Përkujtimore për fëmijët e vrarë në Bistricë, babai i të vrarit i drejtohet Kurtit: Hap hetimin
Përkujtimore në kishën e Lindjes së Virgjëreshës së Shenjtë e më pas nëpër varret e fëmijëve të vrarë-Ivan Jovoviq dhe Panteli Dakiq, sot në Gorazhdevc kremtohet 22 vjetori i krimit ndaj fëmijëve sërbë në lumin Bistricë.
Në breshërinë e zjarrit ndaj fëmijëve sërbë që laheshin në Bistricë më 13 gusht të vitit 2003, u vranë 12 vjeçarët Ivan Jovoviq dhe Pantelia Dakiq, ndërsa u lënduan rëndë Marko Bogiqeviq, Dragana Sërblak, Bogdan Bukumiriq dhe Gjorgje Ugrenoviq.
Autorët sot nuk janë vënë para drejtësisë, ndërsa Unmik zyrtarisht në vitin 2010 ndërpreu hetimet nën sqarimin se nuk ka prova të mjaftueshme.
Meshën përkujtimore në kishën e Lindjes së Virgjëreshës së Shenjtë, e shërbeu peshkopi Ilarion nën mbështetjen e priftërinjve të Arqipeshkvisë Rashko-Prizrenase.
Peshkopi Iilarion i Nobobrdës në fjalën e tij sot në Gorazhdevc theksoi se pavarësisht tragjedisë, jeta festohet, duke deklaruar se si Ivani edhe Panto janë gjallë tek Zoti.
"Paradoksalisht, festojmë jetën dhe jemi mbledhur të përkujtojmë të ndjerët. Sepse besojmë se të gjithë jetojnë tek Zoti dhe ne këtu jemi mbledhur sot, sepse tek Zoti jemi të gjithë gjallë. Ivani dhe Panto janë gjallë tek Zoti, në përqafimin sekret të tij që na pret edhe ne. Nga pikëpamja e kësaj bote, gjithçka është e tmerrshme dhe mizore, përse një fëmijë të vritet në mënyrë të tillë, përse nuk ka drejtësi, përse nuk dihet se kush është autori, përse kjo kishë nuk mund të ripërtërihet dhe të mbijë përsëri, shumë pyetje ka rreth për përse-në në këtë botë, por kur e vëzhgojmë nga pikëpamja e Liturgjisë së Shenjtë dhe pranisë së Krishtit, humbet përse-ja. Sepse kur Zoti është aty me ne, pyetjet humbasin. Njeriut nuk i nevojiten përveçse ngrohtësia e përqafimit të Zotit. Dhe në këtë përqafim jemi të gjithë", tha peshkopi Ilarion.
Sikurse theksoi, është e nevojshme që njeriu ka besim dhe të shikojë Krishtin e Ringjallur dhe përqafimin e tij tek Ivani dhe Panto.
"Kjo është jona, vëllezër e motra, që hidhërimin në zemrën tonë t’a shërojmë dhe pavarësisht se sa e vështirë dhe e dhimbshme është kjo jetë, t’a transformojmë atë në të mirë dhe të ëmbël me besim tek Ringjallja e Krishtit pavarësisht gjithçkaje. Veçanërisht ju që jeni të ngarkuar me dhimbje që do të mbarojë vetëm kur të shikoni Ivanin dhe Panton dhe kur t'i përqafoni, veçanërisht ju prindër, kur të përqafoni trupin që lindët, atëherë do të marrë pjesë në atë ngushëllim, por deri atëherë, ne rrojmë me besim. Me besim që do të zgjidhet me praninë e Krishtit në dashurinë e përhershme. Por ju lutem që atë ngarkesë dhe presion, padrejtësi dhe çështje të ndryshme ta lini veçmas dhe do të shikoni në përgjithësi triumfin e jetës. Ne jemi bashkuar sepse besojmë tek triumfi i jetës, ardhjen e Krishtit në të cilën do të jemi të pranishëm dhe të gjithë do të jemi të përjetshëm, nëse i hapim zemrat tona për atë bashkim me të” tha peshkopi.
Ky i fundit tha se e vetmja që qëndron përjetësisht është Kisha e Zotit e cila, është e pathyeshme.
"Ky është mësimi i Kosovë-Metohisë, se vetëm kisha mbetet, kisha është e pathyeshme dhe kjo jo nga ndonjë forcë njerëzore, por nga forca e jetës së pathyeshme. Ndaj është bekim të qëndrosh këtu, është e vështirë, nuk ke disa privilegje, disa mundësi, siç kanë njerëzit që jetojnë në disa vende të tjera, por ke bekim të veçantë”, tha ai.
I ati i të vrarit Panteli Dakiq, Milisav, i bëri thirrje kryeministrit kosovar në mandatin teknik Albin Kurtit, që të riçelë hetimet dhe të zbulojë vrasësin.
"Do të duhet të çelë e të gjejë vrasësin. Duhet ta dijë se familja dhe fëmijët janë të shenjtë. Dhe ai ka fëmijë dhe duhet të jetë i vetëdijshëm për dhimbjen që mbaj. Kjo jetë dhe kjo botë janë të mëdha. Askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë në jetë. Ndaj i them të hapë hetimin, të gjejë vrasësit, sepse kështu mund të jetë kryeministër për të gjithë banorët e Kosovës", tha Dakiq, duke thënë se këtë pret prej tij.
Mirjana Sërbljak, nëna e Draganës së lënduar atëherë, thotë se sot në familjen e tyre, ndonëse është e trishtueshme, festohet sërish si ditëlindje.
"Çdo herë e njëjta. Na kthen të gjithëve në atë ditë. Dhe tani duhet pak kohë që e gjitha kjo të kalojë, të qetësohet, përndryshe asgjë nuk ndryshon, çdo vit është e njëjta gjë, çdo ditë ngjarje të reja, as nuk e dimë se ku jemi, por jemi ende këtu", tha ajo.
Kujton se atë ditë dëgjoi sirena dhe menjëherë u drejtuan tek lumi.
"Dëgjuam sirena dhe britma, të gjithë vrapuam drejt lumit sepse dinim që fëmijët kishin shkuar aty. Kështu e morëm vesh, aty pamë masakrën", thotë ajo.
Sërbljak thotë se tragjedia la gjurmë të dhimbshme në Gorazhdevc.
"Ne besuam se do të ishte mirë, por asgjë... Asgjë nuk është e mirë. Fëmijët tanë sigurisht që largohen, mbarojnë fakultetet, nuk kanë punë. Besonim se jeta do të ishte shumë më e mirë këtu, sepse Gorazhdevci ka shumë të rini, nxënës dhe shumë familje. Fatkeqësisht, ato besimet tona po shuhen ngadalë", tha ajo.
Shtoi se nuk pret që krimi të zbardhet.
"Kam shkuar në seanca dëgjimore dhjetë herë. Kjo është çmenduri të besohet gjithçka që marrin në duart e tyre, mund ta imagjinoni se si do të përfundojë. Kurrë kjo nuk do të zbardhet ashtu sikurse gjithë të tjerat", tha Sërbljak.
Në përkujtimoren para Zyrës për K&M merrte pjesë Malinka Mitroviq e cila vendosi kurorë para pllakës përkujtimore të të vrarëve nga agresioni i NATO dhe fëmijëve të vrarë në Bistricë.
Mitroviq theksoi se ngjarja tragjike në Gorazhdevc la gjurmë të thellë në kujtesën e të gjithëve.
"Fatkeqësisht, ajo që mund të themi është se hetimi nuk dha rezultate, autorët nuk u gjetën. Dhe ajo çka është më e keqja është se se EULEKS prej vitit 2010 ndaloi hetimet sikurse thonë për shkak të mungesës së provave. Kjo ngjarje tragjike la gjurmë të thellë në kujtesën e ne të gjithëve dhe me siguri do të mbetet si simbol i vuajtjeve të sërbëve në atë periudhe", tha Mitroviq.
Kjo e fundit thotë se sot në Gorazhdevc mbahet shërbim përkujtimor për fëmijët e pafajshëm që u vranë por dhe ofroi mbështetje për familjet e viktimave.
"Ne jemi këtu për t'u thënë atyre se nuk janë vetëm, se nuk janë të harruar, sepse dhimbja dhe trishtimi që ndiejnë gjatë gjithë këtyre viteve është edhe dhimbja jonë. Do të donim t’ua lehtësonim në një farë mënyre, ta ndanim. Dhe për sa kohë që i kujtojmë viktimat tona, ato do të jetojnë me ne. Ndaj dhe sërbët nuk duhet të lejojnë që kujtimi i çdo viktime të harrohet, si për hir të viktimës dhe familjeve të tyre, ashtu edhe për hir të së ardhmes së popullit sërb", tha ajo.
Shtoi se krimi në Gorazhdevc është një nga plagët më të thella sërbe, por edhe humbja më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare.
"Ndaj dhe bashkësia ndërkombëtare mbetet paralajmërim i përhershëm derisa autorët të gjenden dhe të sillen para drejtësisë", konkludoi Mitroviq.
Në Gorazhdevc, dje nisi Turneu Memorial në futbollin e vogël nën emërtesën "Kujtim për Ivanin dhe Panton", kushtuar dy viktimave të atij fshati.
0 komentet