Staroviq për APA: Beogradi kërkon lirimin urgjent dhe pa kushte të Popoviqit, Kurti udhëheq politikë të brendshme në kurriz të komunitetit sërb
Ministri për integrimin europian të Sërbisë Nemanja Staroviq në një intervistë për Agjencinë Austriake të Lajmeve APA, ka kritikuar qeverinë e Prishtinës për arrestimin e ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovë e Metohi Igor Popoviq duke thënë se Albin Kurti udhëheq politikë të brendshme në kurriz të komunitetit sërb dhe kërkoi lirimin urgjent dhe pa kushte të Popoviqit.
Staroviq tha se arrestimi i Popoviqit paraqet shkelje të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2012 e cila, siç kujtoi u jep përfaqësuesve të autoriteteve të Sërbisë, të drejtën për të vizituar Kosovën me njoftim paraprak.
“Ndihmësshefi i Zyrës për Kosovë e Metohi u arrestua pasi mori pas pjesmarrjes në përkujtimoren e masakrës ndaj sërbëve kosovarë dhe tani përballet me dënim me burg deri në tetë vjet. Beogradi kërkon lirimin e tij të menjëhershëm dhe pa kushte”, theksoi Staroviq për agjencinë APA.
Ai akuzoi kryeministrin kosovar në mandatin teknik, Albin Kurti, se po udhëheq politikë të brendshme në dëm të komunitetit sërb.
"Pasi humbi shumicën në zgjedhjet e fundit, ai është në funksion vetëm me mandat teknik dhe nuk mund të zbatojë premtimet parazgjedhore që lidhen me ekonominë apo luftën kundër korrupsionit. E vetmja çka mund t'u ofrojë zgjedhësve të vet, është shtypja e komunitetit sërb në Kosovë", kritikoi ministri sërb.
Beogradi pavarësisht kësaj, është i gatshëm për dialog me Prishtinën.
Staroviq tha se Sërbia është e gatshme të bëjë “kompromise mjaft të vështira” me Kosovën, sepse Beogradi dëshiron të “normalizojë plotësisht” marrëdhëniet e saj me Prishtinën.
"Por kjo nuk duhet të jetë lojë me shumë zero, ku njëra palë humbet gjithçka dhe pala tjetër fiton gjithçka. Duhet të ketë kompromis", tha Staroviq.
APA kujton se Kosova shpalli njëanshmërisht pavarësinë e vet në vitin 2008 e cila u njoh nga 22 prej 27 vende anëtare të BE dhe se Beogradi ende e konsideron Kosovën pjesë të territorit të vet dhe është veçanërisht i përkushtuar ndaj pjesës veriore me shumicë popullsie sërbe.
Pyetjes sesi do të ishte e mundur pranimi në BE për Sërbinë dhe Kosovën duke pasur parasysh çështjen e pazgjidhur të statusit, Staroviq u përgjigj se kjo është sfidë e madhe për të cilën Beogradi është plotësisht i vetëdijshëm.
"Por që jemi gjithashtu të vetëdijshëm se Bashkimi Europian përherë ka aplikuar zgjidhje praktike dhe krijuese", shtoi ai, duke treguar shembullin e Qipros e cila u pranua si anëtare e Unionit në vitin 2004 pavarësisht konfliktit të pazgjidhur mbi pjesën veriore të vendit, e cila është nën pushtimin turk, si dhe Ukrainës.
Staroviq gjithashtu nënvizoi interesin e Sërbisë për t'u bashkuar me BE dhe insistoi në çeljen e shpejtë të kapitujve të mëtejshëm në negociatat e pranimit.
Tregoi se Sërbia dëshiron që deri në fund të muajit të miratojë reforma të rëndësishme në fushat e zgjedhjeve dhe medias dhe shpreson që Kapitulli 3 të mund të çelet në shtator.
“Nëse jo në shtator, atëherë kjo duhet të ndodhë patjetër gjatë presidencës daneze”, tha Staroviq, duke kujtuar se Komisioni Europian prej tri vitesh e gjysmë rekomandoi çeljen e këtij kapitulli. Duke pasur parasysh procesin e mundimshëm të negociatave, Staroviq mbështeti zvogëlimin e mundësisë së të drejtës kombëtare të vetos në këtë fushë.
"Në këtë proces egzistojnë 100 vendime që duhet të merren unanimisht. Nëse këtë e shumëzoni me 27, keni 2,700 pengesa potenciale politike", spegoi ai.
Ndaj, në të ardhmen, unanimiteti duhet të kërkohet vetëm në fund të fazave të negociatave dhe jo në hapje, sugjeroi ministri.
Ai nuk e shikon mbështetjen e moderuar të popullsisë për anëtarësimin në BE "si pengesë të rëndësishme në rrugën drejt Unionit Europian".
Kujtoi dhe se në Kroaci një vit para se të anëtarësohej në BE, mbështetja ishte vetëm 37%, ndërsa në Sërbi aktualisht është 46%.
Staroviq gjithashtu tentoi të largonte dyshimet në lidhje me qëndrimin e Sërbisë ndaj Ukrainës.
“Nëse na kritikojnë se nuk po bëjmë mjaftueshëm për Ukrainën, përgjigjja ime është e thjeshtë: Lërini ukrainasit të flasin vetë”, tha ai, duke treguar ndihmën që Beogradi i dha Kievit.
Staroviq shtoi se Sërbia nuk i mbështet sanksionet e BE ndaj Rusisë sepse ato “nuk do të ndikonin fare tek Moska, por tek ekonomia sërbe në shkallë të gjerë”, dhe se si vend jashtë BE nuk e ka rrjetën e sigurisë së anëtarësimit në BE.
Staroviq në këtë këndvështrim bëri krahasim me pandeminë, kur Kroacia mori 22 miliardë euro nga fondet europiane, ndërsa Sërbia "pothuajse asgjë", më saktësisht 165 milionë euro.
Megjithatë, thotë ai, Sërbia është gati t’i bashkohet plotësisht sanksioneve të BE "kur anëtarësimi në BE të jetë në horizont", çka do të thotë vetëm disa muaj para datës së pranimit.
Beogradi gjithashtu "dënoi qartë dhe pa mëdyshje pushtimin rus të Ukrainës që nga dita e parë", kujtoi ai.
Sërbia, shton ai, mbështet anëtarësimin e Ukrainës në BE.
Gjithashtu shprehu kënaqësinë që Ukraina i dha shtysë vetë procesit të zgjerimit.
"Tashmë na takon neve në Ballkanin Perëndimor të bëhemi pjesë e këtij vrulli", theksoi ai.
Staroviq si shembull përmendi zgjatjen e miratuar së fundmi të Rregullores së BE për roming në Ukrainë, pas disa vitesh përpjekjesh të pasuksesshme nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Kur kjo u miratua për Ukrainën, nuk kishte më argument për të na e mohuar”, theksoi ai dhe shtoi se Rregullorja, e cila do të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2026, përfaqëson “arritjen më të madhe qysh nga liberalizimi i regjimit të vizave me hapësirën Shengen”.
“Kjo ishte në vitin 2009, para 16 vitesh” kujtoi ai.
Në konfliktin rreth Bosnjë-Hercegovinës, Staroviq riafirmoi angazhimin e Beogradit ndaj integritetit territorial të shtetit, por i bëri thirrje përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Kristijan Shmit, të tregojë përmbajtje.
Gjithashtu beson se ndalimi i hyrjes që Gjermania dhe Austria i vendosën presidentit të Republikës së Sërbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, ishte kundërproduktiv.
"Kjo nuk është diçka që nuk mund të arrijë rezultate të prekshme", tha Staroviq.
Çmoi rolin e forcave ndërkombëtare të BE në Bosnjë, gjysma e të cilave janë ushtarë austriakë.
EUFOR Altea "siguron stabilitet dhe siguri" në vend dhe për këtë arsye luan rol të rëndësishëm”, tha ai.
I pyetur për protestat në Sërbi, Staroviq tha se "për fat të mirë, situata kryesisht është qetësuar".
Protestat, thotë ai, arritën kulmin në mars, por tani po bëhen gjithnjë e më të dhunshme.
Tha se objekte të tilla si kontejnerët e mbeturinave tani po përdoren për të bllokuar trafikun dhe politikanët e lartë po shqetësohen në shtëpitë e tyre private.
"Vetëm dy ditë më parë, erdhën tek objekti im dhe bërën zhurmë, duke trembur fëmijët e mi të mitur. Kjo është totalisht e papranueshme. Kjo është diçka që e kemi parë vetëm me nazistët e SA në Gjermani në vitet ‘30", spegoi ai.
Kur është fjala për refuzimin e zgjedhjeve të parakohshme, shton, kjo ndodh për shkak të qëllimeve të pandershme të opozitës.
"Ata pretendojnë se duan zgjedhje vetëm për t'i bojkotuar dhe për t'i shpallur të paligjshme", tha ai dhe hodhi poshtë akuzën për kushte të padrejta, për shembull për shkak të dominimit të supozuar të medias pro-qeveritare.
“Nga njëra anë, askund në Europë nuk ka “kushte të përsosura” dhe nga ana tjetër, momentalisht po bëhet reforma në media”, shtoi ai.
Akuzat, thotë ai, janë vetëm justifikim për "performancën e dobët" të opozitës.
“Askush nuk mund të më thotë se kishim peizazh mediatik apo procese zgjedhore më të mira gjatë epokës së Sllobodan Millosheviqit, megjithatë opozita arriti fitore bindëse në vitin 2000”, kujtoi Staroviq.
“Nëse thua se disa papërsosmëri të vogla janë arsyeja përse humb çdo zgjedhje, atëherë kjo është vetëm justifikim”, përfundoi Staroviq.
0 komentet