Dialogu dhe tre kushte të reja: Një lojë shahu në Bruksel ose një rixhirim i keq i filmit "Dita e Marmotit"
Një raund i ri bisedimesh mes negociatorëve kryesorë të Beogradit dhe Prishtinës dhe një fiasko e re. Ndryshe nga të gjitha të mëparshmet - absolutisht e pritshme. Bashkëbiseduesit e Kosovo online theksojnë se një rezultat i tillë ishte i qartë që në javën e kaluar pasi Albin Kurti refuzoi takimin trepalësh me Aleksandar Vuçiqin dhe e kushtëzoi vazhdimin e dialogut me tri kërkesa të reja.
Disa e quajnë lojë shahu. E vetmja gjë që nuk është e qartë është nëse kryeministri Albin Kurti e ka “kontrolluar” Beogradin, Bashkimin Evropian apo Prishtinën në Bruksel.
Për të tjerët, është një rixhirim i keq i filmit "Dita e Marmotit" në të cilin një ditë përsëritet pa pushim, ashtu si negociatat në Bruksel.
Njësoj ishte edhe dje.
Për kryenegociatorin e Beogradit, drejtorin e Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, dhe raundi i djeshëm i dialogut është dëshmi se Prishtina në thelb nuk dëshiron normalizimin e marrëdhënieve, dhe se formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe është kusht i qartë i SHBA-së dhe BE-së – “vrima e fundit në kavall”.
“Prishtina po e vret dialogun”, ka thënë Petkoviq.
Për negociatorin kryesor të Prishtinës, Besnik Bislimi, problemi kryesor është se Petkoviq ka insistuar ekskluzivisht në miratimin e draftit evropian të BKS-së.
“E vetmja pikë e rendit të ditës që duhej të bënim progres ishte diskutimi për finalizimin e planit të rendit. Megjithatë, Petkoviq ishte i interesuar vetëm për një pikë, e cila përfshinte miratimin e draft-statutit evropian të Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe”, u tha Bislimi gazetarëve pas takimit.
Një lojë shahu apo një rixhirim i një filmi? A është pikërisht kjo ajo që kreu në largim i diplomacisë evropiane, Zhozep Borel, kishte në mendje, i cili, duke përmbledhur jo vetëm javën e kaluar, por edhe mandatin e tij pesëvjeçar në BE, tha se nevojitet guxim, vizion dhe vullnet politik për procesin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Javën e kaluar, në vend të takimit të paralajmëruar trepalësh mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit, Boreli doli para gazetarëve në fund të ditës duke thënë se Kurti nuk e dëshiron atë takim, tashmë ka zbuluar tre kushte të reja, çelësi i të cilave është njohja reciproke.
Zyrtarët evropianë u përpoqën të "sqarojnë" se ky term mund të ketë disa "dublete". Dhe ata vetëm u ngatërruan më shumë.
Ndër të parët është zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Duke bërë të ditur takimin e djeshëm mes kryenegociatorëve të Beogradit dhe Prishtinës, Petar Petkoviq dhe Besnik Bislimi, ai shpjegoi se prioriteti dhe agjenda e atij takimi përcaktohet nga "urgjenca më e madhe e fillimit të zbatimit të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve midis dy palëve".
"Nuk ka asnjë njohje atje, por, sigurisht, pasoja logjike e normalizimit do të ishte njohja. Por kjo është diçka shumë më vonë në proces," tha Stano.
Dhe negociatori kryesor evropian, Mirosllav Llajçak, flet gjatë gjithë kohës për normalizimin e marrëdhënieve. Javën e kaluar, në Forumin e Dubrovnikut, ai shpjegoi se çfarë donte të thoshte me këtë.
"Sigurisht, u takon palëve të përcaktojnë se çfarë do të thotë normalizim," tha Llajçak.
Petkoviq ishte i shkurtër dhe i qartë për të gjitha ato “dublete”.
"Nuk do ta shikoni atë film".
Rrethi vicioz
Sociologu Vlladimir Vulletiq i përshkruan me gjallëri takimet në Bruksel si rixhirim të filmit "Dita e Marmotit". Ai shton se “dubleti” mund të jetë një rreth vicioz.
"Kur bëhet fjalë për këto bisedime, është si Dita e Marmotit. E njëjta gjë përsëritet çdo herë, nuk ka përparim, kështu që ju në të vërtetë pyesni nëse kërkohet përparim fare. Është e qartë që Prishtina dhe Beogradi janë në pozicione të ndryshme dhe se interesat përfundimtare të Prishtinës dhe Beogradit janë të kundërta me njëra-tjetrën. Megjithatë, ata që janë duke i moderuar këto bisedime, nëse vërtet duan të bëjnë ndonjë përparim, tani kam përshtypjen se asnjëra palë nuk ka shumë entuziazëm për të hedhur një hap vendimtar drejt asaj që quhet normalizim dhe me të cilin, padyshim, të gjithë nënkuptojnë gjëra të ndryshme”, thotë Vulletiq për Kosovo online.
Ai shtoi se në të gjitha çështjet po bëhet përparim shumë ngadalë dhe për këtë, thekson ai, më së shumti po vuajnë serbët në Kosovë.
“Për ne dhe për jetën e njerëzve në Kosovë më e vështira është se janë prishur lidhjet ekonomike, e kam fjalën për qarkullimin e mallrave dhe parave, ka ende fluks njerëzish, por edhe është ngadalësuar sepse ka shumë kufizime që lidhen me vizitat e zyrtarëve. Njerëzit nuk janë më të sigurt kur kalojnë kufirin, a do t'i shkojë dikujt në mendje se mund të jenë një lloj elementi që duhet arrestuar... E shohim se edhe pse këto bisedime. po zhvillohen, situata sa vjen e vështirësohet”, thekson Vulletiq.
Ai thotë se qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti ndaj dialogut mund të shihet më së miri nga lëvizjet që ai bëri javën e kaluar, sepse për të ishte më e rëndësishme të shikonte Shqipërinë në Kampionatin Evropian të Futbollit se sa të fliste.
“Ato takime mes zyrtarëve të lartë kanë kuptim vetëm nëse diçka përgatitet dhe merret vesh paraprakisht, por ne e pamë dhe e dinim që edhe nëse takoheshin do të kishte qenë me qëllim për të pirë kafe, sepse në atë periudhë përgatitore, Kurti shkoj për të parë lojën. Për të ishte më e rëndësishme të shihte Shqipërinë sesa të takohej me Llajçakun dhe të diskutonte për dialogun. Kur është fjala për kushtet, Kurti bën gjithçka për të shmangur çdo gjë që mund të avancojë dialogun. Asnjëra palë nuk ka një dëshirë të brendshme për të bërë asgjë. Kjo është e rrezikshme, sepse ai konflikt gjithashtu e lë atë plagë të hapur dhe krijon një problem sigurie. Duhet të pyesim veten nëse është vërtet në interesin e dikujt që ta bëjë sigurinë një çështje të hapur. Kjo më shqetëson”, thekson ky sociolog.
Ai thekson se “lëvizjet e shahut” të Kurtit janë të qarta.
“Gjithçka është tentativë për të diskualifikuar bisedimet, sepse ai në thelb nuk është i interesuar për asnjë bisedë, para se Beogradi ta njohë Kosovën. Meqenëse i është bërë presion, ai ka pranuar të biseedoj, por në atë mënyrë që biseda të mos çojë askund dhe se është e qartë që në fillim se ai nuk është i interesuar për bisedime. Mund të ketë bisedime pasi Beogradi ta njohë Prishtinën, në mënyrë që si dy vende të njohura reciprokisht të bien dakord për gjëra të ndryshme, por nuk është mnyra për të zgjidh këtë procedurë”, përfundoi Vulletiq.
Negociatat pa negociata
Millosh Beshiq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, mendon se pas një sërë takimesh të pasuksesshme në Bruksel dhe kushteve të reja të kryeministrit Albin Kurti, negociatat për normalizimin e marrëdhënieve duhet të ndërpriten, sepse është e qartë se as Prishtina dhe as BE-ja nuk kanë vullnet politik për t'i dhënë fund.
“Mendoj se këto negociata thjesht duhet të ndërpriten. Është shumë e qartë se nuk ka vullnet politik për negociata. Është shumë e qartë se qëllimi dhe strategjia e vetme e zotit Kurti është Kosova e pavarur me çdo kusht, pa bërë asnjë kompromis apo lëshim. Dhe është shumë e qartë se ata që ne i quajmë ndërmjetësues, ndërmjetës ndërkombëtarë në negociata, në fakt janë në anën e Kosovës së pavarur. Prandaj, nuk ka dyshim se vendet e Kuintit dhe të gjitha vendet kyçe të BE-së e mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe po bëjnë gjithçka që munden që ti bëjnë presion Serbisë dhe që Kosova ta marrë atë pavarësi”, thotë Beshiq për Kosovo online.
Ai vlerësoi se lidershipi i Serbisë është i vetëdijshëm se nuk ka negociata, por se qëndrimi i saj në këtë moment është i detyruar.
“Unë e kuptoj pjesëmarrjen e Serbisë në të gjitha ato negociata, jo sepse ka vullnet dhe dëshirë, synim dhe besim se kjo çështje mund të zgjidhet, por thjesht si mungesë zgjedhjeje dhe shfaqje e thjeshtë e një lloj vullneti të mirë, pra të mos thuhej se Serbia nuk do të negociojë. Por mendoj se lidershipi shtetëror i Serbisë e kupton shumë qartë se nuk ka negociata dhe se asgjë nuk mund të ndodhë pa qenë në dëm të Serbisë. Prandaj, duhet të vazhdoni këto negociata, por pa shpresë se do të çojnë në ndonjë drejtim konstruktiv”, thotë Beshiq.
Ai nuk pret që administrata e re evropiane të paraqesë një strategji më të mirë se ajo e mëparshme.
“Ata kanë një strategji shumë të qartë. Ata kanë një strategji që thjesht të kalojnë nga negociatat në negociata dhe herët a vonë njëra nga palët ose të dyja palët, kryesisht Serbia, do të humbasin durimin dhe do ta vejnë pikën në 'i'. Mos harroni, ndërkohë, gjërat po ndodhin në skenën e jashtme-politike, ndërkohë ka mekanizma të presionit të mundshëm që mund të ushtrohen në radhë të parë ndaj Serbisë”, thotë Beshiq.
Ai konkludon se problemi kryesor qëndron në faktin se vendet e Kuintes dhe BE-ja e shohin ekskluzivisht njohjen e Kosovës nga Serbia si epilog të negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Qëllimi i këtyre negociatave është që Serbia ta njohë Kosovën. Pra, ndonjëherë thuhet de fakto, është njohje e Kosovës. Pra, ky është qëllimi i këtyre negociatave. Ky është synimi i vendeve të Kuintit, vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre që ndërmjetësojnë. Qëllimi i tyre është shumë njëkahësh, unipolar, në interes të Kosovës dhe ato negociata do t'i mbajnë vazhdimisht duke përdorur mekanizma dhe argumente të reja për të mos ushtruar presion ndaj Serbisë. Është shumë e qartë se çfarë po ndodh atje”, tha Beshiq.
Si interpretohet "normalizimi"
Bashkëpunëtori hulumtues i Institutit të Historisë Bashkëkohore, Millan Gulliq, vlerëson se raundi i djeshëm i negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës tregoi se procesi i dialogut është “pa risi”, sepse Perëndimi me termin “normalizim” nënkupton ekskluzivisht njohjen e Kosovës.
“Përparimi i dialogut në ditët e sotme përgjithësisht në Perëndim konsiderohet si tërheqje e shtetit të Serbisë nga Kosova dhe Metohia dhe kjo është bërë në vazhdimësi që nga viti 1999. Dhe ai pak sovranitet që ka mbetur atje gradualisht po tërhiqet dhe përparimi reduktohet në faktin se dialogu është kur njëra palë merr gjithçka dhe pala tjetër nuk merr asgjë. Epo, nuk është një dialog i vërtetë, por është vetëm një përvijim i marrëdhënieve në botë për momentin”, thotë Gulliq për Kosovo online.
Duke vlerësuar negociatat e djeshme shtatë orëshe në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve Petar Petkoviq dhe Besnik Bislimi, të cilat përfunduan pa rezultate, Gulliq thotë se “ka kohë që nuk ka asnjë lajm të veçantë”.
“Nuk do të thosha se këtu kemi ndonjë risi të veçantë. Thjesht, Prishtina ka një kohë të gjatë që ka mbështetjen serioze të vendeve më të rëndësishme perëndimore, ajo është e vetëdijshme për këtë dhe e bën politikën e saj në përputhje me rrethanat. Shpesh dorëzon kërkesa dhe pavarësisht përgjigjes së trazuar ndaj tyre, në fund ajo më së shumti e shtyu atë që donte”, tha Gulliq.
Ai shton se është e gabuar të nxirret përfundimi se kryeministri Albin Kurti apo lidershipi i Kosovës që nga viti 1999 është i vetmi përgjegjës për ngërçin.
“Unë do të thosha se kjo është politika shumë dekadash e shqiptarëve, të cilët kanë punuar edhe në Jugosllavinë socialiste. Kërkesat e tyre i paraqesin me demonstrata, shtypen brutalisht dhe në fund kërkesat plotësohen. Dhe në këtë rast gjithçka do të shkojë në atë drejtim”, beson Gulliq.
Kush e bën lëvizjen e parë?
Analistët nga Kosova pajtohen se në të vërtetë asgjë e pazakontë nuk po ndodh në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se në këtë “lojë shahu” mbetet dilema kryesore – kush duhet të bëjë hapin e parë.
Drejtori i Institutit për Politikë “Musine Kokalari”, Visar Imeri, ka vlerësuar për Kosovo online pas raundit të djeshëm të dialogut në Bruksel se nuk ka ndodhur asgjë e papritur, dhe se kushtet e vendosura nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti javën e kaluar janë taktika e Prishtinës që nuk është i sigurt se do të japin fryte, sepse siç thekson ai, pala serbe nuk është e gatshme t'i përmbushë ato.
“Asgjë e papritur nuk ka ndodhur, kemi dëgjuar të njëjtat histori si më parë, që takohemi, bisedojmë, se secila palë mban qëndrimin e saj dhe nuk ka përparim. Për mua ishte i çuditshëm fakti që zoti Llajçak tha se janë pajtuar për hapat e ardhshëm, sepse këtë nuk e kanë thënë as Petkoviq nga Beogradi dhe as Bislimi nga Prishtina. Që do të thotë se ose nuk duan të flasin për këtë, ose Llajçak është shumë optimist se po bën punën e tij. Deri më tani nuk kemi parë ndonjë rezultat dhe hap të mirë dhe të rëndësishëm në atë drejtim”, tha Imeri.
Ajo që po ndodh në dialog, tha ai, është parë pasi Kurti dhe Vuçiq është dashur të takohen në Bruksel, por nuk kanë ndodhur. Sipas tij, ky është një tregues se dialogu aktualisht ka vdekur.
“Ne vazhdimisht po flasim për një marrëveshje që duhet të zbatohet, por nuk do të zbatohet. Duket se asnjëra palë nuk pajtohet të fillojë procesin e zbatimit të asaj marrëveshjeje”, tha ai.
Ai ka theksuar se Bashkësia e Komunave Serbe është një nga përgjegjësitë që ka Kosova, por se Prishtina nuk do të bëjë asgjë në këtë drejtim, derisa, siç tha ai, të marrë disa garanci se pala serbe do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes.
“Mendoj se letra e dërguar nga ish-kryeministrja Brnabiq krijoi probleme të mëdha në procesin e dialogut. Njëra palë nuk mund të thotë se janë dakord me marrëveshjen, por nuk do të zbatojnë pikën 24 dhe të ngjashme, nëse jeni dakord me marrëveshjen, do të thotë se jeni dakord me të gjithë tekstin, jo vetëm me një pjesë. Mendoj se problemi më i madh është se qeveria e Kosovës, kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, vazhdojnë të thonë se e presin këtë dhe po kërkojnë disa garanci se edhe Serbia do të zbatojë anën e saj të marrëveshjes, dhe pastaj edhe pala kosovare do të ndërmarrë hapa në atë drejtim, mendoj se ishte vitin e kaluar dhe të njëjtin problem e kemi edhe tani”, tha ai.
Ai po ashtu thekson se kur është fjala për kushtet e vendosura nga Kurti, dy nga tre pikat kanë të bëjnë me garancitë se Serbia do ta zbatojë marrëveshjen.
“Që do ta zbatojnë njohjen de facto të Republikës së Kosovës, por pika e tretë është shumë serioze. Mendoj se pala kosovare ka të drejtë të kërkojë që Millan Radoiçiq, i cili ishte organizatori kryesor i sulmit në Banjskë, të përballet me drejtësinë, dhe nëse Serbia nuk e bën këtë, ai duhet të vijë në Kosovë dhe të përballet me gjykatën e Kosovës”, tha Imeri.
Nëse pala kosovare i përmbahet këtyre kushteve, Imeri është i mendimit se nuk do të ketë përparim në dialog në periudhën në vijim, sepse, siç thekson ai, nuk e sheh gatishmërinë e palës serbe për të bërë diçka për t'i përmbushur ato.
Imeri e sheh si hipokrizi largimin e Bislimit për të biseduar me palën serbe.
“Nëse qëndrimi i palës kosovare është tani që nuk ka dialog dhe nuk ka zbatim të marrëveshjes pa ato kushte, atëherë pse po shkon? Nëse Kurit nuk do të takohet me presidentin e Serbisë Vuçiq, pse duhet të takohet Bislimi me Petkoviqin? Kjo nuk ka kuptim. Mendoj se çdo palë, edhe Kosova edhe Serbia, çdo qeveri, mundohet të ketë një strategji dhe disa taktika në procesin e dialogut. Mendoj se qeveria e Kosovës po sillet taktikisht në këtë rast, nuk do ta ndalim dialogun, por do të vendosim kushte në dialog dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, beson ky analisti.
Imeri është i bindur se nuk do të ketë hapa të mëdhenj përpara në dialog derisa të formohet Komisioni i ri në Bashkimin Evropian dhe të përfundojnë zgjedhjet në SHBA.
“Tani kemi zgjedhje në Britaninë e Madhe, raundi i parë i zgjedhjeve në Francë ka përfunduar, do të presim raundin e dytë për të parë se kush do të formojë qeverinë atje. Ka pyetje shumë të mëdha edhe në këtë situatë, mendoj se as Kurti e as Vuçiqi nuk kanë arsye të bëjnë një hap përpara drejt zbatimit të marrëveshjes”, përfundon Imeri.
Ndryshimi i qëndrimit të BE-së
Bashkëpunëtori i OJQ-së “Nisma e re Sociale” nga Mitrovica e Veriut, Aleksandar Shluka, në një intervistë për Kosovo online, thotë se takimet në Bruksel janë të nevojshme, por që deri vitin e ardhshëm “nuk do të shohim asgjë të bujshme”.
“Ne e dimë se në thelb, derisa Kurti të jetë i gatshëm, nuk do të ketë hapa të mëdhenj. Megjithatë, mendoj se këto kushte nuk do të jenë pengesë në kuptimin vendimtar sepse BE-ja duket se ka ndryshuar pak qëndrim. Në fillim ajo i ka përkrahur ose i ka miratuar në heshtje të gjitha këto kushte të Kurtit dhe përpjekjet për të zbehur rrjedhën e dialogut. Nuk besoj se do ta tolerojnë më”, thekson Shluka.
Megjithatë, ai ka rezerva se këto presione do të prekin kryeministrin e Kosovës.
“Pyetja është se si do të ndikojë tek Kurti. Unë mendoj se nuk do të ndikojë. Nuk do të shohim asgjë të bujshme deri në vitin e ardhshëm. Përderisa do të zgjasë mandati i Llajçakut nuk do të ketë zhvillime të mëdha sa i përket formimit të BKS”, ka përfunduar Shluka.
Duke komentuar pretendimin e kryenegociatorit të Prishtinës, Besnik Bislimi, se Petar Petkoviq në Bruksel ka insistuar në formimin e BKS-së, Shluka thotë se një qasje e tillë e Beogradit ka mbështetjen e BE-së.
“Një qasje e tillë nga pala serbe ka mbështetjen e BE-së dhe unë mendoj se ata do të insistojnë që Bashkësia të jetë çështja e parë dhe më e rëndësishme në atë radhë aplikimi, që të paktën të ndërmerren disa hapa, kështu që atëherë mund të pritet aplikimi i disa gjërave nga pala serbe. Kurti do ta ketë shumë të vështirë ta gëlltisë, duke qenë se së shpejti mund të presim zgjedhje në Kosovë. Ai nuk do të kërkojë të dëmtojë veten dhe të ulë vlerësimin duke formuar BKS në këtë moment të ndjeshëm për të“, thekson Shluka.
Shluka e sheh njoftimin se Beogradi dhe Prishtina duhet t'i paraqesin Llajçakut kundërshtimet e tyre ndaj propozimit të BE-së për rendin e hapave në zbatimin e marrëveshjes deri më 18 korrik si deja vu të negociatave për dinarin.
“Në thelb, e kemi parë me dinarin. Palët u ngulitën në pozicionet e tyre dhe BE-ja ishte e pafuqishme për ta hequr atë. Pas shtatë takimeve rreth dinarit, ne nuk kemi parë ndonjë përparim dhe tani kjo temë praktikisht nuk diskutohet më. Mendoj se ky është më shumë një fjalim mirëseardhjeje nga dhe Llajçak, sesa mund të presim përfshirjen e tyre konstruktive në zbatimin e marrëveshjes”, shpjegoi Shluka.
Kushtet për dialog
Kryetari i Aleancës së Biznesit të Kosovës, Agim Shahini, pohon se procesi i dialogut është në njëfarë moratoriumi për shkak të kushteve të vendosura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të cilat, siç thekson ai, Serbia nuk do t'i përmbushë.
Në një intervistë për Kosovo online, Shahini nuk beson se problemi mes Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhet shpejt.
“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas vlerësimeve tona është ende në moratorium sepse kryeministri Kurti i ka kërkuar Serbisë tri kushte dhe Serbia sigurisht që nuk do t'i përmbushë. Dhe nëse ato tri kushte të Kurtit mbeten të qëndrueshme, për mendimin tim, dialogu me Serbinë do të jetë në një moratorium afatgjatë”, tha Shahini.
Ai thekson se ka shumë faktorë që do të ndikojnë në dialog dhe kujton se pushimet verore janë në prag të fillimit.
“Po ashtu, ka pasur zgjedhje edhe në Bashkimin Evropian, kështu që ndërkohë që po emërohen emisarë të tjerë, pastaj Amerika hyn në fushatë zgjedhore, kështu që asgjë nuk do të ndodhë, dhe pas kësaj do të hyjmë edhe në procesin zgjedhor. Pra, nuk më duket se problemi i Kosovës dhe i Serbisë do të zgjidhet shpejt”, tha Shahini.
Ai ka kujtuar edhe ndalesat e vendosura nga qeveria e Kosovës, të cilat më së shumti prekin popullin serb.
“Ne kemi një problem, qytetarët serbë nuk i kanë produktet e tyre këtu, ka ende ndalim për produktet e gatshme. Ata kanë ende problem me dinarin, nuk ka ende zgjidhje”, tha Shahini.
Problemi, siç thekson ai, është se qytetarët e Kosovës dhe Serbisë nuk e shohin njëri-tjetrin në mënyrë miqësore, gjë që, siç thekson ai, nuk është rasti me kombet e tjera të rajonit.
“Ata nuk shikojnë njëri-tjetrin si ne maqedonasit apo malazezët, apo serbët me të tjerët, përkundrazi, ne shohim se kemi çështje të pazgjidhura me njëri-tjetrin, dhe politikanët tanë nuk e kanë si prioritet zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të zgjidhet”, ka thënë Shahini.
Ai kujtoi se edhe kombet e tjera kanë hyrë në luftë, duke përmendur shembullin e Gjermanisë dhe Francës dhe se sot këto vende kanë shkëmbimin më të madh tregtar.
“Në vitin e kaluar kemi importuar 370 milionë mallra nga Serbia dhe vitin e kaluar më pak se 200 milionë. Kjo do të thotë që të gjithë humbin në këtë drejtim, nuk ka fitues. Humbje pësojnë vetëm qytetarët”, përfundoi ai.
0 komentet