Staroviq: Serbia e përkushtuar për fillimin e dialogut strategjik me SHBA
Ministri për Integrime Evropiane i Serbisë, Nemanja Staroviq, u takua sot me delegacionin e ekspertëve dhe këshilltarëve nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilët bisedoi për avancimin e marrëdhënieve serbo-amerikane dhe theksoi se Serbia është e përkushtuar për fillimin e dialogut strategjik me SHBA-në në fushat me interes të përbashkët.
Delegacioni amerikan, i cili po qëndron për vizitë në Beograd në kuadër të një vizite pune në rajon, përbëhet nga bashkëpunëtorë të kongresmenëve nga shtetet federale të Nju Jorkut, Floridës, Viskonsinit, Karolinës së Veriut, Ilinoisit, Virxhinias dhe Misurit.
Staroviq tha se Serbia i kushton rëndësi të madhe zhvillimit dhe avancimit të marrëdhënieve serbo-amerikane, të bazuara në respekt reciprok dhe forcimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Integrime Evropiane.
Ai theksoi se Serbia është fuqishëm e përkushtuar për fillimin e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushat me interes të përbashkët, përfshirë ekonominë, energjetikën, teknologjitë e reja, sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për rrugën evropiane të Serbisë, bashkëpunimin rajonal dhe sfidat aktuale gjeopolitike, shtohet në njoftim.
Staroviq përsëriti se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është përcaktim strategjik i Serbisë, si dhe se vendi mbetet i përkushtuar ndaj zbatimit të reformave dhe ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon.
Në bisedë u theksua veçanërisht rëndësia e intensifikimit të kontakteve parlamentare dhe institucionale ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe nevoja për forcimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në periudhën e ardhshme.
0 komentet