100 ditë nga kthimi i kryekomunarëve sërbë në veri: Pritshmëritë, planet dhe pengesat
Në njërën anë pritshmëri e madhe e qytetarëve, në anën tjetër shpërqëndrimi i nivelit qëndror. Kështu e shikojnë bashkëbiseduesit e Kosovo onlajn 100 ditët e para të kryekomunarëve sërbë në katër komunat në veri, në krye të së cilave u kthyen pas gati tri vitesh aq sa në pushtet kanë qenë politikanët shqiptarë. Po ndryshohen vendimet e marra gjatë kohës së kryekomunarëve shqiptarë, për të cilat u gjykuan si jo në interes të qytetarëve, ndërsa komunat njëkohësisht janë të ekspozuara ndaj pengesave nga policia dhe ministri të caktuara. Trendi, me sa duket, është që autoritetet qëndrore po tentojnë gjithnjë e më shumë t'u marrin komunave disa kompetenca.
Shkruar nga: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Kryekomunarët sërbë të zgjedhur në zgjedhjet vendore të 12 tetorit të vitit të kaluar Millan Radojeviq në Mitrovicën e Veriut, Dragisha Milloviq në Zveçan, Millosh Peroviq në Zubin Potok dhe Zoran Todiq në Lleposaviq, detyrën e morën më 5 dhjetor.
Këto funksione në atë kohë i lëshuan kryekomunarët shqiptarë të zgjedhur në prill të vitit 2023 në zgjedhjet ku sërbët i bojkotuan.
“Po pritej prej kohësh ndryshimi”, shprehet për reporterin e Kosovo onlajn Nikolla Vitoroviq nga Mitrovica e Veriut.
“Përjetuam presione të ndryshme nga pushteti i Kurtit. Tashmë erdhi kryekomunari ynë dhe nisën që të punojnë. Di që kanë presione të tmerrshme dhe bllokim të punës dhe shpresoj që me ndihmën e Unionit Europian, do të vijojnë të punojnë dhe të zbatojnë disa prej planeve të tyre që janë në letër” tha ai.
Në 100 ditët e fundit Dejan Milliq nuk ka vënë re përmirësim të madh dhe pret investime në infrastrukturë.
“Duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të mundësuar jetë më të pasur kulturore e sportive” thotë Milliq.
Si problemin më të madh që ka Lleposaviqi, Dragoljub Peruniçiq thotë është furnizimi me ujë.
“Problemi më i madh është uji... Dikur nuk kishte, ndonjëherë me presion të dobët” thotë ai.
Ndërkaq sipas buxhetit të Kosovës, për këtë vit që u miratua në shkurt në Kuvendin e Kosovës, asnjë ministri nuk ka planifikuar të holla për komunat me shumicë sërbe, as në veri e as në jug.
Deputeti i Listës Sërbe Igor Simiq, këtë e vlerësoi si presion frontal ndaj sërbëve, duke thënë se nuk u miratua asnjë nga nëntë amendamentet që ishin parashikuar për investime në projektet kapitale tek komunat me shumicë sërbe, prej të cilave në veri është dhe ndërtimi i Qendrës Kulturore në Mitrovicën e Veriut dhe zgjidhjen e çështjes së furnizimit me ujë të Lleposaviqit.
Dushan Radakoviq nga organizata joqeveritare Qendra për Përfaqësim të Kulturës Demokratike (ACDC) thotë për Kosovo onlajn se kryekomunarët sërbë dhe gjatë këtyre 100 ditëve në pushtet në katër komunat në veri, janë ndeshur me një det problemesh dhe janë përballur me pengesa policore, pengesa dhe nga Ministaria e Financave dhe ajo e Vetqeverisjes Vendore.
"Në tre vitet e kaluara, gjatë qeverisjes së kryekomunarëve shqiptarë në veri, u shkaktuan dëme të shumta. Kryekomunarët e rinj kanë shumë probleme me të cilat po përballen dhe sigurisht që do të vazhdojnë të përballen. Problemi i madh është pengimi. Kemi parë pengimin e policisë, ku inspektimi tenton të punojë sipas ligjeve të Kosovës, ndërsa policia e ndal, ndërsa nga ana tjetër egzistojnë pengesa nga Ministria e Financave dhe ajo e Vetëqeverisjes Vendore”, bën me dije Radakoviq.
Duke folur rreth situatës në Mitrovicën e Veriut, ai thotë se Komuna mund të ketë hyrë ngadalësisht në zgjidhjen e problemit nga ajo çka prisnin qytetarët, por parë nga perspektivë tjetër, mund të jetë më mirë t'i zgjidhë problemet ngadalë sesa të gjitha menjëherësh, sepse atëherë sigurisht që do të kishte më shumë presion nga mediat dhe institucionet shqiptare dhe bllokada me të cilën përballet Komuna do të ishte më e madhe.
Njëqind ditë, vlerëson ai, është periudhë e shkurtër për të bërë gjithçka që duhet dhe është i bindur se Komuna do t'i trajtojë problemet shumë shpejt.
"Gjatë këtyre 100 ditëve, Komuna ka tentuar të përshtatet me situatën momentale. Mendoj se dora e bashkëpunimit u shtri kur shkuam në takim me ministrin e Vetëqeverisjes Vendore, por që nuk shikojmë atë dorë nga ministria. Pres që kjo të ndodhë sepse, për shkak të ligjit për të huajt dhe automjetet, barra do të jetë edhe mbi zyrat e kryekomunarëve", tregon Radakoviq.
Para administratave të të katër komunave, vlerëson ai, do të ketë periudhë të vështirë.
"Shpresoj sinqerisht që në mënyrën më ligjore të tentojnë të zgjidhin disa gjëra dhe nëse është e mundur, disa do të kthehen në gjendjen e mëparshme. Gjashtë, shtatë muajt e ardhshëm, do të jetë turbulluese dhe pres më shumë presion nga ana e ministrive dhe pushteti qëndror mbi vetëqeverisjen vendore", thotë ai.
Njëkohësisht apelon tek policia që të dalë në takim me komunat sepse tek to janë strukturat legale që fituan vota në zgjedhje.
"Si reaguat kur në pushtet ishte dikush me 3% të mbështetjes, mendoj se tani është realiste që policia të dalë në takim me komunat sepse është e ligjshme", thotë Radakoviq.
Se në cilin drejtim do të krijohen raportet e qeverisjeve të reja vendore dhe Policisë Kosovare, mund të shikohet në janar mbrëmjen e Krishtlindjes me rastin e vendosjes së parrullës me përshëndetjen tradicionale “Paqja e Zotit, Krishti u lind” në qendër të Mitrovicës së Veriut me vendim të kryekomunarit të Mitrovicës së Veriut Millan Radojeviq. Policia thirri urgjentisht në polici Radojeviqin ndërsa parrullën e sekuestruan e më vonë e rikthyen.
Në polici para dhjetë ditësh u paraqit drejtori i Inspektoriatit Komunal në Mitrovicën e Veriut Velko Orlloviq, i cili u thirr për të dhënë deklaratë, sepse inspektimi urdhëroi pezullimin e punimeve në një kantier ndërtimi për shkak të mungesës së dokumentacionit. Orlloviq u përgjigj ftesës dhe e karakterizoi të gjithë ngjarjen si presion ndaj komunës dhe inspektorëve.
Duke folur për 100 ditët e para në Komunën e Lleposaviqit, Marko Radosavljeviq, ndihmëskryekomunar, thotë se me marrjen e detyrës u perceputua mosfunksionaliteti i shërbimeve komunale.
"U gjendëm në buxhet që ishte planifikuar tashmë nga pushteti i mëparshëm i cili nuk pasqyron nevojat reale të qytetarëve. Gjithashtu, nuk u organizua asnjë dëgjesë publike sesi qytetarët të mund të përfshiheshin në paraqitjen e problemeve. Në fillim, u morëm me efikasitetin e shërbimeve dhe u përpoqëm t’a hapnim Komunën për të gjithë qytetarët. Është shumë e rëndësishme për ne që qytetarët të vijnë në institucion, të paraqesin problemin e tyre dhe që ai problem të marrë përgjigje apo të zgjidhet", tha Radosavljeviq për Kosovo Onlajn.
Ai thekson se shpreson që të shkohet në ribalancim të buxhetit dhe se do të jetë e mundur që në bashkëpunim me qytetarët dhe përmes dëgjesave publike, të krijohen projekte sipas prioriteteve. Sipas fjalëve të tij, në sektorin komunal janë problemet më të mëdha si nga mbledhja e mbeturinave dhe furnizimi me ujë.
"Furnizimi me ujë është çështja më urgjente dhe mendoj se jemi në rrugë të mirë për t’a zgjidhur këtë vit. Jemi në fazën e hartimit të dokumentacionit të projektit dhe sigurimit të formaliteteve kadastrale e pastaj, në bashkëpunim me Ujësjellësin Rajonal të Kosovës, me të cilin kemi bashkëpunim të mirë, do të provojmë të realizojmë këtë çështje shumë të rëndësishme për qytetarët tanë", njofton Radosavljeviq.
Thekson se përgjegjësitë e komunave definohen në Ligjin për Vetëqeverisjen Vendore, por që tendenca është që autoritetet qëndrore të Prishtinës gjithmonë e më shumë tentojnë t'u marrin disa kompetenca komunave.
"Do të luftojmë kundër vendimeve të tilla, do të tentojmë që me luftën institucionale gjëra të tilla t'i ndalim aq sa të kemi forcë", thotë nënkryekomunari i Lleposaviqit.
Veçanërisht thekson se në dhjetor u miratua plani i kuadrit në bashkëpunim me shërbimin ligjor e administrativ.
"Kjo është mjaft domethënëse për qytetarët sepse kjo do të thotë se në të ardhmen do të ketë punësime të reja", thotë Radosavljeviq.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Komunës së Lleposaviqit Marko Rakiq thotë se Kuvendi në konstituimin e ri që nisi nga puna në dhjetor të vitit 2025, në 100 ditët e para ndërmori mjaft vendime të rëndësishme.
“I pari ishte tërheqja nga Shoqata e Komunave Kosovare ku nuk kemi parë interesin tonë. U mor vendimi për bashkëpunimin ndërkomunal me Komunën e Graçanicës, ndërsa ndërpremë marrëveshjet që ishin arritur me Komunën e Podujevës, atë të Kamenicës dhe kompaninë Trepça-Jug. U mor vendimi për të nisur procedurën e zëvendësimit të simbolit të komunës së Lleposaviqit, pasi besojmë se në mbledhjen e mëparshme u vendosën disa simbole që nuk ishin në interes të qytetarëve, ku këta të fundit nuk ishin të përfshirë në të, as nuk u krye sipas procedurave ligjore që parashikojnë miratimin e vendimeve të tilla", thekson kryetari i KK të Lleposaviqit për Kosovo Onlajn.
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit që u mbajt në këtë periudhë, kujton ai, kishte të bënte me sigurinë në Komunën e Lleposaviqit, pasi qytetarët janë të shqetësuar për gjithçka që ka ndodhur vazhdimisht vitet e fundit.
"Kuvendi është aty për të qenë zëri i popullit, që haptazi të paraqesin qytetarët e tij dhe për të paralajmëruar hapur kundër mosrespektimit të ligjit nga institucione të caktuara", konkludon ai.
Ministrisë së Infrastrukturës, shton Rakiq, Kuvendi i përcolli iniciativën në të cilën kërkohej që të rishikohet gjendja e rrugëve.
"Përditë jemi dëshmitarë se gjendja e rrugëve është e keqe. Ka pasur disa punime, por në infrastrukturë veç rrugëve, asgjë nuk është bërë. Duam të kemi informacion të hapur se kush po e bën këtë, cilat janë planet, kur dhe çfarë është parashikuar. Ne këtë tani nuk e dimë", thotë Rakiq.
Ndërkaq, një nga vendimet e para të këshilltarëve në të katër komunat në very, ka qenë dalja nga Shoqata e Komunave Kosovare në të cilën ishin pjesmarrës nga vendimet e marra prej këshilltarëve shqiptarë në vitin 2023.
0 komentet