Staroviq në Uashington me kongresmenë amerikanë për forcimin e marrëdhënieve serbo-amerikane
Ministri për Integrime Evropiane, Nemanja Staroviq, bisedoi sot në Uashington me kongresmenin Patrick Harrigan nga Karolina e Veriut dhe kongresmenin Robert Aderholt nga Alabama, të cilët shprehën interesim të madh për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve amerikano-serbe, veçanërisht në kontekstin e Dialogut Strategjik të ardhshëm mes dy vendeve.
Kongresmeni Aderholt pranoi ftesën për t’iu bashkuar Grupit Serb në Kongresin e SHBA-së, ku kongresmeni Harrigan është anëtar prej më herët, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ministri Staroviq u takua gjithashtu me Ellen Germain, të dërguarën speciale të Departamentit të Shtetit për çështjet e Holokaustit.
“Në bisedë u shkëmbyen mendime mbi përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër antisemitizmit në rritje në mbarë botën, si dhe kundër revizionizmit dhe shtrembërimit të historisë së Luftës së Dytë Botërore, që është veçanërisht i pranishëm në disa vende”, thuhet në njoftim.
Shtohet se Staroviq, si shef i delegacionit të Republikës së Serbisë pranë Aleancës Ndërkombëtare për Kujtesën e Holokaustit (IHRA), realizoi gjithashtu takime përmbajtësore me përfaqësues të Komitetit Amerikano-Izraelit për Çështje Publike (AIPAC) dhe Komitetit Hebraik Amerikan.
komentet