Muçaj: Të rinjtë në Shqipëri në masën më të madhe duan të studiojnë teknologjitë e reja dhe mjekësinë

Mučaj
Burim: Kosovo Online

Profesoresha e Universitetit të Tiranës, Arjana Muçaj, deklaroi se të rinjtë në Shqipëri në masën më të madhe duan të studiojnë teknologjitë e reja, por edhe shkencat mjekësore mbeten shumë të kërkuara. Ajo theksoi megjithatë se shteti i jep përparësi shkollave profesionale për të nxjerrë më shpejt gjeneratat e reja në tregun e punës, por se aty ka më pak interesim.

“E dimë shumë mirë që sot teknologjia është prioritet, sepse ofron mundësi të mëdha punësimi, prandaj në tregun e punës ka kërkesë të lartë. Kjo i nxit të rinjtë të zgjedhin këtë drejtim. Megjithatë, nuk mbeten pas as degët e shkencave mjekësore”, tha Muçaj për Kosovo online.

Ajo theksoi se statistikat tregojnë se në Shqipëri ka gjithnjë e më pak mjekë, pasi shumë prej tyre largohen nga vendi, ndërsa vërehet edhe mungesë e infermierëve.

“Kërkesa në treg, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, është në rritje të vazhdueshme. Këto janë dy degët kryesore ku kuotat në universitete plotësohen 100 për qind dhe kërkesa është shumë e madhe. Gjithashtu, e kërkuar është edhe stomatologjia”, tha Muçaj.


Sipas saj, rritje e interesimit vërehet edhe në degët inxhinierike, ndërsa inxhinieria e ndërtimit po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për shkak të “bumit ndërtimor” në Shqipëri.

“Kjo është një nga arsyet që shpjegon rritjen e numrit të të diplomuarve që aplikojnë në këtë drejtim, por as arkitektura nuk mbetet shumë pas. Pra, inxhinieria e ndërtimit dhe arkitektura janë degë universitare me një numër të madh studentësh”, tha ajo.

Sipas saj, shkencat shoqërore, që deri vonë ishin shumë të njohura te të rinjtë, janë “në rënie”, përveç ekonomisë dhe drejtësisë.

“Edhe pse tregu është i mbushur, kërkesa vazhdon të jetë e lartë. Të rinjtë vazhdojnë të jenë të interesuar për këto degë shoqërore”, shtoi Muçaj.

Megjithatë, ajo theksoi se në Shqipëri shteti i jep përparësi shkollave profesionale për të nxjerrë më shpejt të rinjtë në tregun e punës, por se interesi është i ulët për shkak të pagave të ulëta dhe trajtimit jo të mirë nga punëdhënësit. Si shembull ajo përmendi turizmin.

“Shohim se ka mangësi te pronarët e bizneseve në turizëm në mënyrën se si i trajtojnë punonjësit, në të gjitha aspektet. Kushtet e punës nuk janë të kënaqshme. Do të thosha se profesionet në turizëm nuk janë shumë tërheqëse për të rinjtë, pavarësisht dëshirës së madhe për të punuar”, theksoi Muçaj.

Sipas saj, shumica e të rinjve që arsimohen në shkollat profesionale të turizmit në Shqipëri priren të largohen drejt Greqisë.

“Greqia ka traditë në turizëm. Prandaj të rinjtë largohen pas përfundimit të shkollave profesionale. Është e vërtetë që sot flasim për paga të larta në turizëm, por shfrytëzimi i të rinjve në këto punë sjell gjithashtu pakënaqësi. Njeriu duhet të shkojë në punë me kënaqësi, dhe në këtë ndikojnë paga, por edhe kushtet e tjera të punës”, përfundoi Muçaj.