Pavkoviq: Një problem teknik u kthye në skandal diplomatik mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës
Milosh Pavkoviq, bashkëpunëtor i Qendrës për Politika Evropiane, vlerësoi se problemi teknik që kishte presidentja Vjosa Osmani në Shkup, u kthye në skandal diplomatik mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
“Në thelb kjo është një procedurë teknike që ka rezultuar në një mosmarrëveshje diplomatike dhe një skandal diplomatik mes Kosovës dhe Maqedonisë. Është një procedurë që parashikohet në të gjitha aeroportet ndërkombëtare, por është e dukshme që ka, më duket, një tendencë me Vjosa Osmanin dhe në përgjithësi me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Ballkan, që thjesht nuk e konsiderojnë se ata duhet t'i nënshtrohen të njëjtave procedura si të gjithë pasagjerët e tjerë në aeroport. Duke menduar se ndoshta nëse përdorin daljen VIP dhe procedura të veçanta, mund të shmangin edhe kontrollin e bagazheve. Ky është rasti kur bëhet fjalë për vizitat ndërshtetërore të planifikuara më parë. Por, duke qenë se Vjosa Osmani nuk ishte për vizitë zyrtare në Shkup, por po udhëtonte nga Parisi për në Prishtinë, sigurimi i aeroportit, sipas procedurave, ka dashur t'i nënshtrohet kontrolleve, të cilat ajo i ka refuzuar. Pra, ky është thelbi i gjithë problemit. Një problem teknik që u shndërrua në skandal dhe konflikt diplomatik," tha Pavkoviq për Kosovo online.
Duke komentuar spekulimet se incidenti është provokuar nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut, por edhe se ishte “influencë serbe”, Pavkoviq thotë se nuk ka prova për asnjë nga këto pretendime.
“Ne nuk kemi prova për asnjërën nga pretendimet. Nuk e dimë as kush ishin zyrtarët, por duket se janë përpjekur të ndjekin procedurat zyrtare. Prandaj, është e vështirë të hysh në interpretimin nëse ka pasur ndikim të dikujt. Po ashtu, janë edhe faktorët shqiptarë, dhe ndarja politike mes partive shqiptare mund të ketë pasur ndikim”, tha Pavkoviq.
Ai shtoi se asnjë incident i ngjashëm diplomatik nuk është regjistruar në rajon në të kaluarën e afërt.
“Është interesant fakti që nuk ka pasur shembuj të tillë në të kaluarën e afërt. Pra, nuk është diçka që ka ndodhurë. Tani lind pyetja pse Vjosa Osmani u soll kështu, pse donte të shmangte kontrollin dhe kështu krijoi një skandal diplomatik. Përfundimi është se, në pjesën më të madhe, qeveritë përpiqen të mbajnë marrëdhënie të mira dhe të mos krijojnë skandale dhe probleme të tilla për njëra-tjetrën. Kjo ndodhi në fund të fundit dhe tani dëmi tashmë është bërë”, thekson Pavkoviq.
komentet