Kallas dhe Kos: BE pret formimin e shpejtë të institucioneve në Kosovë
Përfaqësuesja e Lartë e BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos sot në deklaratë të përbashkët kanë shprehur pritshmërinë që në Kosovë institucionet e reja të formohen shpejt nën mesazhin se qeveria e re duhet të dyfishojë përpjekjet për zbatimin e reformave si dhe presin që të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme nga dialogu, të zbatohen pa vonesa apo parakushte të mëtejshme.
"Të dielën, më 28 dhjetor, populli i Kosovës shfrytëzoi të drejtën e vet demokratike me daljen në votime në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Pas bllokimit politik që pasoi zgjedhjet në shkurt të këtij viti, shpresojmë për konstituimin e shpejtë të kuvendit dhe qeverisë së re, si dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet kompetente. Qeveria e re do të duhet të dyfishojë përpjekjet e veta në zbatimin e reformave të nevojshme që lidhen me BE", theksoi Kallas dhe Kos.
Këto të fundit bërën të ditur se BE "merr shënim" pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve dhe partive të tyre politike në zgjedhje, duke shtuar se procesi zgjedhor tregoi angazhim të fortë ndaj parimeve demokratike.
Ato kujtuan se Unioni dërgoi Mision Zgjedhor të Ekspertëve, i cili do të mbetet në Kosovë për të ndjekur procedurat postzgjedhore.
"I bëjmë thirrje parlamentit, pas formimit, që të ratifikojë marrëveshjet në lidhje me Planin e Rritjes. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është instrument me afat të kufizuar kohor i miratuar për periudhën 2024-2027 dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më parë të jetë e mundur që të shfrytëzohen plotësisht të gjitha mundësitë në kuadër të Planit të Rritjes në favor të popullsisë së vet", theksuan zyrtaret e BE.
Theksuan se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Sërbisë, nën ndërmjetësimin e BE, vazhdon të jetë "e vetmja mënyrë që të dy vendet të arrijnë përparim në rrugën e tyre europiane".
"Presim që të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme nga dialogu, do të zbatohen pa vonesa apo parakushte të mëtejshme. BE është e gatshme të jetë mikpritëse e takimit të nivelit të lartë kur kushtet t’a lejojnë", deklaruan Kallas dhe Kos.
Kujtuan se BE vazhdon me heqjen e masave që i ishin vendosur Kosovës.
"Ndihma financiare në shumën prej 216 milionë eurosh është përjashtuar tashmë nga masat pas transferimit të qetë të qeverisjes vendore pas zgjedhjeve të fundit vendore. Gjithashtu synojmë që në nisje të vitit të ardhshëm, të përjashtojmë 205 milionë euro shtesë nga masat”, shtuan Kallas dhe Kos në deklaratën e përbashkët.
komentet