Dy hapa para, një hap pas: Bisedime mes Kosovës, Sërbia dhe BE

Helena Ivanov Twitter
Burim: Twitter

Shkruar për Kosovo onlajn nga: Helena Ivanov, bashkëpunëtore hulumtuese, Instituti Henri Xhekson

Edhe një tur bisedimesh mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti nën ndërmjetësimin e përfaqësuesve të BE, u mbyll dje. Ajo që shumëkush shpresonte se do të ishte një hap tjetër përpara në normalizimin e marrëdhënieve mes Sërbisë dhe Kosovës, doli se ishte hap pas-duke vënë në pikëpyetje të gjitha marrëveshjet që ishin pranuar verbalisht, ndonëse të pa firmosura.

Nëse pyesni Zhozef Borellin, “është arritur progres i caktuar". Që do të thotë se të dy palët "miratuan një pikë të rëndësishme të aneksit për implementim-Deklarata për personat e zhdukur". Madje edhe kur bie fjala për pikën më të diskutueshme gjatë bisedimeve të fundit, zoti Borelli ngeli optimist duke thënë se “palët kanë bërë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Bashkësisë së Komunave Sërbe”. Kjo përfshinte prezantimin e draft-statutit të parë të kësaj Bashkësie të paraqitur prej Këshillit Drejtues Sërb të Kosovës. Zoti Borelli e kishte të qartë se ky draft nuk është aspak përfundimtar, por edhe prezantimi i tij duhet parë si një hap përpara.

Toni dhe interpretimi i bisedimeve të djeshme prej zotit Borelli, është krejt ndryshe nga ajo që kemi dëgjuar prej zotit Vuçiq dhe zotit Kurti. Presidenti Vuçiq tha se është “shumë i shqetësuar” sepse mendon se “kemi goditur në mur” kur është fjala për marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave Sërbe. Në anën tjetër zoti Kurti tha se drafti i paraqitur nga Këshilli Drejtues, tregon qartë se “Sërbia dëshiron të krijojë Republikën Sërbe” në Kosovë dhe tha se drafti në fjalë “është dukshëm i qartë që nuk është në përputhje me kushtetutën kosovare”.  

Ngjarjet e mbrëmshme tregojnë qartë se normalizimi i vërtetë i marrëdhënieve mes Kosovës e Sërbisë, nuk duket kund. Nga njëra anë, nuk ka gjasa që Kosova të pranojë themelimin e Bashkësisë së Komunave Sërbe siç është dakordësuar në Bruksel në vitin 2013. Njëkohësisht përfaqësuesit sërbë treguan se do të zbatojnë në mënyrë selektive marrëveshjen e pranuar në Ohër muajin e kaluar derisa autoritetet e Kosovës të dakordësohen për themelimin e Bashkësisë.

Egzistonte një farë optimizmi të justifikuar pas raundit të ri të negociatave të mbajtura në Bruksel dhe Ohër në shkurt dhe mars, në të cilin të dyja palët dukeshin mjaft të gatshme për të diskutuar çështje të vështira dhe për të bërë kompromiset e nevojshme. Por edhe atëherë, kishte shenja se bisedimet për zbatimin mund të dështonin. Së pari, asnjë nga kontratat nuk u nënshkrua në të vërtetë-përkundër kësaj, u pranuan vetëm verbalisht.

Për më tepër, tek të dy marrëveshjet mungonin detajet thelbësore në lidhje me implementimin e tyre. Për shembull, ndërsa marrëveshja e Ohrit kërkonte që Kosova të fillonte urgjentisht bisedimet për themelimin e Bashkësisë së Komunave Sërbe, shumë pak u fol se kur do të fillonin saktësisht këto bisedime, si do të funksiononin dhe cilat do të ishte pritshmëria e rezultateve. Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit kanë ndryshuar shumë pak në terren, siç ilustrohet nga zgjedhjet e fundit në Kosovë, të cilat u bojkotuan nga sërbët.

BE këtë çështje nevojitet t’a marrë seriozisht, përndryshe rrezikon të humbasë kredibilitetin që aktualisht ka. Ndikimi dhe fuqia e BE në këto negociata është nën dyshim-jo vetëm sepse bisedimet e fundit duket se nuk kanë pasur asnjë efekt real, por edhe sepse pjesë të marrëveshjes së Brukselit e nënshkruar në vitin 2013, tani duhet të implementohen.  

Për më tepër, mos-suksesi në normalizimin e marrëdhënieve, mund të ketë implikime serioze afatgjata për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Vetëm vitin e kaluar vurëm re përshkallëzim të madh të tensioneve në Kosovë në lidhje me targat e automjeteve, dokumentet e udhëtimit dhe arrestimin e një polici, sërb i Kosovës. Në të ardhmen, ndërprerja e negociatave mund të rrisë më tej tensionet mes dy grupeve etnike dhe në rastin e fundit të çojë drejt dhunës.

Të udhëheqësh apo ndërmjetësosh në këto bisedime, nuk ka për të qenë kurrë e lehtë, pasi Kosova dhe Sërbia janë në fund të fundit dy palë me synime politike reciproke përjashtuese. Sërbia refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, e kjo e fundit kërkon pavarësi të plotë dhe njohje ndërkombëtare. Ndaj mund të pritet që të dy palët të kundërshtojnë çdo politikë që shihet si cënim i sovranitetit të tyre. Megjithatë, ajo që është e qartë, është se procesi i normalizimit pashmangshmërisht duhet të nënkuptohet si kompromis i të dy palëve.

Që këto të fundit të dakordësohen për të tilla compromise, BE duhet të luajë zgjuarsisht, veçanërisht pasi Rusia ka të ngjarë të shfrytëzojë çdo çarje në sistemin që zbulon. Për t’a bërë këtë, BE duhet të rivendosë besueshmërinë dhe autoritetin e vet për këtë çështje dhe të sigurojë që të gjitha palët, të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara më herët. Pa to, rrezikojmë të përsërisim modelin e fundit-dy hapa para e një hap pas.