Nada Petroniq: Fitoren në Stamboll ia dedikova trajnerit tim Lunes, më mungojnë këshillat e tij
Garuese e klubit të kikboksit “Kosovska Mitrovica”, Nada Petroniq, medaljen e artë të fituar në Kampionatin Evropian të Juniorëve në Stamboll, të shtunën ia kushtoi trajnerit të saj Milun Milenkoviq – Lune, i cili u arrestua nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës në qershor të këtij viti dhe ndodhet në paraburgim prej gati tre muajsh.
Kampionia e re theksoi se kjo fitore është shumë e rëndësishme për të, sepse rifitoi fronin europian.
“Unë u bëra kampion i Evropës në kikboks për herë të dytë. Fitorja ime e parë ishte në vitin 2021 dhe tani e kam rifituar titullin. Kjo fitore ka një rëndësi të madhe për mua, veçanërisht sepse trajneri ynë Milun Milenkoviq Lune nuk është këtu për momentin. I jam shumë mirënjohës të gjithëve për mbështetjen e madhe, kjo është një fitore e madhe për mua, klubin, qytetin, familjen time, si dhe për kombëtaren serbe”, tha Petroniq.
Petroniq ka thënë se në momentet e vështira para përleshjes i ka munguar trajneri me të cilin ka punuar që nga fillimi i karrierës.
“Fitoren ia dedikova trajnerit Milun Milenkoviq – Lune. Më mungon çdo ditë e më shumë, sidomos kur më duhej të hyja në ring, të më tregonte se çfarë të bëja dhe të më këshillonte, si një trajner që më njeh gjithë jetën dhe me të cilin punoj. Më ka munguar ai moment, kur më thotë se çfarë të bëj”, ka thënë Petroniq.
Ajo njoftoi pjesëmarrjen në Kampionatin Ballkanik dhe garën “Balkan Best Fighters”.
Klubi i kik-boksit “Kosovska Mitrovica”, për të cilin garon Nada dhe që arriti suksese të lakmueshme në gara të ndryshme nëpër Evropë, deri në momentin e arrestimit drejtohej nga trajneri Milun Milenkoviq. Pas kësaj, për klubin dhe të gjithë anëtarët e tij u kujdes ndihmës trajneri Aleksandar Alagiq.
komentet