Çfarë rëndësie pati për rajonin samiti i shtatë i Bashkësisë Politike Europiane?

Samit EPZ
Burim: EU

Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Unionin Europian kësaj here nuk ishte temë dominante e zyrtarëve të kontinentit europian tubuar në samitin e Bashkësisë Politike Europiane në Kopenhagen. Çështjet e financimit të ndihmës së mëtejshme për Ukrainën dhe situata e përgjithshme e sigurisë në Europë, ishin në plan të parë, por për liderët nga rajoni ynë, si dhe në samitet e mëparshme të BPE, vetëm prezenca në tryezën ku diskutohen në pothuajse barabartësisht me anëtarët e BE, është e rëndësisë së madhe, thonë bashkëbiseduesit e Kosovo Onlajn.

Shkruar nga: Dushica Radeka Gjorgjeviq

Në takimin e shtatë të Bashkësisë Politike Europiane në Danimarkë, mes 47 të ftuarve ishin të gjithë shefat e shteteve apo qeverive të BE, si dhe liderë jashtë Unionit, përfshirë rajonin e Ballkanit Perëndimor, Britaninë e Madhe, Ukrainën, Moldavinë, Zvicrën, Gjeorgjinë, sekretarin e përgjithshëm të NATO...

Samiti i’u kushtua dhe sigurisë ekonomike dhe migracionit dhe në korridoret e tij, liderët e rajonit mbajtën takime të shumta dypalëshe.

Me sekretarin e përgjithshëm të NATO Mark Rute ka biseduar veçmas presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Vuçiq njoftoi se me Ruten bisedoi rreth situatës në Ballkanin Perëndimor dhe rolin e Sërbisë në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në rrethanat komplekse në të cilat jeton populli sërb, veçanërisht në Kosovë, ndërsa me kancelarin gjerman Fridrih Merc Vuçiq bisedoi rreth rrugës europiane të Sërbisë dhe bashkëpunimit me Gjermaninë.

Osmani, sikurse tha, në takimin me Ruten, theksoi rolin kyç të NATO në garantimin e stabilitetit rajonal, si dhe angazhimin e Kosovës për të qenë partner i besueshëm në përballimin e sfidave të përbashkëta. Gjatë bisedës me kryeministrin holandez Dik Shof, Osmani kërkoi mbështetje për heqjen e masave ndëshkuese që BE i vendosi Kosovës.

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha nga Kopenhageni se vendi i tij nuk po pret anëtarësimin në Bashkimin Europian, por po vrapon drejt tij me shpejtësi të lartë, ndërsa presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq samitin e pa si mundësi të thotë se Mali i Zi është kandidati më i përparuar për anëtarësim në BE.

Redaktori i rubrikës së politikës së jashtme në programin e parë të Radio Beogradit, Nikola Dençiq, tha për Kosovo onlajn se forumi sikurse Bashkësia Politike Europiane në asnjë mënyrë nuk mund të paraqitet zëvendësuese për ndonjë integrim të fortë europian, por që të mund të ofrojë kanale të mira komunikimi si zë i vendeve të tjera që nuk janë anëtare, e kështu dhe zëri i Ballkanit Perëndimor të dëgjohet në nivel të lartë.

Samitet e BPE shpesh zhvillohen, thotë ai, me ton joformal, duke qenë se ajo nuk është konfirmuar si organizatë ndërkombëtare, por sigurisht që është platformë të cilën të gjitha vendet europiane, jo vetëm anëtarët e Unionit Europian, por partnerët e gjithë kontinentit, plus organizata të caktuara ndërkombëtare, mund të vijnë disa herë në vit për të shkëmbyer mendime dhe të tentojnë të shkojnë deri në zgjidhje për problemet dhe krizat akute.

“Të gjithë liderët që folën dje, theksuan se është e domosdoshme mbështetja për Ukrainën, në mënyrë që ajo të mund të mbajë të paktën pozicionet e tashme në front, në dritën e disa negociatave potenciale në të ardhmen dhe se me këtë forcohet siguria e Europës dhe do të punohet për pavarësimin para së gjithash të Unionit Europian e ndoshta pas kësaj dhe më gjerë, që të shkohet në autonomi të caktuar, duke marrë parasysh sinjalet që vijnë nga Uashingtoni prej fillimit të vitit dhe që kontinenti po nis të orientohet në atë që të përllogarisë sigurinë e vet. Këto ishin temat kryesore,” tha Dençiq.

Përsa i përket përfaqësuesve të Sërbisë, sikurse thotë, pra presidentit Aleksandar Vuçiq që udhëhoqi delegacionin, ata duhej të merreshin me çështje më urgjente.

“Nuk pati shumë kohë për të biseduar rreth të ardhmes europiane, duke pasur parasysh se tani kemi probleme në energjetikë, sanksionet e shpallura ndaj NIS dhe çështja e furnizimit me gaz nga burime të tjera dhe këto aktivitetet tona diplomatike në Kopenhagen, para së gjithash ishin të orientuara në atë që të zgjidhen këto çështje më urgjente dhe nuk pati shumë mundësi për tema të tjera. Megjithatë, kemi dëgjuar se në bisedime ka rënë fjala dhe rreth situatës në Kosovë e Metohi, si dhe çështje të tjera të sigurisë dhe stabilitetit në rajon,” thotë bashkëbiseduesi ynë.

Tema e rrugës europiane, mund të ketë qenë ndoshta më e theksuar për Malin e Zi dhe Shqipërinë, shtoi ai, pasi Mali i Zi prej vitesh ka qenë udhëheqës i integrimeve europiane në rajonin tonë, ndërsa gjatë vitit të fundit edhe Shqipëria ka dalë më shumë në plan të parë. Kryeministri shqiptar Edi Rama, shfrytëzoi rastin për t’u tallur në stilin e vet për disa çështje të caktuara, dhe kështu sërish ishte të paktën ylli mediatik i samitit, ndërsa përsa i përket Bosnjë-Hercegovinës, në fokus ishin disa çështje të brendshme.

“Kur flasim për Prishtinën, tashmë është bërë e zakonshme që këto tubime dhe takime me zyrtarë të lartë europianë, të shfrytëzohen për të paraqitur pozicionet e tyre dhe për të treguar se edhe pushteti aktual në Prishtinë ka legjitimitet të caktuar i cili gjithnjë e më shumë vihet në pikëpyetje,” thekson Dençiq.

Qysh kur presidenti i Francës Emanuel Makron inicioi BPE, kujton bashkëbiseduesi ynë, ka pasur mjaft paqartësi, sepse i paraprinë propozime për çështjen e formatit në të cilin Unioni Europian duhet të vazhdojë të zgjerohet, pra për rrethe të ndryshme dhe shpejtësi të ndryshme të anëtarësimit.

“Kur u shkua deri tek iniciativa, mund të kuptohej se kjo duhej të ishte vetëm ndonjë zëvendësim për anëtarësimin, apo të paktën mënyrë që të gjitha vendet kandidate dhe potencialisht kandidate të ‘qetësohen’ duke pasur parasysh se proçeset negociuese zgjasin vërtet shumë. Nëse një ide e tillë ka egzistuar në nisje, duket se tani po ndryshon” thekson ai.

Drejtoresha e Institutit për Politikë Europiane nga Shkupi, Simonida Kacarska, thotë se në samitin e djeshëm të Bashkësisë Politike Europiane në Kopenhagen, nuk pati vendime të mëdha dhe se diskutimi i’u kushtua disa çështjeve në lidhje me migracionin dhe tregtinë ilegale, kryesisht me interes për Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.

Ajo megjithatë thekson se në samitet e BPE nuk u morën vendime të mëdha dhe në to nuk ka rezoluta të mëdha, por që ato janë më shumë forume diskutimi.

“Ky është forum që është simbolik. Ka pasur disa iniciativa të vogla kur samiti ishte në Moldavi, në këndvështrimin e sigurisë dixhitale e të ngjashme. Në këto forume, vendet kandidate për anëtarësim në BE mund të japin kontribut, ndoshta jo në mënyrë të barabartë, por në nivel të lartë sesa janë të mësuara zakonisht”, thotë Kacarska për Kosovo Onlajn.

 

Sikurse shton, përfaqësuesit e vendeve kandidate për anëtarësim në BE në takimet e BPE ulen në të njëjtën tryezë si dhe përfaqësuesit e anëtarësisë së BE, janë aktorë aktivë dhe për ta kjo është mundësi që veten t’a shikojnë si krijues të politikave të caktuara, pasi shpesh janë në pozita pritëse.

Kacarska kujton se Bashkësia Politike Europiane, është koncept që është i rëndësishëm në kontekstin e zgjerimit të kuptimit të Europës.

“Pas pushtimit rus në Ukrainë, synimi ishte vendosja e dialogut me aktorë të tjerë që janë gjeografikisht në Europë, Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë, disa nga vendet kaukaze në kontekstin e ndërtimit të qasjeve të përbashkëta ndaj situatës së re dhe me gjasa kjo pjesërisht është realizueshme. Në atë kohë për vendet kandidate ishte shumë e rëndësishme të trajtoheshin si aktorë të barabartë, pra të mos ishin në pozitë të nënshtruar. Këtu, përfaqësuesit e vendeve kandidate janë në të njëjtin nivel me të gjithë liderët e tjerë të Unionit Europian”, thekson Kacarska.

Ne raport me samitin e Bashkësisë Politike Europiane që u mbajt në Tiranë në maj të këtij viti sikurse konstaton Ylli Pata, analist politik dhe redaktor në të përditshmen “Tema” në Tiranë, samiti në Kopenhagen pothuajse nuk u mor fare me çështjet e rajonit tonë.

Ai thotë se të gjithë liderët dje në Danimarkë u morën me problemet urgjente të vendeve baltike dhe skandinave në lidhje me kërcënimin rus ose, sikurse tha, me shqetësimin e tyre për atë që e quajnë kërcënim rus.

“Vëmendja i’u kushtua rajonit kaukazian, atyre që quhen pjesë e aleancës së re të Unionit Europian. Vendet e Kaukazit, apo vendet që janë në kufi me Rusinë, sikurse Moldavia, Gjeorgjia, Azerbajxhani, Armenia, tashmë kanë marrë rëndësi të veçantë“, thekson Pata.

Zgjedhjet në Moldavi, shton ai, sikurse u pa javën e kaluar, ishin temë e diskutimit gjeopolitik.

Kujton se një muaj më parë, kancelari gjerman, presidenti francez, presidentja e Komisionit Europian dhe liderë të tjerë të vendeve europiane shkuan në Kishinjev dhe u betuan për një lloj afrimi, për dashuri të madhe ndaj Moldavisë.

"Moldavia dhe Shqipëria janë dy vende të vogla që vuajtën më shumë në tranzicionin postkomunist, vende të varfra që vuajtën shumë nga krimi i organizuar, korrupsioni i zyrtarëve të lartë, por gjithashtu vuajtën edhe nga një lloj stereotipi në vendet europiane që na përdorin ne dhe moldavët, apo edhe rumunët, si klishe negative për përdorim politik. Sot, dashuria ndaj Moldavisë shpërtheu në këto vende, çka nuk është asgjë më shumë sesa instrument gjeopolitik", vlerëson Pata.

Ajo që disa mund t’a kujtojnë samitin e shtatë të Bashkësisë Politike Europiane, do të jetë shakaja e kryeministrit shqiptar Edi Rama ndaj presidentit të SHBA Donald Tramp.

Rama në korridoret e tubimit në bisedë me presidentin francez Emanuel Makron dhe presidentin azerbajxhanas Ilham Aliev, kujtoi me shaka se Tramp bëri lapsus dhe ngatërroi Armeninë me Shqipërinë, duke folur rreth konfliktit "shqiptaro-azerbajxhanas" në vend të mosmarrëveshjes mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

"Duhet të na urosh mua dhe Alievin. Trump i dha fund konfliktit mes nesh. Dhe bëri shumë përpjekje në të," i tha Rama dje Makronit.