Jorgiq: Delegacioni i Serbisë u largua nga Kongresi i FIDE-s për shkak të mungesës së fusnotës pranë emrit të Kosovës

Andrija Jorgić
Burim: Kosovo Online

Kryetari i Federatës së Shahut të Serbisë, Andrija Jorgiq, deklaroi se delegacioni i kësaj federate sot u largua nga seanca zyrtare e Kongresit të FIDE-s në Samarkand dhe paraqiti protestë për shkak të një lëshimi të organizatorëve, të cilët nuk respektuan rregullat në fuqi të Federatës Botërore të Shahut dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Gjatë zgjedhjes së kryetarit të ri të FIDE-s, në tabelën zyrtare ku ishte shënuar emri i Kosovës mungonin fusnota dhe ylli i detyrueshëm, gjë që, sipas tij, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 dhe akteve në fuqi të FIDE-s.

Jorgiq, i cili së bashku me Elena Stojanoviqin përfaqësonte Serbinë në këtë kongres, tha për Kosovo online se reagoi sapo vuri re parregullsinë dhe u largua menjëherë nga salla e kongresit në shenjë proteste, derisa organizatorët e korrigjuan gabimin.

„Në fillim të Kongresit të FIDE-s vumë re se e ashtuquajtura Kosovë nuk kishte fusnotën, e cila, sipas rregullave të FIDE-s dhe Rezolutës 1244, është e detyrueshme dhe duhet të jetë e shënuar. Ata nuk e kishin vendosur atë në tabelë dhe ne reaguam duke u larguar nga salla. Kërkova nga drejtuesit e FIDE-s ta eliminonin këtë parregullsi. Kjo zgjati rreth 10–15 minuta, ata e vendosën fusnotën dhe kongresi mundi të vazhdonte“, shpjegoi Jorgiq.

Jorgiq thekson se një incident i tillë nuk kishte ndodhur më parë dhe se, në bashkëpunim me organizatorët, gjithmonë kujdesen që të parandalojnë situata të tilla.

„Prej një kohe të gjatë po bisedojmë për t’i shmangur këto përballje kur bëhet fjalë për Olimpiadën, pasi, sipas rregullave të FIDE-s dhe Rezolutës 1244, statusi i së ashtuquajturës Kosovë absolutisht nuk është zgjidhur, prandaj nuk përballemi asnjëherë në kuptimin shahistik për të luajtur një parti. Nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për ngjarje të tilla, duhet të vendoset një tabelë që përmban fusnotën dhe ata premtuan se kjo nuk do të ndodhë më. Ata kërkuan falje, veçanërisht duke pasur parasysh se ndodhemi në Uzbekistan, një vend mik për ne, i cili nuk e ka njohur të ashtuquajturën Kosovë, dhe drejtuesit e përfaqësuesit e Federatës së Shahut të Uzbekistanit e kuptuan gjithë këtë“, tha Jorgiq.