Zyra për Kosovë dhe Metohi: Petkoviq e njohu Kosharin me lëvizjet e papranueshme të regjimit të Kurtit kundër popullit serb
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, ka takuar sot ambasadorin e Francës në Republikën e Serbisë, Pjer Koshar, të cilin e njohu me lëvizjet e papranueshme, diskriminuese dhe të njëanshme që regjimi i Albin Kurtit po kryen nga dita në ditë kundër popullit serb në krahinë, me të vetmin qëllim spastrimin etnik, thuhet në deklaratën e Zyrës për Kosovë e Metohi.
Petkoviq vlerësoi se vendimi i fundit i regjimit të Prishtinës për anulimin e transaksioneve të pagesave me Serbinë qendrore dhe dinarit si mjet pagese në Kosovë e Metohi nga 1 shkurti do të vinte në pikëpyetje më seriozisht mbijetesën fizike të serbëve në krahinën tonë jugore.
“Serbët në Kosovë dhe Metohi janë ekspozuar ndaj formave të ndryshme të dhunës institucionale nga Prishtina, por ndërprerja e fluksit të parave me Serbinë qendrore do t'ua bënte të pamundur jetën në Kosovë dhe Metohi, do të vinte në pikëpyetje funksionimin e spitaleve, kopshteve, shkollave tona…Ky është një sulm brutal ndaj dialogut dhe një tjetër minim i procesit të formimit të BKS-së nga Prishtina, duke pasur parasysh se përkrahja financiare për serbët është paraparë në marrëveshjet e nënshkruara për kompetencat e BKS-së”, theksoi drejtori i Zyrës për KeM.
Petkoviq e njohu bashkëbiseduesin edhe me nënshkrimet e mbledhura për peticionet “për largimin e kryekomunarëve dhe këshilltarëve të rremë dhe jolegjitimë në katër komuna në veri të Kosovës dhe Metohisë”.
“Pres që kryekomunarët dhe këshilltarët e rrejshëm të japin dorëheqje sa më shpejt, duke qenë se serbët edhe një herë kanë treguar se nuk i duan në ato pozita. Janë mbledhur më shumë nënshkrime se sa është e nevojshme, pra më shumë se 20 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar, gjë që tregon pa mëdyshje vullnetin e popullit serb”, ka theksuar Petkoviq.
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi ka konstatuar se Beogradi, përkundër terrorit, dhunës dhe krizave të vazhdueshme të shkaktuara nga regjimi i Kurtit, mbetet i përkushtuar ndaj dialogut si e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme dhe normalizimit të marrëdhënieve.
komentet