Zyra për KdheM: Keqtrajtimi i Blazhiqit incident i ri etnik nën regjinë e Kurtit, nevojitet reagim urgjent i përfaqësuesve ndërkombëtarë
Zyra për Kosovën dhe Metohinë e Qeverisë së Serbisë njoftoi se keqtrajtimi i Vukashin Blazhiqit dhe dy shokëve të tij, nga të cilët njëri është i mitur, nga ana e policisë së Kosovës në pikën e kontrollit pranë Urës së Bistricës, përbën një incident të ri etnik nën regjinë e Albin Kurtit dhe forcave të tij parapolicore, objektiv i të cilave janë edhe fëmijët serbë.
“Anëtarët e falangave të Kurtit i sulmuan djemtë vetëm sepse njëri prej tyre në telefon kishte të ngjitura simbolet e klubit të tij sportiv me stemën e Serbisë. Fillimisht kërkuan që ta hiqnin atë ngjitëse, e më pas Vukashinin, sipas fjalëve të babait të tij, e nxorën nga automjeti, e tërhoqën, e shtynë dhe e goditën me shkelma. Për shkak të gjithë incidentit, djalit iu ofrua ndihmë mjekësore në KBC Kosovska Mitrovica, ku e kaloi natën nën vëzhgim”, thuhet në njoftim.
Ky punkt parapolicor, siç theksohet nga Zyra, nuk do të duhej të ekzistonte fare pranë Urës së Bistricës, as diku tjetër në veri të Kosovës dhe Metohisë, dhe është ngritur vetëm me qëllim keqtrajtimin dhe frikësimin e popullit serb, gjë për të cilën dëshmojnë incidentet e shumta të regjistruara në këtë vend.
Ata rikujtojnë se aty është qëlluar me armë zjarri serbi Millan Jovanoviq teksa po transportonte enë kuzhine, se disa serbë të tjerë janë plagosur, ndërsa më shumë prej tyre janë rrahur dhe keqtrajtuar.
Në njoftim theksohet se Zyra për Kosovën dhe Metohinë i ka paralajmëruar disa herë përfaqësuesit ndërkombëtarë për incidentet e shumta të rrezikshme që ndodhin në këtë vend me qëllim keqtrajtimin e popullit serb, por, siç thuhet, ata nuk kanë reaguar.
“Një ditë më parë, në Deçan, nga ana e një ekstremisti shqiptar u qëlluan me armë zjarri Dejan S. dhe Radovan M., vetëm sepse janë serbë dhe guxuan të flasin gjuhën serbe në këtë vend që është pastruar etnikisht nga serbët”, kujtohet në njoftim.
Zyra për KeM ka paralajmëruar për një valë të re dhune ndaj serbëve që nga fillimi i vitit.
“Vala e re e dhunës ndaj gjithçkaje serbe që nga fillimi i vitit, në kohën kur populli ynë shënon festat e tij, tregon histerinë e shtuar antiserbe të regjimit në Prishtinë, nga veprimet e të cilit janë të motivuara edhe sulmet e ekstremistëve ndaj popullit tonë në mbarë Kosovën dhe Metohinë. Për këtë arsye, një situatë e tillë kërkon reagim urgjent dhe veprim konkret të përfaqësuesve ndërkombëtarë për mbrojtjen e popullit serb në Kosovë dhe Metohi, dhe për këtë do të insistojmë”, thuhet në njoftimin e Zyrës.
Sipas fjalëve të Sasha Blazhiqit, babait të Vukashinit 19-vjeçar të lënduar, policia e Kosovës mbrëmë në pikën e kontrollit pranë Bistricës i ka keqtrajtuar djemtë për shkak të shenjës së Yllit të Kuq me stemën e Serbisë në telefonin që e kishte një 13-vjeçar.
Nga djali i tij kanë kërkuar që ta heqë ngjitësen nga telefoni, por Vukashini nuk ka dashur ta marrë telefonin e dikujt tjetër, kështu që ngjitësen e ka hequr një polic dhe më pas e ka goditur në fytyrë djalin e tij me telefon. Pas kësaj, ata e kanë shkelmuar atë.
komentet