Staroviq: Letra e Mertzit tregoi se është njohur nevoja për ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit
Ministri për Integrime Evropiane i Serbisë, Nemanja Staroviq, deklaroi sot se letra e kancelarit gjerman Friedrich Merz, në të cilën propozohet një qasje e privilegjuar në tregun unik evropian dhe lidhje më të afërta me institucionet evropiane në procesin e përditshëm të vendimmarrjes për Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë, tregon se të gjithë e kanë njohur nevojën për ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit të BE-së, transmeton RTV.
Staroviq vlerësoi se askush nuk mund të jetë plotësisht i kënaqur me përmbajtjen e letrës, por se është e rëndësishme që për këtë po diskutohet.
“Vetë fakti që kemi këtë debat, dhe që në këtë debat është përfshirë edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, tregon se të gjithë e kanë njohur nevojën që metodologjia e zgjerimit të BE-së të ndryshojë, dhe kjo në vetvete është diçka e mirë. Nëse hyjmë në përmbajtje, natyrisht që askush nuk mund të jetë tepër i kënaqur. Në fund të fundit, as vetë ukrainasit nuk janë të kënaqur, sepse në këtë propozim ndoshta shohin degradim nga anëtarësimi i plotë, të cilin e prisnin dhe ua kishin premtuar shumëkush, në një lloj anëtarësimi të asociuar. As ne nga Ballkani Perëndimor nuk mund të jemi të kënaqur”, tha Staroviq për Pink TV.
Ministri theksoi se beson fuqishëm që para fundit të këtij viti debati i nisur do të rezultojë me një metodologji të re që do të jetë më e mirë për Serbinë krahasuar me atë ekzistuese.
“Besoj fuqishëm se diku gjatë këtij viti, dhe sigurisht para fundit të vitit 2026, ky debat që po zhvillohet do të rezultojë me konceptin e një metodologjie të re, e cila për ne do të jetë padyshim më e mirë se ajo ekzistuese. Të gjithëve u është bërë e qartë se sistemi i zgjerimit nuk mund të funksionojë më kështu, ku vetë anëtarësimi vendoset si një objektiv lëvizës”, tha Staroviq.
Sipas tij, është e rëndësishme që Serbia, në rrugën drejt anëtarësimit, të marrë përfitime konkrete për qytetarët dhe ekonominë e saj.
“Është e rëndësishme të kemi një parim gradualiteti, pra që në rrugën drejt anëtarësimit të fitojmë përfitime konkrete për qytetarët tanë dhe për ekonominë tonë, dhe kjo është ajo në të cilën insiston edhe presidenti Vuçiq kur flet për nevojën që të realizojmë plotësisht katër liritë evropiane”, porositi Staroviq.
Ministri theksoi se gjatë Samitit në Shkup kishte deklaruar se nuk ka më kuptim të shtyhet heqja e roamingut për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht pasi Ukrainës dhe Moldavisë u është miratuar anëtarësimi në zonën pa roaming.
komentet