Krstiq: Rritje e numrit të zjarreve në Serbi vitin e kaluar, pakujdesia njerëzore faktor rreziku

Krstić Vatrogasna jedinica
Burim: Kosovo Online

Shefi i seksionit në Drejtorinë për Njësitë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit të Sektorit për Situata të Jashtëzakonshme të MPB-së, Aleksandar Krstiq, deklaroi se vitin e kaluar në Serbi kanë ndodhur gati 28.300 zjarre, në të cilat kanë humbur jetën 328 persona. Ai theksoi se kjo paraqet një rritje prej rreth 1.500 zjarresh krahasuar me vitin 2024, duke sqaruar se këtu nuk përfshihen vetëm zjarret në objekte ndërtimore, por edhe një numër i madh zjarresh në hapësira të hapura që ndodhën gjatë verës së kaluar.

Duke folur për zjarret në objekte si kafene dhe klube nate, Krstiq theksoi se shkaku më i shpeshtë është gabimi njerëzor dhe pakujdesia.

“Pas hetimeve, statistikat tregojnë se njeriu është shkaktari kryesor i zjarreve. Kur themi njeri, nuk nënkuptojmë zjarrvënie të qëllimshme. Më së shpeshti, pothuajse 100 për qind bëhet fjalë për pakujdesi, madje edhe neglizhencë. Thjesht, nuk jemi mjaftueshëm të kujdesshëm ndaj të tjerëve, lëmë pajisje të ndezura pa mbikëqyrje, trupat ngrohës, shporetët, dhe nga kjo lindin zjarret”, vlerësoi ai.


Ai tha se në Serbi ekziston një rregullativë e rreptë kur bëhet fjalë për mbrojtjen kundër zjarrit në këto objekte, por se është e nevojshme të analizohen në detaje shkaqet, si dhe arsyet pse vjen deri te një numër i madh viktimash.

“Kjo është shumë e diskutueshme dhe duhet të fillohet me një analizë më serioze. Ajo që mund të them për Republikën e Serbisë është se ne kemi një rregullativë shumë të rreptë për këto çështje dhe në Sektorin për Situata të Jashtëzakonshme ekziston një drejtori e tërë – Drejtoria për Mbrojtjen Preventive nga Zjarret dhe Shpërthimet – e cila ka një detyrë serioze për t’i zbatuar dhe kontrolluar të gjitha këto”, shtoi ai.


Për shkak të rregullativës së rreptë ligjore, vlerëson Krstiq, në Serbi nuk ka probleme të mëdha të shkaktuara nga zjarret në objekte ndërtimore, por ai theksoi se garanci absolute nuk ekzistojnë.

“Bëhen shumë kontrolle, shumë inspektime. Asnjëherë nuk mund të jemi 100 për qind të sigurt dhe të themi se diçka nuk do të ndodhë. Gjithmonë them se duhet t’u bëjmë thirrje çdo individi, çdo qytetari, që të përpiqet që të mos lindin probleme të mëdha”, porositi ai.

Krstiq theksoi se pas zjarrit në shtëpinë e të moshuarve në Barajevë, Sektori për Situata të Jashtëzakonshme ka rritur numrin e vizitave dhe kontrolleve, por se dispozitat ligjore nuk janë ndryshuar, pasi një rregullativë e fortë tashmë ekziston. Megjithatë, ai vuri në dukje se nuk ka numër të mjaftueshëm inspektorësh që kryejnë kontrolle preventive në terren.

“Nuk ka numër të mjaftueshëm inspektorësh për mbrojtjen preventive nga zjarret dhe shpërthimet në terren. Njerëzit punojnë me kapacitetet që kanë, por gjithmonë nevojiten më shumë për të qenë edhe më efikas”, shtoi Krstiq.