Von Beckerath: Edhe Prishtina edhe Beogradi duhet t’i zbatojnë zotimet e marra në kuadër të dialogut
Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, deklaroi se në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të zbatohet Marrëveshja e Ohrit dhe marrëveshjet e tjera relevante, si dhe se secila palë duhet të përmbushë pjesën e saj të detyrimeve që burojnë nga këto marrëveshje, transmeton RTS.
Beckerath rikujton se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, në fillim të javës në Nju Jork u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe theksoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe faktin se ky proces ecën paralelisht me përparimin në rrugën evropiane.
„Kjo do të thotë se duhet të zbatohen Marrëveshja e Ohrit dhe marrëveshjet e tjera relevante dhe që secila palë të zbatojë pjesën e saj të detyrimeve nga këto marrëveshje. Për Prishtinën kjo nënkupton themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, gjë që presim të bëhet në mirëbesim dhe në përputhje me marrëveshjen, por edhe Beogradi ka një sërë detyrimesh që presim t’i zbatojë pa vonesë. Pra, të dyja palët duhet t’i zbatojnë zotimet e marra në kuadër të këtij dialogu“, deklaroi ai.
Beckerath thekson se Serbia padyshim ka kapacitetin dhe aftësinë për ta përshpejtuar përparimin drejt BE-së, por se ky kapacitet duhet të kombinohet me vullnetin politik dhe zbatimin e reformave reale, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së mediave, si dhe respektimit të parimeve dhe vlerave demokratike.
Ai theksoi se mund ta mbështesë edhe deklaratën e presidentes së Komisionit Evropian, e cila tha se zgjerimi i Unionit është lart në agjendë, si dhe deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se përshpejtimi i rrugës evropiane të Serbisë është një nga prioritetet.
„Zgjerimi është padyshim në krye të agjendës evropiane dhe mendoj se edhe Serbia duhet ta përshpejtojë përparimin e saj drejt BE-së. Serbia padyshim ka kapacitetin dhe aftësinë për ta bërë këtë më shpejt, por ky kapacitet duhet të kombinohet me vullnetin politik dhe zbatimin e reformave reale, veçanërisht kur flasim për sundimin e ligjit, lirinë e mediave, por gjithashtu edhe për respektimin e parimeve dhe vlerave demokratike“, deklaroi ai.
0 komentet