Vuçiq për iniciativën për pranimin e Kosovës në NATO: Do të luftojmë që kjo të mos ndodhë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, komentoi iniciativën e disa kongresmenëve amerikanë për integrimin e Kosovës në NATO dhe theksoi se Serbia do të luftojë që një gjë e tillë të mos ndodhë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas fjalimit në Pançevë, ku po merrte pjesë në hapjen e një qendre trajnimi për arsim dual dhe mësim gjatë gjithë jetës, Vuçiq tha se iniciativa të tilla janë ndërmarrë edhe më parë përmes Kroacisë dhe Shqipërisë, si dhe përmes anëtareve të tjera të Aleancës.
“Së shpejti do të kemi ushtrime të rëndësishme, po bisedojmë me partnerët dhe shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Do të luftojmë që një gjë e tillë të mos ndodhë. Ashtu siç ka vende të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, ashtu ka edhe katër shtete anëtare të NATO-s që nuk e kanë bërë këtë. Nuk shoh se si një iniciativë e tillë mund të kalojë lehtë. Do të presim të shohim zhvillimin e mëtejshëm të situatës”, tha Vuçiq.
Kujtojmë se kongresmeni amerikan Keith Self, së bashku me kongresmenin Mike Lawler, paraqiti në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë me të cilën shprehet mbështetje e fortë për integrimin e Kosovës në NATO.
Siç është publikuar në faqen zyrtare të kongresmenit Keith Self, rezoluta thekson se “qeverisja demokratike e Kosovës, kontrolli civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike paraqesin argumente bindëse për anëtarësimin në NATO”.
0 komentet