Kodheli: Kryesimi i Këshillit të Sigurimit i rëndësishëm për imazhin e Shqipërisë, përherë jemi në anën e Kosovës

Kryetarja e Këshillit për Politikë të Jashtme në parlamentin e Shqipërisë Mimi Kodheli ka thënë për Kosovo onlajn se kryesimi nga ky vend i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është i rëndësishëm për imazhin e Shqipërisë. Ndonëse e komenton me kritikë faktin se kreu politik në Prishtinë po vonon dialogun me Sërbinë, ajo thekson se Shqipëria do të qëndrojë gjithmonë me Kosovën.
“Mendoj se është moment i rëndësishëm historik. Shqipëria për të dytën herë kryeson Këshillin e Sigurimit dhe këtë herë është domethënëse që në Nju Jork çelet sesioni i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në të cilën të gjitha vendet e botës dërgojnë përfaqësuesit e tyre më të lartë, presidentë dhe kryeministra. Kjo rrit vëmendjen publike, politike dhe gjeopolitike. Kjo do të thotë se Shqipëria vend me dimension të vogël, po merr një rëndësi tjetër. Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër është serioziteti me të cilin duhet të drejtohet Këshilli i Sigurimit dhe rëndësia e çështjeve që do të diskutohen. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani që kemi luftë në dyert e Europës, e cila duhet të zgjidhet dhe duhet të jetë temë e takimeve të nivelit të lartë kudo në botë. Shqipëria është në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe shpresoj se do të marrim vendimet e duhura me të gjitha ato vende që janë në anën e duhur të historisë” ka thënë Kodheli.
Nga ana tjetër, Kodheli ish ministrja e mbrojtjes, duke komentuar situatën në Kosovë dhe rajon, shprehu besim se do të jetë e mirë. Pa përmendur emra, ajo akuzoi kreun politik në Prishtinë për zvarritjen e dialogut me Sërbinë, duke theksuar se Shqipëria përherë do të jetë me Kosovën.
“Besoj se momenti në të cilin jetojmë nuk duhej të ishte siç është. Kjo, pavarësisht përpjekjeve të mëdha që janë bërë për të arritur marrëveshje funksionale, të jemi pjesë e procesit që do t’a sillte Ballkanin Perëndimor në ekuilibër të gjatë. Realiteti i Kosovës sot është i qartë dhe ndikon në jetën e çdo njeriu në rajon. Mendoj se këto gjëra ndodhin kur njerëzit janë të pafuqishëm të ulen në tryezë dhe të bëjnë marrëveshje. Kjo kërkon guxim, por gjithashtu kërkon edhe mendje të çelët, kërkon gjithashtu edhe dëshirë për të zgjidhur gjërat. Nëse përherë do të bazohemi tek ndjenjat kombëtare, besoj se nuk do të shkojmë kund. Nuk besoj se kjo situatë është e pranueshme nga të gjitha palët. Në këtë periudhë është e nevojshme të zbatohet marrëveshja franko-gjermane mes Kosovës dhe Sërbisë, kështu që besoj se do të jemi dëshmitarë të rezultateve të bisedimeve. Ne si qeveri shqiptare jemi garanci e madhe se kurrë që nuk do të përzihemi në punët e brendshme të ndonjë vendi, por duhet të themi me guxim se jemi gjithmonë në anën e Kosovës dhe kështu do të jetë edhe në vijim. Kjo gjë na vjen natyrshëm. Ashtu sikurse do të jemi përherë në anën e duhur të historisë” ka thënë Kodheli.
Para seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, po mbahet forumi politik në nivel të lartë për zhvillim të qëndrueshëm, në të cilën merr pjesë dhe po mban fjalën presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.
komentet