Hoti: Qëndrimi i Lajçakut nuk ishte ai që priste Kosova që në fillim
Analisti Afrim Hoti, në lidhje me kritikat e drejtuara nga Prishtina ndaj Miroslav Lajçakut, ndërmjetësues i Bashkimit Evropian në dialogun me Beogradin, thotë se ishte e qartë që në fillim se qëndrimi i Lajçakut nuk ishte ai që priste Kosova, por problemi këtu nuk është Lajçaku sepse ai përfaqëson BE.
“Këtu duhet pasur parasysh se BE-ja nuk vepron si shtet dhe se disa nga anëtarët e saj nuk e njohin Kosovën. Kjo do të thotë se edhe Lajçaku duhet të përfaqësojë pikëpamjet e tyre”, tha Hoti për Kosovo online.
Lidhur me komentet e disa zyrtarëve kosovarë se nuk besojnë në dialogun e ndërmjetësuar nga Lajçaku, por se i besojnë Amerikës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, Hoti thekson se Kosova preferon të komunikojë me vendet që e kanë njohur dhe që flasin me zë të lartë për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
I pyetur nëse në këto rrethana dialogu do të jet “i ngrirë” deri në zgjedhjen e Komisionit të ri Evropian dhe negociatorit të ri të BE-së, Hoti thotë se nuk mendon se ky proces do të ndalet dhe se Lajçaku do të vazhdojë aktivitetet e tij.
"Do të jetë në dorën e institucioneve të reja që do të formohen pas zgjedhjeve për ta bërë dialogun më produktiv. Por kjo do të varet nga rezultatet e zgjedhjeve jo vetëm në BE, por edhe nga zgjedhjet e ardhshme në SHBA. Procesi i negociatave është në vazhdim dhe ka nevojë që të dyja palët dhe mbi të gjitha fuqitë perëndimore të gjejnë një zgjidhje”, thotë Hoti.
komentet