Surliq: Kritikat për përgatitjet e Lajçakut për zgjedhjet parlamentare, Prishtina tashmë e ka pezulluar dialogun

Stefan Surlić
Burim: Kosovo Online

Zyrtarët kosovarë po theksojnë gjithnjë e më shumë kohët e fundit se nuk besojnë në dialogun e ndërmjetësuar nga Miroslav Lajçak, duke e akuzuar atë si dashamirës ndaj palës serbe, tha Stefan Surliq, asistent profesor në Fakultetin e Shkencave Politike, i cili e sheh këtë lloj retorike si përgatitja e terrenit politik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë dhe thotë se pala prishtinase në një farë mënyre tashmë e ka pezulluar dialogun sepse nuk pranon asnjë marrëveshje, kompromis dhe vazhdimisht po punon për masa diskriminuese dhe përshkallëzuese në terren.

“Po e përsërisin qëndrimin e tyre të njohur sepse e kanë denoncuar që në fillim Miroslav Lajçakun, së pari sepse vjen nga një vend që nuk e ka njohur Kosovën e pavarur dhe së dyti pretendojnë se është në anën e Beogradit dhe se vazhdimisht kërkon që Prishtina të plotësojë kushtet e Beogradit. Fundi i mandatit të tij po afrohet, priten zgjedhjet evropiane dhe ato zëra tani po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Është e qartë se kjo është një përgatitje për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, ku në fushatë do të prezantojnë se si e pushtuan veriun e Kosovës kurse dialogu nuk dhënë asnjë rezultat”, thotë Surliq për Kosovo online.


Duke pasur parasysh se zyrtarët e Kosovës favorizojnë Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe SHBA në raport me ndërmjetësuesin e BE-së në dialog, Surliq thotë se dialogu që në fillim ka qenë “paralel”.

“Është formalisht ndërmjetësi Lajçak, por ka edhe kanale gjermane, britanike, amerikane... Herë janë dakord dhe herë kanë qëndrim krejt tjetër se si të veprohet. Mirëpo, nuk ka dyshim se me skadimin e mandatit të Lajçakut, dialogu do të zhvillohet në nivel dypalësh dhe se Albin Kurti do të kërkojë aleatë kyç në vendet evropiane, si më parë”, thotë Surliq.

Ai shton se paralelizmi i shteteve perëndimore shihet në shembullin e qëndrimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku nga njëra anë SHBA-të, gjegjësisht i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se hyrja në KE është e parakohshme derisa Kosova t'i plotësojë kushtet e tjera, para së gjithash që kanë të bëjnë me Bashkësinë e Komunave Serbe dhe shpronësimin, ndërsa në anën tjetër Gjermania dhe Britania e Madhe janë zëdhënësit kryesorë për anëtarësimin e Kosovës në KE. Siç thotë ai, është e qartë se është duke u zhvilluar një fushatë aktive diplomatike për të siguruar dy të tretat e votave të anëtarëve të KE në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në atë organizatë.