OSBE të ftojë Sërbinë për përgjegjësinë e agresionit ndaj Kosovës dhe shkaktimin e tensioneve etnike në Ballkan, ka thënë se duhet të paraqesë qëndrimin kombëtar çka është i qartë e ky qëndrim është që Maqedonia e Veriut e njeh Kosovën.
“Ne e kemi njohur Kosovën dhe ishim mikpritës të tubimit në Ohër ku dhe ofrua marrëveshja e Ohrit për të cilën besojmë se është e vetmja mënyrë për progres në implementimin e marrëveshjes mes Sërbisë dhe Kosovës me qëllim njohjen e ndërsjelltë. Ky është qëndrimi i Maqedonisë së Veriut. Ne ofrohemi dhe si vend për dialog sepse kemi marrëdhënie të mira me të dy vendet dhe përvojë për kompromise. Mosmarrëveshjet mes Kosovës e Sërbisë janë plagë për mbarë rajonin” sqaroi ai.
Si drejtues i OSBE u shpreh në angazhimin e kësaj organizate në Kosovë dhe Sërbi ku kanë misionet e tyre.
Në Prishtinë, kujtoi ai, momentalisht ndodhet misioni më i madh pas mbylljes së tij në Ukrainë.
Ai tha se ka vizituar Beogradin dhe Prishtinën dhe ku prezantoi planin për de-eskalimin në veri të Kosovës ku siç tha, ishte plani i BE dhe SHBA i cili u pranua nga qeveria në Prishtinë e Beograd.
“Shpresoj që Kosova shpejt të bëhet anëtare e OSBE. Megjithatë për këtë nevojitet konsensusi. Kur të bëhet Kosova anëtare e OSBE mund të përdorë të gjitha instrumentat e veta” ka shtuar ai.
Osmani në konferencën për mediat bëri të ditur se në Këshillin e Ministrave u votua unanimisht që Malta të bëhet kryesuesja e OSBE për vitin e ardhshëm.
Gjithashtu u vendos në zgjatjen e mandatit të sekretarit të përgjithshëm të OSBE, drejtorit të Zyrës për Institutin Demokratik dhe të Drejtave të Njeriut (Odihr), si dhe të dërguarit për lirinë e medias dhe komisarit të lartë të të drejtave të njeriut.
“Këshilli u mbajt në kushte të jashtëzakonshme me ndezjen e luftës në Ukrainë dhe kur u sulmua koncepti i multilateralitetit. Por mundëm të merrnim vendime të rëndësishme” ka thënë Osmani.
Ky i fundit tha se shumica e anëtarëve nënvizuan domethënien e principeve të OSBE dhe statutit të Helsinkit ku edhe një herë u dënua lufta e Rusisë ndaj sovranitetit të fqinjit. Në takim u vlerësua tha ai, dhe rëndësia e nevojshmërisë së OSBE në të ardhmen.
Gjithashtu, tha ai, u nënvizua rëndësia e kompromisit, e cili është i nevojshëm për vazhdimin e punës së OSBE.
“Kompromiset shpesh janë të vështira dhe të dhimbshme, por mundësojnë rrugën drejt së ardhmes. Mendoj se mund të krenohemi me suksesin e arritur” sqaroi Osmani.
Kryesuesi i ardhshëm, ministri i punëve të jashtme, tregtisë dhe çështjeve europiane të Maltës, Ian Borg tha se vendimi unanim për t'i dhënë vendit të tij presidencën e OSBE, është dëshmi e vendosmërisë së anëtarëve për të ruajtur dhe forcuar organizatën.
“OSBE është platformë gjithëpërfshirëse për dialog efektiv. Duhet të fokusohemi tek përfundimi i luftërave dhe konflikteve. Lufta ruse ndaj Ukrainës duhet të ndalet. Si kryesues i OSBE do të punoj së bashku me të gjithë partnerët tanë dhe do të angazhohem për multilateralizmin, i cili mund të jetë ndryshimi që na nevojitet” tha ai.
Osmani, është pyetur nëse është arritur konsensus për tregtinë me Rusinë, theksoi se konsensusi është ADN e OSBE dhe se ai prej nisjes së kryesimit tha se do të jetë ruajtës i parimeve të organizatës dhe se për to nuk do të ketë kompromis.
"Nuk ka pasur asnjë tregti apo negociata rreth parimeve. Ne kemi dënuar agresorin, i cili shkaktoi vuajtje të mëdha në Ukrainë. Çdo javë anëtarët e organizatës në Vjenë në seancën e Këshillit të Përhershëm, i thonin të vërtetën përfaqësuesit të Rusisë. Nuk ka pasur tregti parimesh” nënvizoi ai.
I pyetur nëse është shënuar progres në çështjen e buxhetit të OSBE, tha se fatkeqësisht buxheti për vitin aktual nuk është miratuar pasi Rusia atë e ka bllokuar.
Ai theksoi se OSBE “gjakoset” për shkak të mungesës së miratimit të buxhetit, pasi ende funksionon në bazë të buxhetit të vitit 2021, çka do të thotë se nuk ka pasur asnjë rregullim për inflacionin, si dhe aftësinë për të rekrutuar njerëz të rinj sesi të sigurojnë efikasitet.
“Kemi patur probleme dhe me dy anëtare të tjera të cilat i zgjidhëm, por në fund ngeli vetëm Rusia e cila bllokoi buxhetin. Arritëm konsensusin rreth numrave, por Rusia bllokoi buxhetin si pasojë e tekstit që as nuk ishte pjesë e procedurës. Kemi dhe disa javë deri në fund të vitit dhe mendoj se duhet të vijojmë me negociatat. Do të tentojmë ditët e ardhshme të arrijmë marrëveshje për buxhetin e këtij viti. Ky buxhet do të kontribuojë në miratimin e buxhetit të vitit pasues” ka thënë Osmani.
Ky i fundit apeloi tek Rusia që të mundësojë konsensus pasi misioni në Moldavi, Kosovë, B&H, Maqedoni vuan si pasojë e kësaj.
Pyetjes nëse OSBE tashmë është afër vendimit që të vendoset konsensus "minus 1” për të përjashtuar Rusinë, tha se rreth kësaj ka debate si pasojë e shkeljes së parimeve themelore të organizatës.
“Megjithatë egzistojnë dy argumente përse kjo është e mundur-njëra është juridike dhe tjetra politike. Juridike është se vendimi për konsensusin 'minus 1' u ndërmorr një herë në vitin 1992 kur Jugosllavia u përjashtua për shkelje të të drejtave të njeriut. Por mendoj se kjo sot nuk do të funksiononte. Parë politikisht OSBE, është krijuar si platformë për dialog mes vendeve që nuk kanë të njëjtin qëndrim dhe kështu duhet të mbetet” shtoi ai.
Gjithashtu deklaroi se ministri i punëve të jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, nuk ishte për vizitë në Maqedoninë e Veriut, se ai nuk u prit, por erdhi në OSBE ashtu sikurse shkoi dhe në KB në Nju Jork.
komentet