Ugljanin: Shëtitores në Mitrovicën e Veriut ia kthyem emrin e vjetër, të famshëm – Korzo
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, ka deklaruar për Kosovo online se për Komisionin për ndryshimin e emrave të rrugëve „problem“ ka qenë emërtimi i deritanishëm i Rrugës “Car Lazar”, në mënyrë që ky emër të mos „keqpërdorej për qëllime politike“, prandaj është riemërtuar në Korzo. Ai shtoi se ky Komision, duke ndryshuar emrat e 87 rrugëve, ka dashur që në plan të parë të nxjerrë personalitete që janë „historikisht të lidhura me pjesën veriore të Mitrovicës“.
„Ka qenë problem shëtitorja, si të quhej, për të shmangur situatën që të mos keqpërdorej për qëllime politike. Shëtitores ia kthyem emrin e vjetër, të famshëm – Korzo“, tha Ugljanin.
Ai sqaroi se Komisioni ka riemërtuar dhe emërtuar gjithsej 87 rrugë në Mitrovicën e Veriut, dhe se ai nga fillimi ka qenë i përfshirë dhe ka mbikëqyrur të gjithë procesin.
„Komisioni ka riemërtuar dhe emërtuar 87 rrugë. Unë kam qenë i përfshirë si kryesues dhe faktikisht kam ushtruar monitorim të procesit, duke pasur parasysh që edhe Drejtoria (për urbanizëm dhe kadastra) e ka kërkuar këtë nga unë si kryesues, si dhe duke qenë se jam vendas i këtij qyteti“, tha Ugljanin.
Ai shtoi se në procesin e ndryshimit të emrave të rrugëve ka marrë pjesë edhe një delegacion vendasish nga Mikronaselje.
Ugljanin theksoi se personalisht ka propozuar që një rrugë ta mbajë emrin e kirurgut Urosh Komad, por edhe të futbollistëve Dragan Mrkiq, Ratomir Mushekiq dhe Mishko Stoliq.
Shtoi se është propozuar edhe rruga e Josip Krasha, por edhe e personaliteteve dhe shkencëtarëve historikë serbë si Josif Pançiq ose Fillip David.
Për nesër ka paralajmëruar mbledhjen në të cilën do të diskutohet për ndryshimet e emrave të rrugëve në Mitrovicën e Veriut, sepse, siç shpjegoi, kjo listë më parë ka pasur nevojë të dorëzohet në shqyrtim tek Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe nga kjo ministri varet nëse ky propozim do të pranohet.
„Po, sigurisht nëse ekzistojnë disa që nuk janë në përputhje me ligjin, pa dyshim që ministria do t’i kthejë për miratim ose jo-miratim… ne kemi konsideruar se e kemi përfunduar këtë punë brenda afatit ligjor dhe mendojmë se gjithçka do të jetë në përputhje me ligjin“, tha ai.
Pas kësaj, ai theksoi, ekziston një afat prej një muaji pas të cilit vetëqeverisja lokale do të fillojë me vendosjen e tabelave të reja.
„Në komunën e Mitrovicës së Veriut ekziston një problem i madh që disa rrugë kanë nga tre emra. Kjo është problem për shërbimet administrative në lëshimin e dokumenteve, sepse kohët e fundit janë lëshuar pa adresë të rrugës ku jetojnë banorët e pjesës veriore të Mitrovicës, gjë që krijon problem të madh për të gjithë qytetarët“, sqaroi Ugljanin.
Ky ka qenë edhe arsyeja kryesore, shpjegoi ai, pse Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ka kërkuar që kjo çështje të përfundojë „me urgjencë“.
„Komisioni ka punuar për këtë dhe 87 rrugë janë riemërtuar“, tha Ugljanin.
Ai thekson se si kryesues ka kërkuar që disa rrugë në Mitrovicën e Veriut të ruhen.
„Siç janë Ivo Lola Ribar, Luja Braja, por edhe rruga e Shën Dimitrit që është afër kishës veriore. Sa i përket kësaj, si kryesues kam mbikëqyrur punën e Komisionit dhe kam tentuar të mbroj faktikisht disa emra, siç janë (rrugët) ‘Tetovska’, ‘Zelengorska’... Këtë e kam korrigjuar bashkë me anëtarët e Komisionit“, sqaroi Ugljanin.
komentet