Simiq për thirrjen e prokurorit: Presion politik ndaj popullit serb

1
Burim: Kosovo Online

Anëtari i Kryesisë së Listës Serbe, Igor Simiq, deklaroi sot se thirrja e prokurorit, e cila i është dorëzuar atij dhe edhe katër anëtarëve të tjerë të kësaj partie, paraqet presion politik ndaj popullit serb, duke theksuar se do t’i përgjigjet thirrjes, pasi, siç thotë, nuk ka asgjë për të fshehur.

„Para së gjithash, kjo nuk është ndjekje e Igor Simiqit, Ivan Zaparoshcit, Ivan Todosijeviqit, Zoran Todiqit dhe Vasilije Tomasheviqit. Kjo është ndjekje e popullit serb dhe e nesh si përfaqësues ligjorë dhe legjitimë të këtij populli dhe ne e përjetojmë pikërisht kështu. Do t’i përgjigjem thirrjes, natyrisht, jo sepse kam pritshmëri të mëdha nga sistemi i drejtësisë në territorin e Kosovës dhe Metohisë, por sepse e di që nuk kemi asgjë për të fshehur. Kemi punuar në përputhje me ligjin, në interes të qytetarëve, për t’u ofruar shërbime të gjithëve, në mënyrë që njerëzit të mund të kenë një jetë normale, të denjë për njeriun në shekullin 21.“, tha Simiq për Kosovo online.

Anëtari i Kryesisë së Listës Serbe konsideron se pas këtyre procedurave fshihen motive politike dhe se qëllimi është t’ua vështirësojnë punën përfaqësuesve të popullit serb.

„Kjo dëshmon faktin se dikujt në Prishtinë nuk i përshtatet që njerëzit që luftojnë për popullin serb të jenë të lirë të bëjnë punën e tyre në mënyrën që e bëjnë. Ne, si njerëz që vijmë nga ky popull, ndajmë fatin me të gjithë të tjerët që shpesh janë në shënjestër të institucioneve të Kosovës përmes proceseve të ndryshme të montuara, përmes thirrjeve dhe gjithçkaje tjetër që po ndodh këto ditë në territorin e Kosovës dhe Metohisë“, tha ai.

Simiq vlerëson se veprimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, janë përpjekje që, në mungesë të zgjidhjeve për problemet e qytetarëve, të ndërtojë pikë politike përmes presionit ndaj serbëve.

„Fakti është se Kurti nuk ka çfarë t’u ofrojë qytetarëve në territorin e Kosovës dhe Metohisë. E vetmja gjë që mund të bëjë në këtë moment është që, përmes procedurave të tilla ose përmes gjithçkaje që ka bërë gjatë disa viteve të fundit, të ndërtojë një imazh të një shqiptari të madh, duke u përpjekur t’i vendosë serbët në rrethana në të cilat është thjesht e pamundur të mbijetojnë. Populli serb ka dëshmuar se është i gatshëm të luftojë në mënyrë paqësore për të drejtën e tij, për të qëndruar dhe për të jetuar në tokën e vet, sepse më e rëndësishmja është se ne jemi në vendin tonë dhe nuk do të largohemi prej këtu, pasi nuk shohim absolutisht asnjë arsye për t’i braktisur trojet tona, pavarësisht presionit ndaj të cilit jemi të ekspozuar“, përfundoi Simiq.

Më herët gjatë ditës, Lista Serbe njoftoi se përfaqësuesve të kësaj partie, Igor Simiqit, Ivan Zaparoshcit, Ivan Todosijeviqit, Zoran Todiqit dhe Vasillije Tomasheviqit, u është dorëzuar thirrja e prokurorit lidhur me procedurën që zhvillohet ndaj tyre që nga viti 2024, duke theksuar se kjo paraqet vazhdim të presionit institucional dhe pjesë të një plani të drejtuar kundër serbëve.