Pavkoviq: Pritet një përpjekje për ndalimin e Listës Serbe në zgjedhjet lokale në tetor
Millosh Pavkoviq, bashkëpunëtor në Qendrën për Politikat Evropiane në Beograd, ka deklaruar se është “për t’u pritur” që Lëvizja Vetëvendosje të përpiqet t’i ndalojë Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të tetorit, por një vendim i tillë do të ndikonte ndjeshëm në zhvillimin e demokracisë dhe proceseve demokratike në Kosovë.
“Nuk ka bazë për një vendim të tillë, gjë që nuk do të thotë se Vetëvendosje nuk do të provojë, pasi kjo është pozita e tyre, politika e tyre për të vepruar kundër serbëve dhe Listës Serbe dhe në këtë mënyrë të mbledhin pikë politike,” tha Pavkoviq për Kosovo online.
Duke komentuar paralajmërimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se autoritetet në Prishtinë mund të ndalojnë partinë më të madhe serbe në Kosovë, Pavkoviq tha se kjo është “pozitë tashmë e njohur” e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e kishte provuar këtë para zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, kur i kërkoi KQZ-së të shfuqizonte Listën Serbe si një "organizatë terroriste".
“Atëherë nuk ia dolën. Para zgjedhjeve të ardhshme lokale të caktuara për 12 tetor, është për t’u pritur që Vetëvendosje të provojë një nismë të ngjashme para KQZ-së. Nuk jam optimist se do t’ia dalin, para së gjithash sepse pretendimet e tyre nuk qëndrojnë, por edhe për shkak se qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj vendimeve të tilla është shumë negativ. Dhe në fund, kjo në thelb ndikon në zhvillimin e demokracisë, proceseve demokratike dhe vetë zgjedhjeve,” ka theksuar Pavkoviq.
I pyetur pse as partitë e mbledhura rreth Lëvizjes Vetëvendosje dhe as opozita nuk po e shqyrtojnë bashkëpunimin me Listën Serbe, Pavković thotë se "ishte jopopullore që nga fillimi".
"Bashkëpunimi me Listën Serbe ka qenë gjithmonë jopopullor. Dhe kur LS ishte në qeveri, kjo ndodhi sepse komuniteti serb sigurisht që ka vende të garantuara. Por, në historinë e Kosovës, Lista Serbe nuk ka qenë kurrë në majë të peshores kur është zgjedhur qeveria. Ata gjithmonë i janë bashkuar qeverisë pothuajse të formuar, pra një shumicë të mjaftueshme", thotë Pavkoviq.
Ai shton se bashkëpunimi me Listën Serbe është bërë veçanërisht “temë e ndjeshme” pas ngjarjeve në Banjskë, e më pas edhe akuzave për terrorizëm në kanalin Ibër-Lepenc.
“Por edhe për shkak të qëndrimit të përgjithshëm të deritanishëm të Vetëvendosjes në pushtet, e cila ka qenë jashtëzakonisht antiserbe dhe kundër Listës Serbe. Kjo e ngushton hapësirën për koalicione edhe për partitë e tjera opozitare, sepse është jopopullore të bashkëpunosh me Listën Serbe për shkak të atij qëndrimi dhe narrativi që imponon Vetëvendosje,” vlerëson Pavkoviq.
Njëkohësisht, ai nuk pret as që Lista Serbe të hyjë lehtë në cilëndo qeveri, pavarësisht se cila parti do të ketë mundësinë ta formojë atë.
Ai konsideron se pyetja kyçe është nëse është e mundur të krijohet një qeveri e qëndrueshme pa Listën Serbe.
“Sipas rezultateve të zgjedhjeve të shkurtit shohim se askush nuk mund të formojë qeverinë, askush nuk ka shumicë as për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, kështu që Lista Serbe është e nevojshme për një shumicë të qëndrueshme, shumicë që nuk do të jetë minimale. Nëse nuk do të jetë Lista Serbe, ajo qeveri me shumë gjasë do të jetë e paqëndrueshme, e prirur ndaj rrëzimit, sidomos nëse marrim parasysh që në pranverë presin edhe zgjedhjet për presidentin, i cili zgjidhet nga Kuvendi ku kërkohet shumicë dy të tretash,” thekson Pavkoviq.
0 komentet