Todoroviq: Kosova mbetet e bllokuar, në Bruksel nuk janë të kënaqur me këtë

Marko Todorović
Burim: Kosovo Online

Hulumtuesi i Qendrës për Politika Evropiane në Beograd, Marko Todoroviq, deklaroi se Kosova, duke qenë se priten zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare, mbetet e bllokuar dhe se në Bruksel askush nuk është i kënaqur me këtë situatë.

“Në Bruksel kjo shihet me një lloj zhgënjimi, duke pasur parasysh se kjo do ta vështirësojë gjithsesi gjithçka që pritet nga Kosova, si në aspektin e reformave të brendshme, ashtu edhe në tërheqjen e fondeve nga Plani i rritjes, përmes zbatimit të agjendës reformuese”, tha Todoroviq për Kosovo online.

Ai sqaroi se zbatimi i agjendës reformuese nënkupton shumë hapa që lidhen me miratimin e akteve ligjore dhe gjithçka që do të shkonte në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin, gjë që tani nuk do të jetë e mundur.

“Nga ana politike, kjo është shumë jopopullore. Prandaj Kosova mbetet e bllokuar dhe duket se në Bruksel askush nuk është i kënaqur me këtë”, shtoi Todoroviq.

Qytetarët e Kosovës do të dalin sërish në zgjedhje brenda 45 ditëve, pasi nuk u arrit zgjedhja e presidentit të ri.

Ndërkohë që pritet vendimi për datën e mbajtjes së tyre, pushteti dhe opozita po ia hedhin fajin njëri-tjetrit për dështimin dhe për daljen në zgjedhje për herë të pestë brenda 16 muajve.