Spahiu: OSBE është e vetmja organizatë që lidh Rusinë dhe Perëndimin
Analisti politik Nejmedin Spahiu thotë se Osbe është e vetmja organizatë që lidh Rusinë dhe Perëndimin, dhe se për këtë arsye është e kuptueshme që diplomatë nga Turqia dhe Greqia janë zgjedhur si sekretar të përgjithshëm të OSBE dhe drejtues të Zyrës për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut të kësaj organizate, sepse ato dy vende, siç thotë ai, kanë marrëdhënie të mira me Rusinë.
Kujtojmë se në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE është emëruar Feridun Sinirlioglu nga Turqia, ndërsa Zyra e OSBE për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (Odihr) do të drejtohet nga Maria Telalian nga Greqia.
“Rusia është ende anëtare e OSBE dhe Turqia është një fuqi perëndimore që ka ende marrëdhënie të mira me Rusinë dhe kjo mund të jetë arsyeja pse u zgjodh një turk në krye të OSBE, për ta mbajtur këtë organizatë dhe për ta bërë atë të funksionojë, sepse kjo është e vetmja organizatë që lidh Rusinë dhe Perëndimin pas bojkotit të plotë të Rusisë nga vendet perëndimore në organizata të tjera”, thotë Spahiu.
Lidhur me zgjedhjen e Telalianit në krye të Odihr-it, ai thekson se edhe pse Greqia i përket Perëndimit, ai vend ka lidhje të ngushta ortodokse me Rusinë.
Duke komentuar faktin se kandidati i Shqipërisë, Igli Hasani, nuk u zgjodh si sekretar i përgjithshëm i OSBE, Spahiu thotë se nuk beson se Tirana është e zhgënjyer pasi nuk ka qenë veçanërisht e interesuar për postin.
“Ata ofruan veten, por kur e panë marrëveshjen për ekipin që u përzgjodh, u tërhoqën”, thotë Spahiu.
0 komentet