Surlliq: Xhandarmëria mekanizëm i ri për frikësimin e serbëve në veri të Kosovës, roli i KFOR-it gjithnjë e më i dobët

Stefan Surlić
Burim: Kosovo Online

Docenti i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surlliq, vlerësoi për Kosovo online se paralajmërimi për formimin e xhandarmërisë në Kosovë paraqet një mekanizëm shtesë presioni dhe frikësimi ndaj komunitetit serb, veçanërisht në veri të Kosovës.

Surlliq iu referua deklaratave të kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurti, se fokusi i xhandarmërisë do të ishte “në zonat kufitare dhe lufta kundër terrorizmit”, duke rikujtuar se në deklaratat e mëparshme të Kurtit pikërisht përfaqësuesit e komunitetit serb shpesh janë cilësuar si kërcënim për sigurinë.

“Mendoj se xhandarmëria është edhe një mekanizëm tjetër për frikësimin e komunitetit serb, sepse nëse i ndjekim deklaratat e Albin Kurtit, ai theksoi se kjo xhandarmëri do të fokusohej në zonat kufitare dhe në luftën kundër terrorizmit. Duke qenë se në deklaratat e mëparshme ai i ka targetuar para së gjithash përfaqësuesit e komunitetit serb si terroristë, është e qartë të përfundohet se përqendrimi i një formacioni të tillë do të ishte pikërisht në veri të Kosovës”, tha Surlliq.

Ai konsideron se bëhet fjalë për një “zgjidhje kreative” me të cilën Prishtina po përpiqet të gjejë një model për praninë e formacioneve ushtarake në veri.

“Kurti tash e disa vite përballet me pyetjen se kur formacionet ushtarake do të mund të shkojnë në veri të Kosovës. Këtë e shoh si një lloj zgjidhjeje kreative, ku xhandarmëria do të ishte, siç thotë edhe vetë Kurti, diçka ndërmjet ushtrisë dhe policisë. Në këtë mënyrë kjo do të paraqitej si një fitore e madhe, sidomos në kohë zgjedhjesh”, vlerësoi ai.

Duke folur për rolin e KFOR-it, Surlliq tha se ndikimi i forcave ndërkombëtare po dobësohet gradualisht, dhe përgjegjësinë për këtë e sheh te politikat e vendeve kyçe anëtare të NATO-s.

“Roli i tyre është gjithnjë e më i vogël dhe, fatkeqësisht, për këtë fajin e mbajnë pikërisht qeveritë e vendeve kryesore anëtare të NATO-s. Ato kanë një strategji të tërheqjes graduale nga Kosova, ndërsa Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë tërheqje të plotë, gjë që në përkthim do të thotë marrje e përgjegjësisë dhe dorëzimi i saj para së gjithash forcave të Kosovës”, tha Surlliq.

Sipas tij, paralajmërime të tilla shkaktojnë shqetësim te serbët në Kosovë, të cilët KFOR-in e shohin si të vetmen forcë ushtarake që mund t’i mbrojë.

“KFOR-i do të vazhdojë të ekzistojë, pa asnjë dyshim, por zvogëlimi i dukshëm i mandatit është diçka që përbën problem të madh. As kjo çështje nuk ka qenë temë e dialogut, e as nuk mund të interpretohet si një gatishmëri e përgjithshme e forcave që ndodhen në Kosovë, se ato kanë ndërtuar një shoqëri të shëndoshë multietnike dhe se kemi një bashkëjetesë të plotë mes serbëve dhe shqiptarëve. Ne ende jemi në një lloj menaxhimi post-konfliktual dhe për këtë arsye prania e forcave ndërkombëtare është më se e nevojshme”, përfundoi Surlliq.