Shoqëria civile: Ngacmimi i grave po rritet në veri të Kosovës, institucionet pa reagim
Organizatat e shoqërisë civile kanë paralajmëruar se në javët e fundit ka pasur një rritje të rasteve të ngacmimit të grave dhe vajzave në veri të Kosovës, me vlerësimin se institucionet, veçanërisht Policia e Kosovës, nuk po reagojnë në mënyrë adekuate.
Qendra për Veprime Sociale Afirmative (CASA), Iniciativa e Re Sociale (NSI), Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial (InTER), Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC) dhe OJQ-ja Aktiv kërkojnë veprime urgjente nga bashkësia ndërkombëtare, kryesisht nga EULEX-i, me qëllim sigurimin e mbrojtjes së qytetarëve dhe funksionimin e sundimit të ligjit.
Në deklaratë, ata deklarojnë se sulmet kryhen më shpesh nga civilë që vijnë nga drejtimi i jugut të Mitrovicës, përfshirë rastet kur viktimat janë të mitura. Ata theksojnë se përpjekjet e qytetarëve për të raportuar incidentet nuk morën përgjigje dhe në disa raste dëshmitarët u vunë nën presion nga oficerët e policisë.
"Shpeshtësia dhe vazhdimësia e këtyre incidenteve tregojnë një problem sistemik dhe mosfunksionimin e strukturave të sigurisë. Qytetarët i janë drejtuar vazhdimisht Policisë së Kosovës për të siguruar sigurinë për të gjithë, por këto thirrje mbeten pa përgjigje. Inspektorati i Policisë së Kosovës nuk tregon performancë të dukshme në mbikëqyrjen dhe procedurat disiplinore në raste të tilla, ndërsa mekanizmat e mbikëqyrjes civile mbi punën e policisë janë jashtëzakonisht të kufizuara", theksojnë organizatat.
Ata gjithashtu kërkojnë që EULEX-i të rrisë praninë e tij në komunat veriore dhe të sigurojë që gjetjet dhe rekomandimet e tyre të kenë një efekt konkret institucional.
EULEX-it i kërkohet t’u përgjigjet pyetjeve nëse i monitoron dhe i dokumenton këto incidente, cilat janë gjetjet e tyre dhe çfarë po bëjnë për të siguruar përgjegjësinë institucionale dhe mbrojtjen e qytetarëve, veçanërisht të komuniteteve jo-shumicë në veri të Kosovës.
Organizatat nënshkruese thonë se besimi i qytetarëve në institucione mund të rikthehet vetëm përmes punës transparente, të përgjegjshme dhe efektive - si të aktterve vendas ashtu edhe nga ata ndërkombëtarë.
komentet