Petkoviq me Duen: Populli serb në Kosovë pret që UNMIK të reagojë ndaj të gjitha incidenteve të motivuara etnikisht

Petković i Due
Burim: Kosovo Online

Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, bisedoi sot me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefin e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Peter Due, të cilit i përcolli se populli serb në Kosovë pret që ky mision, me përgjegjësi të shtuar, të reagojë ndaj të gjitha incidenteve të motivuara etnikisht, sulmeve dhe cenimit të të drejtave ndaj të cilave serbët janë të ekspozuar nga Prishtina, njoftoi Zyra për KeM.

„Në këtë kontekst, Petkoviq nënvizoi veçanërisht arrestimet e motivuara politikisht të serbëve nga institucionet e përkohshme në Prishtinë, mes të cilëve janë edhe nëntë familjarë serbë nga Zubin Potoku, duke theksuar se popullit tonë në të gjitha këto procese i shkelet prezumimi i pafajësisë, i mohohet e drejta për mbrojtje efektive dhe se serbët ndalohen mbi baza etnike, pa prova të qarta për fajësinë e tyre, me qëllimin e vetëm të frikësimit dhe dëbimit të popullit tonë“, thuhet në njoftim.

„Është e papranueshme që në çështje të shumta, në të cilat shkelen të drejtat e serbëve, bashkësia ndërkombëtare të mbetet e heshtur dhe pa angazhim adekuat për mbrojtjen e tyre“, theksoi drejtori i Zyrës për KeM.


Petkoviq i bëri të ditur bashkëbiseduesit të tij edhe për të gjitha pengesat që Prishtina po i krijon lidhur me dialogun që zhvillohet në Bruksel, si dhe se regjimi i Albin Kurtit, me veprime të njëanshme, të kundërligjshme dhe përshkallëzuese, po minon të gjitha arritjet e deritanishme të negociatave, ndërkohë që prej 13 vjetësh refuzon ta formojë Asociacionin e Komunave  Serbe.

„Ai rikujtoi se pikërisht Aleksandar Vuçiq, së fundmi, në fjalimin e tij gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, vuri në dukje politikën e standardeve të dyfishta të bashkësisë ndërkombëtare ndaj popullit serb në Kosovë dhe Metohi, duke u angazhuar si aty, ashtu edhe në çdo forum tjetër, për më shumë të drejta dhe për një mbrojtje më të fuqishme dhe më të vendosur të popullit tonë në Kosovë dhe Metohi, me respektimin e plotë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së“, përfundojnë nga Zyra.