Stano: Marrëveshja e Ohrit është e detyrueshme për të dyja palët, të zbatohet pa vonesa ajo që është rënë dakord

Peter Stano
Burim: Kosovo Online

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Marrëveshja e Ohrit është detyrueshme për të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, dhe shtoi se i takon Serbisë të përgjigjet në pyetjet nëse, kur dhe pse e ka tërhequr letrën nga dhjetori 2023, me të cilën ka shprehur rezervat ndaj Marrëveshjes së Ohrit.

Siç u shpreh ai, pozicioni i Bashkimit Evropian ka qenë gjithmonë i njëjtë, dhe ai është që të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen nga të dyja palët pa vonesa.

"Pozicioni i vazhdueshëm i Bashkimit Evropian është se Marrëveshja e Ohrit është ligjore dhe të dyja palët kanë detyrimin ta zbatojnë atë," tha Stano.

Ai shtoi se ekziston një nen që thotë se kjo marrëveshje bëhet pjesë e procesit të integrimeve evropiane për të dyja palët.

"Kjo është një marrëveshje legale që është pranuar në Ohër dhe të dyja palët duhet të punojnë pa asnjë vonesë të mëtejshme për zbatimin e kësaj marrëveshjeje," tha ai.

Me këmbënguljen e gazetarëve për të sqaruar se kur Serbia e tërhoqi letrën që ish-kryeministrja Ana Brnabiq i dërgoi BE-së në të cilën deklaronte se Serbia nuk e pranon atë marrëveshje, Stano shprehet se është një dokument përfundimtar dhe ndërkombëtarisht i detyrueshëm për të dyja palët.

Ai kujtoi vërejtjet dhe komentet e shumta të anëtarëve të BE-së, por edhe të Komisionit Evropian, se të dyja palët janë të obliguara ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit.

Nëse nuk e bëjnë këtë, thotë ai, nuk do të mund të vazhdojnë rrugëtimin e tyre evropian.

“Ajo që është e qartë është se për ne ky është një dokument përfundimtar dhe ndërkombëtarisht i detyrueshëm si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë dhe nuk kemi nevojë për ndonjë marrëveshje të mëtejshme. Ajo që na duhet tani dhe që është një mesazh i përsëritur për Prishtinën dhe Beogradin dhe nga Brukseli dhe nga kryeqytetet e shteteve anëtare, por edhe nga Uashingtoni, është që zbatimi të kryhet menjëherë, sepse nëse nuk ka zbatim, nuk do të ketë përparim në procesin e anëtarësimit në BE”, tha Stano.

I dërguari i posaçëm për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, gjatë vizitës së tij në Prishtinë javën e kaluar konfirmoi se letra e dërguar nga kryeministrja e atëhershme serbe, Ana Brnabiq, Bashkimit Evropian në dhjetor të vitit të kaluar, në të cilën ajo shprehte rezerva për disa pjesë të Marrëveshjes së Ohrit, gjegjësisht prezantonte vijat e kuqe të Serbisë për Kosovën, është tërhequr.