Simiq në parlament sërish vuri në dukje gjendjen e keqe të rrugëve në veri dhe urën afër Lleposaviqit
Deputeti i Listës Sërbe Sllavko Simiq pyeti sot ministrin kosovar të infrastrukturës Dimal Bashën në lidhje me urën e dëmtuar në Komunën e Lleposaviqit dhe përsëriti gjendjen e keqe të aksit rrugor Jarinje-Mitrovicë dhe rrugën rajonale Dren-Belo bërdo.
“Në fillim të vitit, për shkak të nivelit të lartë të ujit të Ibrit, u dëmtua ura që lidh fshatrat Beluqe, Drenovë, Borovo, Potko dhe fshatra të tjerë me Leshkën. Kjo urë lidh të gjitha këto fshatra me rrugën kryesore Jarinje-Mitrovicë me komunitetin dhe institucionet vendore. Si pasojë e dëmtimeve serioze, ura prej kohësh ka qenë e mbyllur për trafik, pasagjerë dhe mallra, ndërsa nuk është bërë analizë e plotë e dëmit dhe nëse është e përdorshme apo jo", spegoi Simiq.
Ky i fundit kujtoi se Ministria e Infrastrukturës angazhoi kompani private për analizimin e dëmit.
"Prej kohësh nuk pati përgjigje nga Ministria për gjendjen e urës. Në fillim, u justifikuan se ishin shpallur zgjedhje parlamentare, se nuk kishte udhëheqje dhe se nuk mund të merrnin ndonjë vendim dhe se pas ndonjë kohe, pa bashkëpunim me vetëqeverisjen vendore në Lleposaviq, Ministria nën asistencën e policisë, vendosi sinjalistikë në urë, pa spegime me Komunën dhe qytetarët", tha Simiq.
Ai pyeti nëse Ministria mori analizën e dëmtimit të urës, nëse ajo është e përdorshme dhe nëse ka pasur komunikim me Komunën e Lleposaviqit, nëse kjo urë duhet të rindërtohet apo ndërtohet e re, që të zgjidhet përgjithmonë problemi me të cilin përballen qytetarët.
Basha u përgjigj se bëhet fjalë për urë në rrugë lokale, e cila nuk është nën juridiksionin e Ministrisë, por duke marrë parasysh dëmin dhe rrezikun për qytetarët, është angazhuar kompania që ka kryer analizë dhe përgatiti raportin.
"Morëm raportin dhe u arrit në konkluzionin se ura është mjaft e vjetër. Që do të thotë se për të nuk mund të kalojnë mjete të rënda. Ndaj kemi vendosur sinjalistikë të përkohshme për të ridrejtuar trafikun deri në ndërtimin e urës së re", spegoi Basha.
Ky i fundit shtoi se Ministria do të vendosë kontakt me Komunën e Lleposaviqit për të përcaktuar nëse autoritetet vendore kanë projekt të gatshëm dhe nëse kanë ndonjë kompani që do të projektojë ndërtimin e urës së re.
Vuri në dukje se ndonjëherë komunat kanë kontrata projektimi me kompanitë.
"Nëse Komuna nuk ka një projekt dhe as kompani që do të merrej me të, ne do t’a ndihmojmë. Por, ky nuk është vetëm rast për Veriun, por edhe për të gjitha komunat e tjera. Përsa i përket financimit, duhet menjëherë që në fillim me Komunën të kontrollojmë nëse kanë fonde të mjaftueshme për realizimin e projektit", tha Basha.
Pyetja e dytë e Simiqit lidhej me aksin rrugor Jarinje-Mitrovicë me një gjatësi prej 52 km.
"Ministër, kjo rrugë është në gjendje kaotike, ashtu si edhe rruga në territorin e Komunës së Lleposaviqit Dren-Belo bërdo, e cila është rrugë rajonale. Për këtë rrugë jeni përgjegjës për mirëmbajtjen e të dyjave që ndodhen në gjendje të keqe dhe të rrezikshme për shoferët", paralajmëroi Simiq.
Ky i fundit kujtoi se në njërën nga seancat kuvendore tha problemin dhe se kishte përcjellë në formën e shkruar kërkesë të mbështetur nga 40 foto, në të cilat shikohen se egzistojnë qindra gropa, shumë dëme dhe dhera që nuk po pastrohen.
Gjithashtu, thotë se rruga nuk ka sinjalistikë të rregullt të trafikut.
"Kompania që keni punësuar tre vitet e kaluara shfaqet një herë në vit me një kamionçinë dhe një kontejner, pa shenja paralajmëruese për kryerjen e punimeve. Të gjithë ne në veri jemi të interesuar se cilën kompani keni punësuar për mirëmbajtjen e këtyre dy rrugëve, cila është vlera e kontratës dhe për çfarë periudhe kohore është nënshkruar, si dhe cilat janë detyrimet e tyre kontraktuale. Nëse janë të detyruar të marrin pesë milionë euro dhe nuk bëjnë asgjë, atëherë na tregoni që qytetarët t’a dinë. Nëse detyrimi është t'i mirëmbajmë ato çdo ditë, këto dy drejtime rrugore duhet të punojnë dhe të krijojnë kushte elementare për përdorimin e atyre rrugëve", nënvizoi Simiq.
Basha u përgjigj se nuk di emrin e kompanisë që merret me mirëmbajtjen e këtyre rrugëve, por që mund të paraqitet kërkesë për inspektim të dokumenteve, pasi ato janë publike.
Shtoi se kompania ka kryer riparimin e gropave sipas nevojave në terren.
Basha tha se dimrin e kaluar ka pasur dëme të reja, të cilat janë identifikuar dhe se ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës, përfshirë hapjen e kanaleve, pastrimin dhe heqjen e materialit të dalë.
"Nga menaxheri i kompanisë, mora foto që tregojnë riparimin e gropave si provë të ndërhyrjes. Përsa i përket rrugës Dren-Belo bërdo dhe kjo rrugë do të riparohet", tha Basha.
0 komentet