Petkoviq: Ne e kemi përsëritur propozimin tonë, Prishtina nuk është e gatshme për kompromis
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, pas takimit në Bruksel tha se gjatë raundit të sotëm të dialogut, delegacioni i Beogradit ka paraqitur një propozim të balancuar për zgjidhjen e problemit të transaksioneve të pagesave, por se Prishtina nuk është e gatshme për kompromis.
“Ne e kemi përsëritur edhe një herë qëndrimin tonë, propozimin tonë që nënkupton një zgjidhje kompromisi, nuk ka pasur vullnet të mjaftueshëm nga pala e Prishtinës për ta thënë kështu”, ka thënë Petkoviq, transmeton Juronjuz.
Siç ka theksuar ai, delegacioni serb ka shfrytëzuar rastin për të vënë në dukje edhe një herë pozitën e vështirë të popullit serb në Kosovë për shkak të pamundësisë për të marrë paga dhe pensione.
“Edhe një herë kemi avokuar fuqishëm që AKS të formohet sa më shpejt, theksova se kanë kaluar 4000 ditë që kur Prishtina e ka nënshkruar atë”, tha Petkoviq.
Ai ka bërë të ditur se për dhjetë ditë pret një ftesë tjetër nga i dërguari special i BE-së, Miroslav Lajçak, për takim për dinarin dhe pagesat.
“Gjithçka që po na ndodh deri më sot dhe të gjitha problemet me të cilat po ballafaqohemi nuk do të ekzistonin as sikur të kishim formuar AKS”, tha Petkoviq.
Ai po ashtu ka theksuar se Beogradi është palë e përkushtuar dhe kërkon zgjidhje në kuadër të dialogut dhe se lëvizjet e kryeministrit të institucioneve të përkohshme të Prishtinës, Albin Kurti, nuk mund të kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve.
“Ne duhet të përpiqemi për një kompromis, ne insistojmë që të gjendet një zgjidhje në kuadër të dialogut për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, ka theksuar Petkoviq.
komentet