Likaj: Rritje e numrit të viktimave në aksidentet trafiku në Shqipëri
Inxhinieri forensik nga Tirana, Sink Fadil Likaj, thotë se në Shqipëri këtë vit është shënuar një rritje e numrit të viktimave në aksidentet trafiku krahasuar me vitin 2024 dhe se numri më i madh i incidenteve ka ndodhur gjatë periudhës së verës, ku kontributin më të madh e kanë pasur turistët e huaj. Ai shtoi se në rritjen e numrit të aksidenteve kanë ndikuar skuterët dhe trotinetët elektrikë, por edhe pakujdesia e drejtuesve të mjeteve ndaj këmbësorëve, çiklistëve dhe punimeve në rrugë, duke theksuar se faktori më i rëndësishëm në parandalimin e aksidenteve është ndërgjegjësimi publik.
„Zakonisht aksidentet trafiku në Shqipëri ndodhin sepse drejtuesit e mjeteve nuk janë të kujdesshëm ndaj veprimeve që ndërmarrin në rrugë, kur hyjnë nga rrugët dytësore në rrugët kryesore, kur kthehen majtas apo djathtas, duke penguar në mënyrë të papritur automjetet e tjera. Kjo ka shkaktuar aksidente me pasoja fatale në Shqipëri. Raste të tjera janë kur mjetet godasin këmbësorë dhe çiklistë. Këto aksidente në Shqipëri janë në rritje dhe kjo ndodh sepse këmbësorët janë të papërgjegjshëm, hyjnë pa kujdes në rrugë kryesore apo dytësore, kur mjetet kanë përparësi kalimi. Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Ne jemi në Ballkan dhe njerëzit nuk janë shumë të kujdesshëm, nuk i zbatojnë siç duhet rregullat e qarkullimit dhe mendojnë se drejtuesit e mjeteve do t’i shohin dhe nuk do t’i godasin. Kjo është e vështirë sepse drejtuesit e mjeteve mund të shohin vetëm në një distancë prej 35–40 metrash, ndërsa shpejtësia e automjeteve nuk u lejon të frenojnë në mënyrë të duhur“, tha Likaj.
Ai theksoi se standardi i infrastrukturës rrugore, edhe pse i përmirësuar krahasuar me vitet e mëparshme, mbetet një tjetër faktor rreziku, si dhe se trotinetët elektrikë kanë ndikuar gjithashtu në aksidentet trafiku.
„Kjo ndodh sepse këto mjete elektrike kanë fuqi relativisht të madhe motori dhe shpejtësi. Shpejtësia e tyre varion nga 25 deri në 45 kilometra në orë. Në Shqipëri, sidomos të miturit janë të përfshirë në aksidente të tilla, sepse nuk i njohin mirë rregullat e qarkullimit dhe madje përdorin edhe rrugë ndërqytetëse, si Unaza e Madhe e Tiranës, ndërsa drejtuesit e mjeteve kanë vështirësi t’i dallojnë, sidomos gjatë natës. Për këtë arsye, së fundmi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në Shqipëri ka marrë një vendim për ndalimin e përdorimit të trotinetëve deri në një vendim të dytë. Unë e mbështes fuqishëm këtë vendim, sepse Shqipëria po përballej me një situatë shumë të rrezikshme“, tha Likaj.
Faktori më i rëndësishëm i parandalimit, thekson ai, është ndërgjegjësimi publik, e më pas infrastruktura dhe policia rrugore.
„Policia rrugore është vetëm një nga elementet për rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë. Roli i saj përbën vetëm dhjetë për qind të këtij procesi. Faktori më i rëndësishëm është ndërgjegjësimi publik, më pas vjen infrastruktura dhe në fund policia rrugore. Policia ka futur gjithashtu automjete inteligjente, duke vendosur kamera inteligjente në shumë rrugë që zbulojnë shkeljet e rregullave të qarkullimit, si tejkalimi i shpejtësisë mbi kufirin e lejuar, mosvendosja e rripit të sigurimit nga drejtuesit e mjeteve apo përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit. Po flasim për mbi 200 kilometra rrugë që aktualisht janë nën mbikëqyrje. Këto rrugë me kamera inteligjente, si në vendet e Bashkimit Evropian, shtrihen nga Tirana në Durrës, Fier dhe Vlorë, si dhe Tirana–Elbasan. Ky është një test për të dëshmuar efektivitetin e këtyre metodave. Ne kemi një qendër monitorimi në Departamentin e Policisë për zbulimin e shkeljeve nga drejtuesit e mjeteve. Policia përdor gjithashtu automjete që kanë të instaluar radar automatik“, tha eksperti.
Likaj thekson se ende nuk janë të disponueshme të dhëna të plota për aksidentet e këtij viti, por se dihet që numri i viktimave është rritur krahasuar me vitin 2024.
„Numri i aksidenteve trafiku në vitin 2024 ishte 1.666, me 174 viktima dhe një numër të madh të të plagosurve, të cilët janë rehabilituar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Këtë vit kemi mbi 1.400 aksidente trafiku, nuk kemi të dhëna të plota për muajin e fundit, por numri i viktimave ka tejkaluar nivelin e vitit të kaluar. Numri i aksidenteve trafiku me pasoja fatale është rritur në vitin 2025. Mbi 630 aksidente rrugore në Shqipëri këtë vit kanë ndodhur për shkak të skuterëve. Kjo ka rritur gjithashtu shqetësimin dhe tregon se policia duhet të punojë më shumë, ndërsa vendi ynë duhet të rrisë parametrat e sigurisë në rrugë. Vendi ynë duhet të jetë i gatshëm të presë një numër gjithnjë e më të madh turistësh, si dhe emigrantësh, me nivelin më të lartë të mundshëm të sigurisë, në mënyrë që të kemi një Shqipëri evropiane“, përfundoi ai.
0 komentet