Dita e Përkujtimit në Mitrovicën e Jugut, monumentet e rrënuara ende dëshmojnë për vuajtjet
Të shtunën, në prag të Ditës së Shën Dhimitrit, në varrezat ortodokse në Mitrovicën e Jugut, ku deri në fund të luftës në vitin 1999 varroseshin serbët, dhe ku më shumë se 90 për qind e varreve janë shkatërruar, fyer ose dëmtuar, edhe këtë vit Dita e Përkujtimit u shënuan me lutje dhe ndezje qirinjsh për të ndjerët.
Që nga orët e hershme të mëngjesit, banorët e Mitrovicës dhe rrethinës kanë mbërritur në varrezat e vjetra të qytetit.
Qytetarëve nga Mitrovica e Veriut u ishte siguruar transport i organizuar, dhe këtë vit drejt varrezave në pjesën jugore u nis një autobus. Dhjetëra qytetarë të tjerë erdhën me automjete private, gjë që, siç theksuan ata, tashmë nuk paraqet problem.
Prifti Nenad Stojanoviq shpjegoi se përkujtimet e vjeshtës, ato të Shën Dhimitrit, janë të rëndësishme sepse atëherë besimtarët kujtojnë dhe vizitojnë varret e paraardhësve të tyre, shpirtrat e të cilëve, siç tha ai, jetojnë në parajsë.
„Ne vijmë të vizitojmë paraardhësit tanë, të afërmit tanë, prindërit tanë dhe të lutemi Zotit për ta, të temosim varret e tyre, të ndezim një qiri, të lexojmë një lutje dhe t’i kujtojmë ata. Ata janë shpirtra të gjallë që jetojnë në qiell dhe atyre u nevojitet lutja jonë, qiriu që u ndezim. Shpesh ndodh që njerëzit, kur nuk shkojnë shpesh në varreza dhe nuk i përmendin të afërmit e tyre, i shohin ata në ëndrra dhe ky është një shenjë që duhet të shkojmë në varreza, të vizitojmë varret e tyre, të temosim dhe të lexojmë një lutje. Nëse nuk mundemi në varreza, mund të shkojmë në kishë, të përmendim emrin e tyre, kjo është shumë e rëndësishme, sepse atyre u duhet kjo, dhe është detyrimi ynë. Kështu, edhe këtë vit, ne bashkë me popullin po vijmë në pjesën jugore të Mitrovicës së Kosovës, këtu në varrezat tona të vjetra, që së bashku të vizitojmë varret tona, paraardhësit tanë dhe të lutemi Zotit për ta,“ tha Stojanoviq.
Ai thekson se ende shumë varre janë të rrënuara dhe në gjendje të keqe, por njerëzit po organizohen vetë për t’i rindërtuar varret e paraardhësve të tyre, prandaj situata, sipas tij, është disi më e mirë se vitet e kaluara.
„Kjo është dhimbja jonë e madhe dhe pikëllimi ynë i thellë. Na prek shumë dhe na e rëndon shpirtin, por shumë njerëz kanë rindërtuar vetë varret e tyre me ndihmën e të tjerëve, kanë ngritur përsëri përmendoret, kështu që mendoj se pamja është disi më e mirë se më parë,“ tha prifti.
Banorja e Mitrovicës, Sllavica Jargiq, tha se pamja e varrezave të shkatërruara ka ndryshuar pak që nga shkurti, pasi njerëzit kanë filluar vetë t’i rindërtojnë varret e të dashurve të tyre, por se ajo që është rindërtuar nuk e ka pritur e tëra Ditën e Përkujtimit.
„I kemi paguar sa është dashur, i kemi ngritur përmendoret e të dashurve tanë. Gjithçka që është mbi varr, nuk është aq e rëndë kur rrëzohet, ajo mund të rregullohet, e rëndësishme është të mos preket toka, eshtrat dhe gjërat e tjera. Sot vura re diçka të re, së fundmi ishin disa shtylla përreth, dy kanë mbetur, të tjerat janë shkatërruar, thyer. Më vjen shumë keq. Edhe një përmendore tjetër ishte ngritur, por është rrëzuar. Le ta shkatërrojnë ata, ne do t’i ngremë përsëri, për këtë le t’i japin llogari Zotit kur të dalin para së vërtetës,“ tha Jargiq.
Siç shtoi, vitet e fundit shkon më shpesh në varreza, sepse tani është e mundur të shkojë edhe kur nuk ka transport të organizuar.
„Askush nuk të pengon, mund të shkosh kur të duash, të vizitosh varrin, por është e trishtueshme, ka shumë më pak njerëz se në Ditën e të Vdekurve. Edhe këtë herë është njësoj, nuk e di pse. Ndoshta njerëzit kanë frikë... Është pamje e dhimbshme, vetë pamja flet. Personalisht, kur vij në varreza, ndihem mirë, sikur kam shlyer një borxh, por pastaj gjithë ditën, kur kthehem në shtëpi, thjesht ndihem keq,“ tha sinqerisht Jargiq.
Njëri nga banorët që të shtunën vizitoi varrezat, Nebojsha Millanoviq, theksoi se gjendja mbetet e pandryshuar, edhe pse ka nisma të veçanta për rindërtimin e përmendoreve.
„Gjendja është e njëjtë, asgjë nuk ka ndryshuar. Ne, individualisht, banorët e Mitrovicës, shumicën e të cilëve i njoh, vetë po i ngremë dhe po i restaurojmë ato që mund të rregullohen, por fatkeqësisht njerëz ka gjithnjë e më pak. Dikur vinin dy-tre autobusë, sot nuk e di nëse mbërrin as një. Është e vërtetë, disa vijnë me makina, por sido që të jetë, gjendja është kjo që është. Shpresoj që me ndihmën e Zotit dhe pak qetësi, do të arrijmë ta rregullojmë dhe të kthejmë gjendjen si dikur, që të vdekurit të pushojnë në paqe,“ tha Millanoviq.
Radmilla Jezdimiroviq, me origjinë nga Mitrovica, kishte ardhur për përkujtim nga Vrnjaçka Banja.
„Vij rregullisht. Kur vij, nuk di ç’të them, është vërtetë pikëlluese, e dhimbshme, e shihni vetë. Me vështirësi i gjej varrin babait dhe familjes, vëllezërve. Është vërtetë e tmerrshme. Shpresoj që gjithçka të kthehet si më parë, që të mund të vij lirshëm, kur të dua dhe kur të mundem, si kur shkoj në Rudare, që të mund të vij edhe këtu. Shpresoj që do të jetë kështu, Zoti do të ndihmojë, ka Zot,“ tha Jezdimiroviq.
Millica Kasalloviq, së bashku me familjen, rregullisht viziton varret e paraardhësve.
„Më duket se këtë vit ka pak më pak njerëz se më parë, por shpresoj me gjithë zemër që në të ardhmen kjo të ndryshojë, që numri ynë, i serbëve këtu në Kosovë dhe Metohi, të shtohet dhe që çdo vit në numër gjithnjë e më të madh të vizitojmë varret e paraardhësve tanë,“ theksoi Kasalloviq.






0 komentet