Pavkoviq: Me ndihmën e grave, Osmani, po i drejtohet pjesës së papërcaktuar të elektoratit
Drejtori i strategjisë në Qendrën për Politika Evropiane në Beograd, Millosh Pavkoviq, deklaroi se ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka përfshirë gratë në fushatën politike me një qëllim strategjik – t’i drejtohet elektoratit të papërcaktuar femëror, por edhe atyre që më herët kanë votuar për Vetëvendosjen.
Pavkoviq thekson se angazhimi politik i Vjosa Osmanit edhe më herët, gjatë mandatit presidencial, ka qenë i orientuar drejt grave.
“Kujtojeni paraqitjen e saj në Kombet e Bashkuara, kur i ftoi gratë viktima të luftës të merrnin pjesë në seancë dhe të uleshin pas saj. Ajo ka një histori të marrëdhënieve me elektoratin femëror dhe është e qartë se kjo është një strategji politike e menduar mirë për t’iu drejtuar edhe më shumë këtij elektorati dhe për ta homogjenizuar atë, pra për të tërhequr sa më shumë vota të grave. Arsyeja është se aty ajo sheh potencial për të përmbysur ose për të marrë një pjesë të elektoratit që tradicionalisht ka votuar për Vetëvendosjen”, tha Pavkoviq për Kosovo online, duke komentuar faktin se disa zonja iu bashkuan Vjosa Osmanit edhe para se ajo të zyrtarizonte rikthimin në LDK.
I pyetur se kujt po i drejtohet në të vërtetë Osmani dhe kujt i përkiste deri tani ai elektorat potencial, votat e të cilit ajo synon, Pavkoviq thotë se bëhet fjalë kryesisht për gra të pavendosura.
“Nuk kemi hulumtime konkrete që mund t’i citojmë dhe ta përcaktojmë saktësisht këtë. Është e mundur që një pjesë e elektoratit t’i përkasë Vetëvendosjes, është e mundur që aty të ketë edhe një pjesë të të papërcaktuarve, kështu që është e qartë se Osmani po synon atë pjesë të elektoratit. Bëhet fjalë për gra të papërcaktuara dhe që potencialisht kanë qenë votuese të Vetëvendosjes. Ajo dëshiron t’i marrë ato, t’ia rrëmbejë dhe t’i sjellë fitore Lidhjes Demokratike të Kosovës”, përfundoi Pavkoviq.
komentet