Sondazhi i Eurometrit: Maqedonasit e konsiderojnë Sërbinë si miken më të madhe
Gati 65% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut vlerësojnë se raportet e BE ndaj shtetit të tyre janë të padrejta dhe shantazhuese, 29% të tyre besojnë se vendi asnjëherë nuk do të jetë pjesë e BE, e ndërsa mikeshën më të madhe të tyre maqedonasit zgjedhin Sërbinë, thotë sondazhi i realizuar në vitin 2022 nga Euremetër rezultatet e të cilit janë bërë të ditura sot nga Qendra për Strategji Europiane Eurotink.
Rezultatet e sondazhit tregojnë egzistencën e një rënie të ndjeshme të mbështetjes së integrimit europian të Maqedonisë së Veriut, ashtu sikurse 61% e qytetarëve vlerësojnë se shteti i tyre nuk është vend demokratik, bën të ditur Eurotink.
Sondazhi është kryer në bazë të rezultateve prej 1006 personash të pyetur nga telefoni ku 53% e të cilëve besojnë se gjërat në vend po shkojnë plotësisht në drejtim të gabuar, e ndërsa vetëm 9% e tyre janë përgjigjur se gjërat shkojnë në drejtimin e duhur.
Vetëm 49% e qytetarëve konsiderojnë se “anëtarësimi i plotë në BE do të ishte mirë”, çka është një ulje prej 20% në raport me vjeshtën e vitit 2021.
Drejtori i përgjithshëm i Eurotink Dimitar Nikolovski bën të ditur se vihet re numër rekord i uljes së besimit dhe raportet e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ndaj BE dhe marrëdhëniet e vetë procesit të integrimit europian.
"Pyetjes-si është marrëdhënia e BE ndaj Maqedonisë së Veriut, më shumë se 65% mendojnë se është raport i padrejtë dhe shantazhues. Ndërkohë që ata që mendojnë se është i drejtë shkon diku tek 17%, çka ka rënie dhe luhatje prej 20% në raport me një vit më parë” ka thënë ai.
Këto rezultate shkojnë paralelisht me faktin se 33% e të pyeturve kanë thënë se Maqedonia e Veriut duhet të kërkojë modele të tjera zhvillimi jashtë BE.
Njëkohësisht 29% e qytetarëve, mendojnë se vendi asnjëherë nuk do të hyjë në Union, e ndërsa 42% mendojnë se egzistojnë shtete apo organizata ndërkombëtare të cilat janë kërcënim për shtetin.
"Bullgaria konsiderohet si shteti më armiqësor i Maqedonisë dhe ky trend vijon të rritet. Nëse vitin e kaluar Bullgaria ishte në vendin e parë me 23% të qytetarëve të cilët mendonin se është vendi më armiqësor i Maqedonisë, këtë vit kjo përqindje ka shkuar në gati 28%. Përkundër kësaj, Sërbia konsiderohet si mikesha më e madhe me 37% e të anketuarve", thekson ai.
Sondazhi tregon edhe ndryshime të tjera serioze-ku shumë qytetarë kanë pak besim tek institucionet.
Aleksandar Stojanovski nga Eurotink paralajmëron se këtë vit vihet re gjithonë e më shumë ulje e besimit ndaj institucioneve dhe niveli më i ulët i besimit është ndaj gjyqësorit dhe prokurorisë.
"Besimi tek gjyqësori është 6%, e ndërsa tek prokuroria 7%. Vitin e kaluar besimi tek këto dy shtylla të shtetit, ka qenë në 8%", ka nënvizuar ai.
E reja në sondazh, ka qenë pyetja "çfarë mendojnë qytetarët për mënyrën sesi institucionet shtetërore merren me korrupsionin"-në cilën fushë, mbi të gjitha, Uashingtoni apo dhe Brukseli, konsiderohen si kyçe në Maqedoni.
Për këtë pyetje, 51% e njerëzve janë përgjigjur së "institucionet udhëheqin dobët luftën kundër korrupsionit".
0 komentet