Radakoviq: Paralajmërimi i Kurtit për themelimin e xhandarmërisë është pjesë e fushatës parazgjedhore
Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike (ACDC), Dushan Radakoviq, deklaroi se pretendimet e kryeministrit të Kosovës në detyrë teknike, Albin Kurti, për nevojën e themelimit të një xhandarmërie janë pjesë e fushatës parazgjedhore, duke theksuar se në veri ka më shumë baza policore sesa në Izrael dhe Palestinë.
Lidhur me deklaratën e Kurtit se gjatë viteve të fundit janë regjistruar sulme të shumta, veçanërisht në veri të Kosovës, Radakoviq theksoi se shumë më tepër incidente ndodhin në Prishtinë dhe në zona të tjera me shumicë shqiptare sesa në veri.
“Nëse shohim sa baza kemi në veri, besoj se ka më pak baza në Izrael dhe Palestinë sesa kemi ne në veri të Kosovës. Ato vazhdojnë të hapen dhe po hapen ende. Javën e kaluar u hapën dy ose tri baza. Nuk dimë më as t’i numërojmë sa janë. Ndërsa që nga rasti i Banjskës në vitin 2023 e deri më sot, nuk kemi pasur asnjë incident serioz. Atëherë, përse kaq shumë baza, kaq shumë polici dhe kaq shumë njësi speciale në veri, kur nuk kemi pasur asnjë incident? Kemi më shumë probleme dhe vrasje në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe pjesë të tjera të Kosovës, ku nuk kemi baza të tilla dhe as njësi të tilla speciale”, tha Radakoviq.
Ai shtoi se nuk do të kishte asgjë kundër formimit të xhandarmërisë nëse ajo do të kontribuonte realisht në përmirësimin e sigurisë në të gjithë territorin e Kosovës, por dyshon se ky është qëllimi i vërtetë i kësaj nisme.
“Kam frikë se kjo është thjesht një pamflet i fushatës parazgjedhore”, tha Radakoviq.
Kryeministri i Kosovës në detyrë teknike, Albin Kurti, deklaroi se themelimi i xhandarmërisë është i nevojshëm për t’iu përgjigjur sfidave aktuale të sigurisë dhe për të mbushur boshllëkun ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ai shtoi se xhandarmëria do të kishte mandat të siguronte “vijën kufitare tokësore, ujore dhe ajrore, të zhvillonte operacione kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, të luftonte kontrabandën dhe të mbronte infrastrukturën kritike”.
0 komentet