Flamuri i Serbisë për herë të parë në hapësirë, e mori me vete një biznesmen nga Turqia, dhëndri serb

Zastava Srbije, padobranac, obeležavanje 80. godišnjice opreacije Halijard
Burim: Kosovo Online

Kompania “Blue Origin” e Xhef Bezosit nga baza Van Horn në Teksas dërgoi sot në hapësirë një anije kozmike në të cilën ndodhej biznesmeni turk Gökhan Erdem, gruaja e të cilit është serbe, dhe për këtë arsye ai me vete në hapësirë mori flamurin e Turqisë dhe të Serbisë. Kështu flamuri i Serbisë për herë të parë u ngrit në hapësirë, njoftoi RTV.

Sipas faqes zyrtare të “Blue Origin”, përveç flamujve të Turqisë dhe Serbisë, Erdem me vete mori në kozmos edhe siluetën e Bosforit, si simbol i lidhjes së tij me Stambollin.

Në fluturimin Nju Shepard NS-34 morën pjesë tetë udhëtarë, prej të cilëve asnjëri nuk është astronaut, raportoi Tanjug.

I gjithë fluturimi zgjati rreth 11 minuta, duke përfshirë ngritjen, ndarjen e kapsulës, rënien e lirë dhe uljen me parashutë.

Pas misioneve të suksesshme të astronautëve turq Alper Gezeravcı dhe Tuva Cihangir Atasever në kuadër të Programit Kombëtar Hapësinor, Gokhan Erdem u bë udhëtari i tretë hapësinor nga Turqia.

Erdem, anëtar i Bordit Drejtues të Erdem Holding, u bë biznesmeni i parë turk në hapësirë dhe qytetari i parë turk që fluturon me kompaninë “Blue Origin”.

Ky ishte fluturimi i katërmbëdhjetë i sistemit Nju Shepard me ekuipazh njerëzor. Fluturimi i kapsulës është plotësisht autonom dhe pa pilot.

Ambasadori i Serbisë në SHBA, Dragan Shutanovac, e kishte pritur më herët në ambasadën në Uashington biznesmenin turk Erdem dhe bashkëshorten e tij Jellena.

Jellena Erdem është bioteknologe, e lindur në Beograd, ku ka diplomuar në Fakultetin e Teknologjisë Metalurgjike. Pas fillimit të karrierës në Serbi, ajo është zhvendosur në Stamboll, ku aktualisht jeton me bashkëshortin e saj.