Pavkoviq: Mundësitë për zgjedhje të jashtëzakonshme janë më të mëdha sesa për formimin e një qeverie të re

Miloš Pavković
Burim: Kosovo Online

Drejtori i strategjisë në Qendrën për Politika Evropiane në Beograd, Millosh Pavkoviq, ka vlerësuar për Kosovo online se aktorët politikë në Kosovë, pas votimit të së dielës, janë më afër zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme sesa koalicionit për formimin e një qeverie të re, pasi një opsion i tillë do t’u përshtatej më shumë partive opozitare, të cilat janë forcuar pas suksesit në zgjedhjet lokale.

Pavkoviq thekson se rezultatet e zgjedhjeve lokale padyshim ndikojnë në procesin e formimit të qeverisë, për dy arsye.

“Në këtë situatë, PDK-ja është shpallur si fituese jozyrtare e zgjedhjeve lokale, sepse ka fituar numrin më të madh të komunave në raundin e parë dhe gjithashtu shkon në raundin e dytë në më së shumti komuna. Në njëfarë mënyre, ata janë fituesit e zgjedhjeve, gjë që shihet edhe në konferencën për media të Vetëvendosjes, ku u tha se ata kanë ‘marrë’ vetëm tre komuna në raundin e parë. Mendoj se narrativi i fitores është tashmë në duart e PDK-së, megjithëse mendoj se rezultatet e raundit të dytë do të jenë shumë më të rëndësishme , sidomos në Prishtinë, që ka peshë të madhe politike. Në Prishtinë shohim se LDK-ja dhe Vetëvendosje i dërgojnë kandidatët e tyre në raundin e dytë, dhe kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në formimin e qeverisë,” thotë Pavkoviq.

Megjithatë, ai thekson se afati për formimin e qeverisë është 26 tetori, pra para 9 nëntorit, kur zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.

“Më duket se Vetëvendosjes do t’i jetë shumë më e vështirë të formojë qeveri, sepse nuk arriti të sigurojë rezultat pozitiv në zgjedhje. Nga ana tjetër, nuk më duket se partitë më të forta opozitare — PDK, LDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë potencial të mjaftueshëm për të formuar një ‘bllok anti-Kurti’. Prandaj, për momentin, mendoj se jemi më afër zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, sesa ndonjë opsioni real për formimin e qeverisë,” vlerëson Pavkoviq.

I pyetur se kujt i kanë shtuar dhe kujt i kanë zvogëluar zgjedhjet lokale potencialin për koalicion, Pavkoviq u përgjigj se Vetëvendosje e ka zvogëluar dukshëm këtë potencial, ndonëse, siç thotë, dhe pse është gjithashtu e diskutueshme nëse ata kishin fare.

“Nga shkurti deri në tetor, pra për tetë muaj, ata nuk kanë arritur të gjejnë asnjë partner koalicioni dhe nuk kanë pasur ndonjë potencial të madh për bashkëpunim. Në të kaluarën kanë qeverisur pa partner koalicioni, me shumicë absolute. Tani, pas këtyre zgjedhjeve lokale, duket se Partia Demokratike e Kosovës po rrit potencialin e saj për koalicion dhe mund të jetë në pozicion të formojë qeveri me LDK-në, me AAK-në, e ndoshta edhe me Vetëvendosjen. Pse jo? Është një skenar teorik, edhe pse më pak i mundshëm. Megjithatë, më duket se partitë opozitare mund të përfitojnë më shumë nga zgjedhjet e reja, sepse presin rezultate edhe më të mira, të mbështetura nga suksesi që kanë pasur në zgjedhjet lokale,” përfundon Pavkoviq.