Simiq: Lista Serbe dorëzoi ankesë në Gjykatën Supreme për shkak të certifikimit të kandidatëve në listën e Rashiqit

Igor Simić
Burim: Kosovo Online

Kandidati për deputet dhe anëtar i kryesisë së Listës Serbe, Igor Simiq, deklaroi se kjo parti ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) refuzoi ankesën e saj lidhur me certifikimin e kandidatëve nga lista e Nenad Rashiqit, të cilët nuk i përkasin komunitetit serb, për vendet e rezervuara për serbët.

“Edhe këtë herë, në mënyrë edhe më drastike, përmes precedentit që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar persona që ndodhen në listën e kandidatëve të të preferuarit të Prishtinës, Nenad Rashiq, dhe që nuk i përkasin popullit serb. Në këtë proces zgjedhor, Prishtina lejoi që persona që i përkasin komunitetit boshnjak dhe malazez të kandidojnë për vende që sipas Kushtetutës janë të rezervuara për serbët”, tha Simiq në një postim në Instagram.

Simiq tha se PZAP si arsye për refuzimin e ankesës së Listës Serbe ka përmendur faktin se kjo parti nuk ka ofruar prova bindëse se Alil Gjërleku i përket ndonjë kombësie tjetër dhe jo asaj serbe, si edhe Lazar Radulloviqi, i cili publikisht është deklaruar si pjesëtar i popullit malazez dhe ka qenë kryetar i Shoqatës së Malazezëve në Kosovë.

“Në këtë mënyrë dikush dëshiron t’ua pamundësojë serbëve që vetë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre politikë, të kenë atë që u garantohet me Kushtetutë, pra vendet e rezervuara në atë parlament, dhe që këto vende t’u mundësohen pjesëtarëve të ndonjë komuniteti tjetër”, vlerësoi ai.

Simiq gjithashtu i bëri thirrje Radulloviqit dhe Gjërlekut që të deklarohen nëse është e vërtetë ajo që pretendon Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, respektivisht se Lista Serbe gabon kur thotë se ata nuk janë pjesëtarë të komunitetit serb.