Petriç: Paqëndrueshmëria institucionale forcon qëndrimin e pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën
Ish-i dërguari special i Bashkimit Evropian për Kosovën, Volfgang Petriç, deklaroi se, në kohën e pasigurive të mëdha globale, është koha që votuesit të sillen si qytetarë aktivë dhe të përgjegjshëm, duke i dërguar një mesazh të qartë udhëheqjes politike se bllokadat e gjata institucionale nuk janë më të pranueshme dhe se institucionet duhet të funksionojnë. Ai theksoi se paqëndrueshmëria institucionale forcon qëndrimin e pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën.
“Nuk dua të ndërhyj në politikën e brendshme dhe nuk e di si do të përfundojnë zgjedhjet e ardhshme, por, në njëfarë mënyre, qytetarët duhet t’i thonë partisë dominuese dhe liderit të saj se tani është koha për të vepruar dhe për të bërë diçka”, tha Petriç.
Ish-diplomati austriak Volfgang Petriç porositi se qytetarët duhet të dërgojnë në zgjedhje një mesazh të qartë për udhëheqjen politike se bllokadat e zgjatura institucionale nuk janë më të pranueshme dhe se institucionet duhet të funksionojnë.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Petriç vlerësoi se zgjedhjet e shpeshta, rivalitetet personale dhe mungesa e kompromisit kanë bërë që Kosova të mbetet në margjinë në një kohë kur arkitektura e sigurisë dhe ajo politike e Evropës po ndryshon për shkak të luftës në Ukrainë, krizës në Lindjen e Mesme dhe dobësimit të garancive amerikane të sigurisë.
Sipas tij, në vend që të njihet si një demokraci e vogël por e besueshme, Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si një pikë shtesë e paqëndrueshmërisë në periferi të Evropës.
Petriç konsideron se 18 muaj pa stabilitet institucional janë një periudhë tepër e gjatë për një shoqëri me situatë të brishtë sigurie dhe paralajmëron se një gjendje e tillë forcon më tej qëndrimet e pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën.
“Çfarë po njohim ne? Për një vit e gjysmë nuk kanë mundur të kenë një qeveri stabile, nuk kanë mundur të zgjedhin presidentin”, tha Petriç, duke u bërë thirrje qytetarëve që do të votojnë më 7 qershor të kërkojnë përgjegjësi dhe institucione funksionale nga liderët politikë. Ai vlerësoi se pikërisht votuesit mund të kontribuojnë në afrimin me standardet evropiane dhe në përshpejtimin e rrugës evropiane të Kosovës.
0 komentet