Peroviq: Hyrja e policëve të armatosur i shqetësoi qytetarët, familjet të tmerruara

Pretres u Zubinom Potoku
Burim: Kosovo Online

Pas bastisjes së nëntë lokacioneve në Zubin Potok dhe Zveçan nga Policia e Kosovës dhe arrestimit të shtatë serbëve gjatë aksionit, kryetari i zgjedhur i komunës së Zubin Potokut, Millosh Peroviq, thotë se hyrja e njësive të armatosura policore ka shkaktuar shqetësim të madh tek banorët dhe se familjet, shtëpitë e të cilave janë bastisur, kanë përjetuar stres të rëndë. Në një deklaratë për Kosovo online, ai konstaton se represioni i regjimit të Prishtinës nuk ndalet as pas zgjedhjeve lokale.

Vetëm në Zubin Potok Policia e Kosovës ka bastisur shtatë lokacione dhe ka arrestuar gjashtë persona.

Peroviq thotë se i ka vizituar të gjitha shtëpitë ku është kryer bastisja dhe ka biseduar me anëtarët e familjeve që kanë përjetuar stres të madh.

„Në orët e hershme të mëngjesit, në territorin e komunës së Zubin Potokut, forca të mëdha policore kanë hyrë në shtëpitë e shtatë familjeve të ndershme të Kolashinit. Në emër të Listës Serbe, njoftoj opinionin publik se kam vizituar çdo familje dhe me ndihmën e shtetit të Serbisë do t’u kompensohet çdo dëm material, ndërsa ndihma juridike është siguruar. Fëmijët janë të tmerruar, ashtu si edhe të gjithë anëtarët e këtyre familjeve,“ theksoi Peroviq.

Ai shton se represioni i regjimit të Prishtinës ndaj serbëve nuk ndalet as pas zgjedhjeve lokale të javës së kaluar, kur, siç thotë, banorët e Kolashinit i dhanë besimin e tyre Listës Serbe, e cila fitoi më shumë se 80 për qind të votave.

Njëri nga serbët e arrestuar është Radomir Kasaloviq. Gruaja e tij, Brankica, dukshëm e shqetësuar, tha se të gjithë, ajo, bashkëshorti dhe katër fëmijët, po flinin kur policia hyri në shtëpi dhe filloi bastisjen pa asnjë shpjegim paraprak.

„Sot në mëngjes, rreth orës gjashtë, policia hyri në shtëpi, nuk i dëgjova kur hynë, vetëm dëgjova britma, i zgjuan fëmijët… Vajza bërtiti shumë. U ngrita, burri ishte pas meje. Ai ngriti duart, tha se kishte frikë… Vajzën e dëgjova në dhomën tjetër, tha: ‘Mami, policia është, po bastis, mos u frikëso’. Këtu jetoj unë, burri dhe katër fëmijët. Atij ia vunë prangat dhe e çuan në një dhomë tjetër,“ rrëfen Brankica Kasaloviq.

Policia, thotë ajo, kërkonte një dëshmitar që do të ishte i pranishëm gjatë bastisjes, ndërkohë që familjen e pyetnin nëse kishin ar, para apo armë.

„Gjithçka mbeti e përmbysur, e thyer, e rrëzuar, mos e dhëntë Zoti, njeriu s’mundet pesë ditë t’i mbledhë gjërat, ta pastrojë atë rrëmujë dhe t’i rregullojë…“, përshkruan kjo grua se çfarë mbeti pas policisë.

Ajo tregon se policët qëndruan pothuajse deri në orën nëntë.

„Qëndruan deri në nëntë pa pesë, kur dolën, nuk e morën menjëherë, nuk kishin për çfarë, nuk gjetën asgjë… Fëmija që kishte motorola, ato ishin motorola për pyll, si lodër për fëmijë, asgjë më shumë. Pastaj thanë se duhej të shkonte në stacionin e policisë për të dhënë deklaratë… Thonë, stacioni i policisë në veri. Kush mund t’u besojë atyre, nuk kishim besim as kur e morën, as çfarë po bënin,“ shton ajo.

Siç tha, fëmijët u trembën përsëri kur Radomirin e nxorën nga shtëpia.

Bastisjen e ndoqi edhe një qen policie, të cilin e futën edhe te kafshët që mbajnë Kasaloviqët, ndërsa gjatë bastisjes u përdor edhe një skaner.

„E dimë që s’kishin çfarë të gjenin, s’kishim asgjë, as për të gjetur, as për të marrë. Vetëm sa na trembën, fëmijët kanë trauma, asgjë më shumë. Ai u lirua rreth orës nëntë e gjysmë, nuk e di saktë, më telefonoi vetë, dhe atëherë e lanë të lirë nga stacioni i policisë në rrugë. E liruan pas dhënies së deklaratës. Polici, kur e pyeta për çfarë, tha se di nga e kaluara çfarë ka pasur. Ai nga e kaluara s’ka asgjë. Pushkën e gjuetisë që kishte, ia kishin marrë para pesë vitesh. Pastaj e lidhën me Zumberin dhe ajo çështje u mbyll,“ tha Kasaloviq dhe shpjegoi se e kishin pyetur ku kishte qenë burri i saj para 13 vitesh, gjë që, siç tha vetë, „as që mund ta kujtoj.“

Ndërkohë, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se të gjithë të shtatë të ndaluarit janë liruar pas dhënies së deklaratave, ndërsa vetë aksioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve lidhur me vrasjen e një zyrtari të EULEX-it.