Petkoviq: Pushteti në Prishtinë mohoi publikisht ekzistencën e popullit serb në Kosovë, a do të reagojë BE?
Drejtori i Zyrës për Kosovën dhe Metohinë të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se pushteti në Prishtinë, i udhëhequr nga Albin Kurti, sot mohoi publikisht ekzistencën e popullit serb në Kosovë dhe pyeti Bashkimin Evropian nëse më në fund do të reagojë. Skenat e sotme nga Kuvendi në Prishtinë ai i quajti segregacion të pastër racor ndaj serbëve dhe aparteid.
„Skenat e sotme në Kuvendin e Prishtinës, ku përfaqësuesve të Listës Serbe u mohohet e drejta për të folur dhe kërcënohen me të ashtuquajturën prokurori vetëm sepse me krenari theksojnë përkatësinë ndaj popullit serb, janë segregacion i pastër racor ndaj serbëve dhe aparteid, me qëllim që një popull i tërë të reduktohet në nivelin e një 'komuniteti'“, shkroi Petkoviq në rrjetin social „X“.
Ai theksoi se çdo përpjekje për mohimin e një populli është krim në vetvete, veçanërisht kur një mesazh i tillë vjen nga përfaqësuesit më të lartë të Prishtinës.
„Gjithçka që po përjeton populli serb – përndjekjet, arrestimet, rrënimi i shtëpive serbe, presionet ndaj gjuhës serbe dhe ndalimi i simboleve serbe – është pjesë e politikës së Prishtinës, e cila haptazi thotë se populli serb nuk ekziston“, porositi Petkoviq.
Albulena Haxhiu, e cila sot u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës, deklaroi në seancë se deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, kishte thënë diçka „të papranueshme“ gjatë paraqitjes së propozimit për nënkryetar të parlamentit.
Duke propozuar Sllavko Simiqin për nënkryetar të Kuvendit, deputeti Igor Simiq përmendi popullin serb.
„Në emër të popullit serb, me nënshkrimet e shumicës së deputetëve që mbajnë vendet e rezervuara për komunitetin serb, nëntë nga dhjetë, propozojmë zotin Slavko Simiq si kandidat për nënkryetar të Kuvendit“, tha shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiq.
Pas fjalës së Simiqit, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, shkroi në Facebook se propozimi i Listës Serbe është skandaloz dhe i papranueshëm, sepse „në Kosovë nuk ka popull serb“.
komentet