Gordana Ristiq: Ka më shumë se 20 vjet që pres që të më kthejnë eshtrat e djalit tim, që ta varros
Beogradi dhe Prishtina duhet të miratojnë së shpejti Deklaratën për të Pagjeturit. Fatkeqësisht, ende nuk dihet fati i 1621 personave të tjerë, eshtrat ende nuk janë gjetur, mes tyre ka shqiptarë, serbë, romë... e shumë të tjerë.
Në këtë moment, historitë e familjeve serbe, të cilat janë ende në kërkim të të dashurit të tyre, mbeten në harresë, kërkesa e tyre që institucionet ndërkombëtare dhe autoritetet e Kosovës të angazhohen përfundimisht për gjetjen e eshtrave dhe të dashurve të tyre, përballet me një mur heshtjeje. Nga numri i përgjithshëm i personave të zhdukur në Kosovë - 588 janë joshqiptarë (kryesisht serbë).
Sllagjana Remishtar për Kosovo Online tregon historinë e bashkëshortit të saj Nenad, i cili u rrëmbye më 13 qershor 1998.
"Ne jetonim në fshatin Biça, komuna e Klinës. Ai atë ditë shkoi në punë dhe u rrëmbye në rrugën Klinë-Gjakova. Ai ishte polic i komunikacionit", fillon rrëfimin Sllagjana dhe vazhdon.
“Jam kontaktuar nga Gjykata Speciale, më kanë vizituar në shtator të vitit të kaluar për të marrë deklaratë. Më kanë thënë se ka mundësi që të më thërrasin për të dëshmuar. Edhe sot e kam të vështirë të flas për këtë, mbeta në atë kohë me një fëmijë katër muajsh, djali im është 25 vjeç, kam edhe dy mbesa, por sa jam gjallë kam një vragë në zemër”, thotë bashkëbiseduesja jonë.
Sa i përket gjykimit të liderëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë, ajo vetëm tha se secili njeri duhet të mbajë përgjegjësi për atë që ka bërë.
“Për fat të keq, kjo nuk mund t'i kthejë të dashurit tanë”, thotë Sllagjana.
Më 22 qershor 1999, djali i Gordana Ristiq, Davor, i cili një ditë më parë kishte mbushur 28 vjeç, u rrëmbye.
“Nga Fushë Kosova ka shkuar në Prishtinë dhe rrugës e kanë rrëmbyer. Nuk e di se çfarë ka ndodhur me të, ka pasur gjithfarë thashetheme se e kanë çuar në Lapushnik, Prizren... Deri sot nuk e kam gjetur të vërtetën. Të paktën të më kthejnë eshtrat e tij, për t'i varrosur. I dhashë para edhe një ndërmjetësi, i ofrova shtëpi nëse ma kthenin djalin. Kështu një i ri nga Fushë Kosova u kthye te prindërit e tij, të cilët gjithashtu dhanë para por ndryshe nga unë kanë pasur edhe lidhje të mira. Edhe inspektorët e UNMIK-ut erdhën kur isha në Fushë Kosovë, por asgjë. Tani edhe nga gjykata speciale më kanë refuzuar, rastin e djalit nuk do të përfshihet në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve sepse është rrëmbyer më 22 qershor 1999. Siç më shpjeguan, ka grupi A dhe grupi B për gjykim, dhe djali im nuk bën pjesë në atë grup ku janë Thaçi dhe të tjerat”, thotë Gordana me zë të rëndë.
Me këtë rast ajo iu referua takimit të fundit që ka pasur me Kreun e Komisionit Kosovar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti.
“Ai na tha se kanë informacione se ku mund të jenë eshtrat e më të dashurve tanë, por që pa miratimin e Kurtit nuk mund t'i zbulojnë ato lokacione apo të fillojnë kërkimet”, thotë Gordana.

komentet