Sentiq: Ligji për përdorimin e gjuhës i gjerë në spektrin e dhënies së të drejtave, por zbatimi në praktikë është problematik
Ligji rreth përdorimit të gjuhëve në Kosovë është i gjerë në spektrin e dhënies së të drejtave, por zbatimi në praktikë është shumë problematik, vlerëson ndihmës Avokati i Popullit Sërgjan Sentiq në tryezën e rrumbullaktë me temën “Respektimi i të drejtave gjuhësore në Kosovë” të mbajtur sot në Graçanicë. Avokati i Popullit Naim Qelaj vuri në dukje problemin e numrit të paktë të ankesave të pranuara për mosrespektim të këtij ligji dhe theksoi domethënien e rritjes së vetëdijes së qytetarëve për këtë problem.
Ndihmës Avokati i Popullit Sërgjan Sentiq theksoi se Kosova ka një kornizë shumë progresive legjislative që përmes dispozitave kushtetuese dhe ligjore garanton përdorimin e barabartë të gjuhës shqipe dhe sërbe, por dhe të gjuhëve të komuniteteve tjera në nivel komunal, megjithatë, sqaron ai, në praktikë qytetarët përballen me probleme të shumta në realizimin e të drejtave gjuhësore.
“Vihet re se procesi i respektimit të të drejtave gjuhësore, përkundër disa ndryshimeve pozitive, po zhvillohet ngadalë, çka në vetvete imponon konkluzionin që mekanizmat egzistuese për mbrojtjen e të drejtave gjuhësore duhet të mbështeten dhe forcohen në drejtim të efikasitetit në arritjen e përgjegjësisë së plotë në zbatimin e kornizës legjislative përsa i përket Ligjit për përdorimin e gjuhës”, tha Sentiq.
Për sërbët dhe komunitetet e tjera që përdorin gjuhën sërbe dhe jetojnë në zonat me popullsi shumicë shqiptare dhe për shqiptarët që jetojnë në veri të Kosovës ku dominon në shumicë popullsia sërbe, mosrespektimi i të drejtave gjuhësore nënkupton dhe qasje të limituar në dokumente ligjore, ka theksuar Sentiq duke shtuar se kjo ka efekt në qasjen e kufizuar në punë, tek të drejtat e konsumatorëve, kujdesin shëndetësor, arsimin dhe shërbimet sociale.
“Disa nga problemet që dalin janë cënimi i së drejtës për përdorimin e barabartë të gjuhës sërbe në procedurat administrative të qytetarëve me organet e institucioneve, mosrespektimi i gjuhëve zyrtare në faqet zyrtare të internetit të një numri të madh institucionesh në të gjitha nivelet e qeverisjes, si qendrore ashtu edhe komunale, devijime të mëdha gjatë përditësimit të uebsajteve egzistuese të institucionit, kjo është veçanërisht evidente në gjuhën sërbe, çka reflekton në mospërputhje, jo vetëm të informacionit tek të dyja gjuhët zyrtare, por po përballemi me vonesa në publikimin e informacionit. Gjithashtu, ende egziston përkthim joadekuat apo jo i saktë i emrave toponuese, kryesisht të lidhura për gjuhën sërbe” tha ai.
Sentiq më tej shtoi se konkluzioni është se korniza ligjore është e mirë dhe se Ligji për përdorimin e gjuhëve është i gjerë në spektrin e dhënies së të drejtave, por zbatimi në praktikë është shumë problematik.
“Shkaqet e mosrespektimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve kanë qenë dhe janë ende objekt i raportimit nga shumë organizata ndërkombëtare dhe vendase, të cilat shkakun e problemit e shikojnë tek mungesa e vullnetit politik, rezistencës tek komuniteti shumicë, numër i pamjaftueshëm i përkthyesve të kualifikuar, mungesa e politikës ndëshkuese për mosrespektim të të drejtave gjuhësore”, tha ai.
Avokati i Popullit Naim Qelaj tha se ky institucion nga ana e komunitetit sërb përgjatë vitit 2023 ka pranuar rreth 175 ankesa çka është sikurse tha, dyfishi i vitit 2021. Kur është fjala për Ligjin për përdorimin e gjuhës, Qelaj thekson se një numër i vogël i qytetarëve ankohen dhe se vitin e kaluar ky numër ka qenë rreth tre apo katër.
“Bëhet fjalë për numër të vogël ankesash që kemi marrë dhe pajtohemi që duhet të punohet më shumë në drejtim të rritjes së ndërgjegjësimit edhe përmes takimeve të tilla, konsultimeve, anketave në nivel lokal dhe sërish si fazë e dytë, në fund Institucioni i Avokatit të Popullit është ai që nxjerr një pamje të gjetjeve apo rezultateve bazuar në punën që është bërë. Çështja e të drejtave gjuhësore është një çështje me të cilën Institucioni i Avokatit të Popullit do të vazhdojë të merret ende deri në zgjidhjet përfundimtare. Tani sa jemi të gatshëm për të përmbushur standardet varet nga gatishmëria politike, e cila është evidentuar, megjithatë mendoj se ato çështje që janë detyrime ligjore, nuk kanë të bëjnë vetëm me një institucion apo vullnetin apo gatishmërinë e dikujt, por janë detyrime ligjore. Kur nuk egziston zbatimi i ligjit, ka vetëm dy mundësi, ose t’a zbatojmë, ose t’a përmbushim. Pikërisht për këtë, sepse ligji duhet të zbatohet dhe të japim gjithçka nga vetja sesi të sigurohet që kjo e drejtë të respektohet 100%”, tha Qelaj.
Shefi i Departamentit të së drejtës dhe Ligjit në OSBE në Kosovë Mark Laser, tha se misioni i OSBE çështjen e Ligjit për përdorimin e gjuhës e merr seriozisht dhe se ka një numër të madh të aktiviteteve të fokusuara në këtë çështje.
“Departamenti im për Drejtësi dhe Gjyqësor mbikqyr punën e gjykatave dhe kemi vërejtur se shpesh njerëzit nuk kanë dokumente në gjuhë, le të themi në gjuhën e tyre, sërbe apo shqipe, egziston problem sa i përket përkthimit në gjykata dhe kjo është e njohur në instancat më të larta. Në seminare u diskutua shumë edhe për cilësinë e dobët të përkthimeve gjyqësore. Gjithashtu, në sektorin tim bisedohet shumë përsa i përket kualitetit të dobët të përkthimit në gjykata. Gjithashtu sektori im jep komente tek projekt-ligjet, por gjithashtu kur shikojmë kualitetin e përkthimit të ligjeve nga shqipja në sërbisht apo gjuhë të tjera në përdorim dhe shpesh konstatojmë se cilësia e përkthimit nuk është e mirë. Kjo është diçka që shpesh e kemi vënë në dukje. Gjithashtu punojmë me zyrën e kryeministrit sesi të krijojmë njësi të veçantë që do të tentojë të përmirësojë cilësinë e përkthimit të ligjeve, tha Laser.
Ky i fundit theksoi se secili ka të drejtë të kuptojë procedurat gjyqësore në gjuhën e vet.
“Si mund të mbroheni, si mund të merrni pjesë në seancë, nëse nuk kuptoni se për çfarë bëhet fjalë apo nuk i keni dokumentet në gjuhën tuaj”, tha Laser.
Tryeza e rrumbullakët u organizua nga Institucioni i Avokatit të Popullit dhe misioni i OSBE në Kosovë.
komentet