Vuçiq: E falënderova Okamurën për mirëkuptimin e situatës në KeM dhe qëndrimin miqësor ndaj popullit serb
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua sot në Beograd me kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Çekisë, Tomio Okamura, me të cilin bisedoi për mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit parlamentar.
Vuçiq në Instagram theksoi se me Okamurën ka diskutuar për të gjitha temat me interes për të dy vendet.
“Gjatë takimit i tregova bashkëbiseduesit të nderuar edhe ‘Beogradin mbi ujë’, si një nga projektet më të rëndësishme zhvillimore që ka ndryshuar pamjen e kryeqytetit dhe është bërë simbol i modernizimit të përshpejtuar të Serbisë”, shtoi presidenti i Serbisë.
Ai theksoi se është konstatuar se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve është zhvilluar në mënyrë dinamike vitet e fundit, me rritje të shkëmbimit tregtar dhe të shërbimeve, si dhe me rritje të investimeve çeke.
“Do të vazhdojmë të përmirësojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët, para së gjithash në energjetikë dhe miniera, transport dhe infrastrukturë, bujqësi, turizëm dhe industri automobilistike”, theksoi Vuçiq.
Ai shtoi se me Okamurën ka shkëmbyer mendime për rrugën evropiane të Serbisë dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Republika Çeke i jep vendit të tij, si në nivel dypalësh ashtu edhe në kuadër të formateve evropiane që njohin rëndësinë e zgjerimit dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.
“Shpreha falënderim të veçantë ndaj Okamurës për mirëkuptimin e situatës në Kosovë dhe Metohi, si dhe për qëndrimin miqësor ndaj popullit serb”, tha Vuçiq.
Presidenti i Serbisë shtoi se e gëzon fakti që Çekia ka konfirmuar pjesëmarrjen në Ekspozitën e Specializuar Ndërkombëtare Expo 2027.
“Këtë e shohim si një tjetër konfirmim të miqësisë mes vendeve tona dhe përkushtimit të përbashkët për forcimin e lidhjeve ekonomike, inovative dhe kulturore”, shtoi ai.
Okamura sot u takua edhe me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, raporton Euronews Serbia.
“U konfirmua se në Serbi kemi miq dhe se kemi qëndrime të ngjashme. Shkëmbyem mendime për integrimin evropian dhe theksova se mbështesim integrimin e plotë të Serbisë në Evropë dhe në strukturat evropiane. Gjithashtu shpreha mendimin tim se integrimi evropian i Serbisë, përkatësisht hyrja në Bashkimin Evropian, do të ishte interesante edhe nga perspektiva se do të forconte zërin e shteteve që ndjekin një politikë sovrane, të bazuar në interesat e veta”, tha Okamura pas takimit me Ana Brnabiq.
Ai e vlerësoi takimin me Brnabiq si shumë të mirë.
“I thashë zonjës kryetare të Kuvendit se Serbinë e shohim si një nga partnerët më të afërt dhe popujt më të afërt, me të cilin duhet dhe duam të bashkëpunojmë edhe në nivel evropian”, shtoi Okamura.
Ai theksoi se Serbia ka mbështetjen e Qeverisë së Çekisë në procesin e anëtarësimit në BE.
“Shkëmbyem mendime edhe për Ukrainën, por nga perspektiva e hyrjes në BE, pasi Serbia është e interesuar për integrimin evropian, ndërsa ekzistojnë disa qëndrime se Ukraina duhet të ketë kushte më të favorshme, gjë që mund të jetë në dëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo për ne është e papranueshme, sepse nuk pajtohemi që Ukraina të ketë kushte më të favorshme se vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë punuar gjatë dhe me përkushtim në këtë drejtim. Kjo do të thotë se Serbia ka edhe këtu mbështetjen tonë për një qasje të drejtë dhe të barabartë”, theksoi Okamura.
Ai rikujtoi se ishte një nga politikanët e parë që kërkoi falje për bombardimet e NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë dhe theksoi se edhe sot mban të njëjtin qëndrim.
“Unë qëndroj edhe sot në atë pozicion. Gjithashtu, në takim ndava qëndrimin tim se, po të kisha qenë përfaqësues politik i Çekisë në atë kohë, nuk do ta kisha njohur Kosovën”, tha Okamura.
Sipas tij, në takim është rënë dakord për thellimin e bashkëpunimit dhe për punë të mëtejshme në përmirësimin e marrëdhënieve.
0 komentet